TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Dhjetor 2024, 22:30

Ndërron jetë në moshën 100-vjeçare ish-presidenti i SHBA-së, Jimmy Carter

Shkruar nga Pamfleti

Ndërron jetë në moshën 100-vjeçare ish-presidenti i

Qendra Carter tha se presidenti i 39-të vdiq në Plains, Xhorxhia, i rrethuar nga familja e tij.

Ish-presidenti më jetëgjatë, i cili kaloi dekada pas kohe në zyrë duke bërë fushatë për shëndet më të mirë global dhe të drejta të njeriut, ka ndërruar jetë.

Jimmy Carter, ishte personi që u zotua të rivendosë moralin dhe të vërtetën në politikë pas një epoke skandali në Shtëpinë e Bardhë dhe që ripërcaktoi shërbimin post-presidencial, vdiq të dielën në moshën 100-vjeçare.

Qendra Carter tha se presidenti i 39-të vdiq në Plains, Xhorxhia, i rrethuar nga familja e tij.

“Babai im ishte një hero, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që besojnë në paqen, të drejtat e njeriut dhe dashurinë altruiste. Vëllezërit e mi, motra dhe unë e ndamë atë me pjesën tjetër të botës përmes këtyre besimeve të përbashkëta. Bota është familja jonë për shkak të mënyrës se si ai i bashkoi njerëzit dhe ne ju falënderojmë që nderuat kujtimin e tij duke vazhduar të jetoni këto besime të përbashkëta", tha djali i tij, Chip Carter.

Carter u bë ish-presidenti më i vjetër i gjallë kur ai tejkaloi rekordin e mbajtur nga i ndjeri George HW Bush në mars 2019.

Historia e Jimmy Carter:

I lindur në vitin 1924 në shtetin juglindor të Xhorxhias - me nënën infermiere dhe babanë fermer kikirikësh - Carter nuk i harroi kurrë fillimet e veta.

Pasi ndoqi Akademinë Detare të SHBA-së, ku bëri punë pasuniversitare në fizikë bërthamore dhe punoi në zhvillimin e programit të nëndetëseve bërthamore të Amerikës, Carter u kthye në fermën e familjes, të cilën e shndërroi në biznes kikirikësh.

Ai ishte atje kur hyri në politikën lokale dhe u zgjodh përfaqësues i Senatit të Xhorxhias, përpara se të shërbente si guvernator i shtetit nga viti 1971 deri më 1975.

Gjatë mandatit si guvernator, Carter filloi t’i tregojë vlerat progresive që kishte mësuar nga prindërit e tij. Ai kërkoi publikisht fundin e izolimit të afrikano-amerikanëve, rritjen e numrit të zyrtarëve afrikano-amerikanë në qeverinë e shtetit, si dhe promovoi arsimin dhe reformën në burg.

Pesë vjet më vonë, Carter - i cili ishte pak i njohur jashtë shtetit të tij - bëri një hap gjigant, duke fituar nominimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale të vitit 1976.

Ai e mposhti presidentin republikan, Gerald Ford, i cili kishte marrë detyrën nga Richard Nixon, pas skandalit Watergate. Carter e bëri të qartë nga fillimi se presidenca e tij do të lobojë për të drejtat globale të njeriut.

Një nga qëllimet e para të Carterit pasi u bë president, ishte të punonte për një traktat të dytë për kufizimin e armëve strategjike - i njohur si SALT II - me Bashkimin Sovjetik. Traktati u krijua me qëllim të kufizimit të mëtejshëm të armëve bërthamore të të dyja vendeve.

Negocimi i traktatit me udhëheqësin sovjetik, Leonid Brezhnev, ishte i vështirë, për shkak të kritikave të vazhdueshme të Carterit ndaj Kremlinit, në lidhje me të drejtat e njeriut.

Por, në qershor të vitit 1979, dy udhëheqësit e nënshkruan Traktatin SALT II. Senati i SHBA-së nuk e ratifikoi pas pushtimit sovjetik të Afganistanit, në dhjetor të vitit 1979, por kushtet e tij u respektuan nga të dyja palët.

Në përgjigje të pushtimit sovjetik, Carter shpalli atë që u bë e njohur si Doktrina e Carterit. Sipas saj, Shtetet e Bashkuara do t’i mbronin interesat e tyre në Gjirin Persik edhe me forcë ushtarake nëse do të ishte e nevojshme. Shtetet e Bashkuara, gjithashtu, bojkotuan Lojërat Olimpike të vitit 1980 në Moskë.

