Një video tronditëse po bën xhiron e rrjeteve sociale dhe mediave në Rusi, ku shihet momenti kur një helikopter rrëzohet pasi përplaset me kabllo të energjisë elektrike në rajonin e Perm, në malin Ural.
Pamjet u publikuan nga televizioni rus RT, ku shihet një helikopter i zi tip Robinson R44 Raven, teksa fluturon në lartësi të ulët, përplaset me kabllot elektrike dhe më pas rrëzohet me forcë në tokën e mbuluar nga dëbora, në parkun Asatli.
Sipas autoriteteve, të dy personat në bord humbën jetën, mes tyre edhe milioneri rus Ilya Gimatutdinov, themelues i kompanisë së transportit Tattranskom, me seli në Perm, si dhe Elmir Konyakov, drejtues i lartë në të njëjtën kompani.
Mediat ruse raportojnë se helikopteri po kryente një fluturim të paautorizuar, pa lejen e autoriteteve të aviacionit. Prokuroria e Transportit të Uraleve ka publikuar video shtesë nga vendngjarja, ku duken qartë kabllot e energjisë në të cilat është ngatërruar helikopteri.
Ndërkohë, autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur shkakun e saktë të rrëzimit. Paraprakisht dyshohet se përplasja me rrjetin ajror të energjisë ishte faktori kryesor i aksidentit, por kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga shërbimi i emergjencave.
Lini një Përgjigje