
Perspektiva e afërt e një presidence të dytë Trump, e bëjnë të duket të largët “lavdinë e vjetër”
Flamujt e mëdhenj të 30 vendeve anëtare të NATO-s valëviten në kuadër të festimeve të 75-vjetorit të aleancës ushtarake më të suksesshme në histori, siç e theksojnë vazhdimisht mbështetësit e saj më të zjarrtë. Por ne duhet të pranojmë se disa anëtarë janë më të barabartë se të tjerët.
Dhjetëra vendet e çuditshme që nuk po shpenzojnë ende 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen, duhet të kenë vetëm një peshë modeste. Aktualisht flamuri flamurin amerikan duhet të jetë më i madhi, duke pasqyruar ndikimin ushtarak të Uashingtonit. Por shqetësimi dhe shpërqendrimi i administratës Biden, dhe perspektiva e afërt e një presidence të dytë Trump, e bëjnë të duket të largët “lavdinë e vjetër”.
Edhe flamujt e tjerë nuk janë në vendin e tyre. Për shembull flamurit trengjyrësh i Hungarisë jeshile-bardhë-kuqe duhet vendosur më afër ambasadës ruse në Kensington Gardens, për të reflektuar qasjen e padobishme (sa për ta thënë në mënyrë diplomatike) të Budapestit ndaj Ukrainës dhe lidhjeve të saj komode me Kremlinin.
Atje duhet varur edhe flamuri i Sllovakisë, pas rezultateve të zgjedhjeve të fundit që sollën në Bratislavë pushtet politikanët pro-Putin. Në vend të kësaj, ne duhet të mbajmë lart flamuj e vendeve që janë sot në vijën e zjarrit të Rusisë:të Ukrainës nën bombardimet e përditshme, dhe të Moldavisë përballë një morie kërcënimesh ende jo-ushtarake.
Asnjëra prej tyre nuk është anëtare e NATO-s, por siguria jonë do të dobësohet shumë nëse ato kapitullojnë përballë Rusisë. Errësira dhe erërat e stuhishme do ta plotësonin këtë tablo të zymtë. Sepse pavarësisht rrahjes së shpatullave, NATO është në kaos dhe e paqartë mbi të ardhmen e saj.
Aleanca po dështon tashmë që ta ndihmojë Ukrainën, ku tërheqja, madje edhe kolapsi, rrezikon të lënë në hije samitin e përvjetorit jubilar që do të mbahet në korrik në Uashington. Në fakt, NATO do ta kishte të vështirë të mbrohej kundër një sulmi rus, me shumë mundësi në rajonin e Detit Baltik, dhe që mund të ndodhë brenda 3 vjetësh ose edhe më herët.
Vendet e vijës së parë e shohin shumë qartë këtë kërcënim. Lituania po ndërton me shpejtësi një fabrikë të madhe municionesh. Ashtu si shtetet e tjera baltike, edhe ajo po ndërton fortifikime të shumta në kufi. Pushtimit duhet t’i rezistohet që në centimetrat e parë.
Disa aleatë mendojnë se kjo është e frikshme. Në realitet aleanca jeton në një sistem komitetesh, planet dhe premtimet e të cilëve janë po aq të forta sa edhe shtetet anëtare. Megjithatë zakoni i tyre më i keq janë deklaratat dhe gjestet, madhështore në dukje por boshe në përmbajtjen e tyre.
Për shembull, në një kohë kur çdo pajisje dhe para duhet të dërgohet në Ukrainë, NATO po kryen stërvitjen e saj më të madhe që nga Lufta e Ftohtë, Steadfast Defender (Mbrojtësi i Qëndrueshëm). Kjo stërvitje frymëzon vizitorët e shquar, por nuk bën asgjë për të penguar komandantët rusë të godasin qytetet e pambrojtura të Ukrainës si për shembull Kharkiv.
Jo se qytetet brenda NATO-s mbrohen shumë më mirë. Sipas mendimit aktual të aleancës, vetëm objektivat ushtarakë meritojnë mbrojtje kundër sulmeve ajrore dhe raketore, madje jo shumë prej tyre. Këto sisteme mbrojtëse janë të kushtueshme, ndaj vendet që kanë më shumë nevojë për to - shtetet baltike - nuk ua mban xhepi ti kenë.
