Banorët e Kievit po përballen me pasojat e rënda të sulmeve ruse, duke theksuar se ndërsa ndërtesat mund të rindërtohen, plagët emocionale dhe humbjet njerëzore mbeten të pashlyeshme.
Ukrainasit e dinin se një sulm i madh po afrohej. Që kur Rusia paralajmëroi, rreth një javë më parë, se do të intensifikonte sulmet ndaj kryeqytetit Kiev, shumë banorë i kaluan netët në strehimore nëntokësore.
Ne ndodheshim dy kate nën tokë dhe, megjithatë, mund të ndienim dhe të dëgjonim shpërthimet e fuqishme mbi ne. Më pas erdhën dronët rusë, të cilët mund të kenë transportuar lëndë shpërthyese shtesë ose të kenë vlerësuar dëmet e shkaktuara nga raketat. Pastaj pasuan raketa të tjera.
Sipas kompanisë së metrosë së Kievit, më shumë se 41 mijë persona, përfshirë afro 4.500 fëmijë, u strehuan gjatë natës në stacionet e metrosë, një rekord për vitet e fundit.
Megjithëse Moska kishte paralajmëruar se sulmet do të bëheshin shumë më të ashpra, ky sulm nuk ndryshonte shumë nga ato që Kievi kishte përjetuar tashmë shumë herë. Edhe një herë, Rusia deklaroi se po godiste objektiva ushtarake, por pasojat i ndien civilët.

Kur dolën nga strehimoret pas sulmit, shumë banorë mbetën të tronditur kur panë se lagjet e tyre ishin transformuar tërësisht. Dritare të shkatërruara, automjete të reduktuara në grumbuj metali të djegur dhe të deformuar.
Në Kiev, të paktën gjashtë persona humbën jetën atë natë, ndërsa viktima dhe dëme u raportuan edhe në pjesë të tjera të Ukrainës. Në Dnipro, të paktën 16 persona u vranë pasi dy ndërtesa banimi u goditën nga sulmet.
Më shumë se 90 persona u plagosën në të dy qytetet. Në Kharkiv, në verilindje të vendit, ku u goditën gjithashtu objektet energjetike dhe infrastruktura civile, autoritetet raportuan 10 të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë. Edhe rajone të tjera të Ukrainës u vunë në shënjestër.

Në Vynohradar, një lagje zakonisht e qetë e Kievit, pamjet tregonin shkatërrim total. Pallate të larta me dritare të thyera, automjete të djegura përgjatë trotuareve dhe re pluhuri e tymi në ajër. Banorët thanë se kishin dëgjuar të paktën tre shpërthime shumë të fuqishme. Disa prej fqinjëve të tyre u dërguan në spital me plagë të rënda.
Anna jeton në një pallat 9-katësh pranë epiqendrës së njërit prej shpërthimeve. Mes lotësh, ajo tregoi se një nga automjetet e shkatërruara plotësisht nga shpërthimi ishte i saj. Megjithatë, shqetësimi i saj nuk lidhet vetëm me makinën apo banesën.
“Do ta riparojnë ndërtesën, por jo shpirtrat tanë. E gjithë ndërtesa, e gjithë Ukraina është në zi. Çfarë kemi bërë që e meritojmë këtë?”, tha ajo.
Pas sulmit nisi një operacion i gjerë për pastrimin e dëmeve dhe ndihmën ndaj të mbijetuarve.
Pranë shtëpisë së Annës, ekipet e shpëtimit kontrollonin gjendjen fizike të banorëve, ndërsa psikologët e angazhuar nga autoritetet bisedonin me njerëzit e tronditur nga sulmi. Vullnetarët shpërndanin ushqime dhe pije falas.
Policia largonte qytetarët nga zonat pranë pallateve, pasi copa xhami vazhdonin të binin nga dritaret e thyera.
Aty pranë, djem të rinj të lagjes iu bashkuan punonjësve komunalë për të pastruar rrënojat e një qendre aktivitetesh për fëmijë, ku në dritaret e dëmtuara ende dalloheshin fluturat e purpurta të pikturuara.

Por sa më larg të largohesh nga epiqendra e shpërthimit, aq më shumë rikthehet ndjesia e normalitetit. Në një rrugë pranë shtëpisë së Annës, disa fëmijë luanin në luhatëse, duke vështruar me mosbesim lëvizjen e pazakontë në lagjen e tyre.
Më tej, punëtorët po shtronin asfalt të ri, ndërsa autobusët vazhdonin qarkullimin sikur asgjë e jashtëzakonshme të mos kishte ndodhur pak metra më tutje.
Kjo është mënyra se si Kievi përballet me luftën: pavarësisht sa fort goditet, qyteti rikthehet sërish në rutinën e përditshme. /Përshtati “Pamfleti” nga “BBC”
Rusia e Putinit me luften kunder Ukraines po behet gjithnje dhe me e urrejtshme prej popujve te botes. Dhe kur humbet dinjitetin e behesh i urrejtshem s'ka c'te duhen territoret dhe pasurite...