
Dy persona rezultojnë ende të zhdukur në Itali, në rajonin e Friuli Venezia Giulia, pasi tre banesa u shembën në zonën e Cormons, pranë Gorizias. Lajmi u konfirmua nga forcat zjarrfikëse italiane përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas autoriteteve, shembja e ndërtesave dyshohet të jetë shkaktuar nga një rrëshqitje dheu, pas orësh të tëra me reshje të dendura shiu gjatë natës. Në vendngjarje vijojnë kërkimet për një të mitur dhe një grua të moshuar, ndërsa një person tjetër është nxjerrë i gjallë nga ekipet e emergjencës.
Stuhitë e fuqishme që goditën rajonin kanë sjellë përmbytje të shumta dhe rrëshqitje dheu, veçanërisht në provincat e Udines dhe Gorizias.
Autoritetet raportuan se lumenjtë kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke bllokuar rrugë dhe izoluar zona të tëra. Për të përballuar situatën, në ndihmë janë dërguar ekipe të specializuara nga Lombardia, Veneto dhe Emilia Romagna.
Moti ekstrem ka shkaktuar gjithashtu përmbytje, dëme të mëdha e vështirësi qarkullimi në pjesë të tjera të Friuli Venezia Giulia, një ndër gjashtë zonat e vëna në gatishmëri për shkak të stuhive, së bashku me Emilia Romagnan, Ligurian, Lombardinë, Toskanën e Umbrian.
Shkencëtarët thonë se kriza klimatike e shkaktuar nga emetimet e gazrave serrë, po i bën më të shpeshta dhe më intensive ngjarjet ekstreme të motit si valët e nxehtësisë, thatësirat, stuhitë e mbingarkuara dhe përmbytjet e befasishme.
Lini një Përgjigje