Ky është vetëm njëri nga hendeqet e shumta. Ndërkohë struktura komanduese e NATO-s është në kaos. Vitet e lënies pas dore të ushtrive nënkuptojnë më pak rezerva, infrastrukturë të pamjaftueshme, një logjistikë të dobët dhe pajisje të vjetruara. Premtimet e forcave të reagimit të shpejtë, mes tyre edhe nga Britania, pasqyrojnë supozime tejet optimiste.
Qasja “le të bëjmë sikur”, bazohet tek një mendim i vjetëruar dhe plot vetëkënaqësi:çdo luftë do të jetë e shkurtër, maksimumi 1-2 javë, sepse avantazhi teknologjik i Perëndimit do ta lejojë atë t’i japë Rusisë një goditje shkatërruese . Dhe frika nga armët bërthamore amerikane do të parandalojë hakmarrjen.
Planifikimi për përballje të tilla të afatshkurtra dhe të mirë-strukturuara është ngushëllues, por jorealist. ”Rusia ka sasi të mëdha armësh”- thotë një Ministër i Mbrojtjes në një shtet të vijës së parë. Çfarë ndodh nëse mbrojtja e tyre ajrore, e bllokon numrin tonë të kufizuar të armëve të goditjes me rreze të gjatë të teknologjisë së lartë, dhe nëse na mbarojnë sistemet tona mbrojtëse?
Në rastin e një krize, planet e aleancës mbështeten kryesisht tek ndihma me SHBA-së. Por kjo e fundit po i zhvendos armët e teknologjisë së lartë në rajonin e Indo-Paqësorit, për t’iu kundërvënë Kinës. Kjo do të thotë më pak mbrojtje për ne evropianët.
Anëtarët evropianë të aleancës, mund të kompensojnë me kalimin e kohës ‘muskujt’ e munguar të Amerikës. Zëvendësimi i lidershipit teknologjik dhe strategjik të SHBA-së do të ishte shumë më i vështirë. Garancia bërthamore, e pa testuar ndonjëherë, është tepër e ndjeshme ndaj ndryshimeve politike në Uashington.
Imagjinoni një postim në rrjetet sociale nga një Trump i sapozgjedhur që thotë:”Evropianët presin që vendi ynë të paguajë për mbrojtjen e tyre dhe të rrezikojë për ta Luftën Bërthamore. Harrojeni!!!”. Po ashtu, NATO nuk është gjithashtu në gjendje të përballet me dobësi të tjera. Industritë evropiane të mbrojtjes janë të fragmentuara. Pengohet ende blerja e përbashkët e pajisjeve ushtarake. Siguria civile dhe rregullat e forta mjedisore e pengojnë “lëvizshmërinë ushtarake”. Ndërkohë Rusia po përdor armët jo-ushtarake, si keqinformimet, sulmet kibernetike, ryshfetin dhe shantazhin.
Goditja e moralit të një vendi dhe e vendimmarrësve të tij, mund ta fitojë një luftë që përpara se ajo të fillojë. Në letër, NATO ka plane për të korrigjuar shumë nga dobësitë e saj deri në vitin 2030. Por ajo duhet të bëjë shumë më tepër dhe shumë më shpejt. Komandantët ushtarakë, kanë nevojë të kenë autoritetin për të reaguar shpejt nëse Rusia zhvillon një stërvitje të menjëhershme kërcënuese.
Kjo nënkupton më shumë normalitet, pasi tanket gjëmojnë nëpër tokat bujqësore dhe avionët luftarakë ulërijnë nëpër qiej. Por pa amerikanët, asnjëra nga këto nuk do të funksionojë. Mundësia e një epoke post-NATO ngre pikëpyetje të mëdha mbi Britaninë. BE-ja po luan tashmë një rol më të madh në mbrojtje.
Nëse rizgjidhet si kryetare e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dëshiron të diktojë prodhimin ushtarak të BE-së. Dhe ku i lë kjo prodhuesit tanë të armëve? Çfarë roli duhet të luajnë armët tona bërthamore në sigurinë evropiane? A e ka parë dikush atë flamurin blu me yjet e verdhë?/Përshtati Pamfleti nga “The Times”
Lini një Përgjigje