Por, ishte kriza e pengjeve amerikane në Iran ajo që do të vinte për të përkufizuar presidencën e Carterit.

Në vjeshtën e vitit 1979, iranianët - të pakënaqur me sundimin e Shahut Mohamed Reza Pahlavi - e rrëzuan atë dhe instaluan një udhëheqës të mërguar mysliman, Ajatollah Ruhollah Khomeinin, si lider të tyre të ri. Carter i dha azil politik Shahut të sëmurë - çfarë e rriti zemërimin e shumë iranianëve.

Në nëntor të vitit 1979, militantët iranianë që kishin mbështetjen e heshtur të Qeverisë së Khomeinit, sulmuan Ambasadën e SHBA-së në Teheran dhe morën peng 52 amerikanë. Ata kërkuan kthimin e Shahut dhe një kërkimfalje nga SHBA-ja.

Carter tha se SHBA-ja nuk mund të dorëzohet përballë kërkesave të pengmarrësve dhe kriza zgjati 444 ditë. Pas dështimit të negociatave me iranianët, Carter, në prill të vitit 1980, urdhëroi Forcat Speciale të SHBA-së që të përpiqen t’i shpëtojnë pengjet amerikane.

Misioni përfundoi në tragjedi - tetë ushtarë amerikanë vdiqën në aksidentin që e shkaktoi dështimi i pajisjeve. Carter e njoftoi kombin për misionin e dështuar:

Kriza e pengjeve amerikane dhe paaftësia e Carterit për ta zgjidhur atë, dominuan lajmet në Amerikë gjatë vitit 1980 - vit i zgjedhjeve presidenciale. Ai u mposht lehtësisht nga republikani Ronald Reagan, ish-aktor i Hollivudit. Për ta goditur përfundimisht Carterin, Irani vendosi t’i lirojë pengjet më 20 janar të vitit 1981 - në ditën kur Carter la zyrën dhe Reagan u përurua si president.

Edhe pse mandati i tij presidencial shpesh u karakterizua si dështim, Carter kishte edhe pjesën e tij të triumfeve. Ai krijoi një politikë efektive kombëtare për energjinë dhe nxiti krijimin e 8 milionë vendeve të reja të punës, edhe pse me koston e inflacionit të lartë. Ai, gjithashtu, përmirësoi funksionimin e Qeverisë federale të SHBA-së përmes reformimit të shërbimit civil.

Arritja më e madhe e Carterit si president i SHBA-së ishte Traktati i Paqes i vitit 1978 midis Egjiptit dhe Izraelit. Presidenti egjiptian, Anwar Sadat, dhe kryeministri izraelit, Menachem Begin, u shpërblyen më pas me Çmimin Nobel për Paqe.

Carter si ish-president u vlerësua gjerësisht për përpjekjet e tij për të sjellë paqe dhe dinjitet në botë.

Pasi u tërhoq nga politika, Carter zbuloi se ferma e tij e kikirikëve ishte shkatërruar nga ata që e mbikëqyrnin derisa ai ishte në detyrë.

Kështu, ai ofroi shërbimet e tij si monitorues zgjedhjesh dhe ndërmjetës i paqes në konflikte, ndërsa në vitin 1982 themeloi Qendrën Carter. Ai, po ashtu, punoi për të siguruar strehim për të varfrit përmes organizatës “Habitat for Humanity” - një program privat që ofron ndihmë për nevojtarët, që duan t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre.

Në vitin 2002, Carter fitoi Çmimin Nobel për Paqe, për punën e tij në diplomaci dhe në promovimin e drejtësisë sociale.

Carter e pranoi zyrtarisht çmimin në kohën kur Shtetet e Bashkuara po mobilizoheshin për pushtimin e Irakut. Ai iu referua përgatitjes ushtarake gjatë fjalimit të tij.

“Lufta, ndonjëherë, mund të jetë një e keqe e domosdoshme. Por, pavarësisht se sa e nevojshme është, ajo është gjithmonë e keqe, asnjëherë e mirë. Ne nuk do të mësojmë se si të jetojmë së bashku në paqe, duke vrarë fëmijët e njëri-tjetrit”, tha Carter.

Carter shpesh ishte fotografuar me një çekiç në dorë, duke punuar së bashku me vullnetarët tjerë në ndërtimin e shtëpive. Shëndeti i tij u përkeqësua viteve të fundit, pasi një lloj kanceri iu përhap në tru dhe mëlçi.

Lini një Përgjigje