
“Njeriu e beson gënjeshtrën më lehtë se të vërtetën, e pranon me besim më të madh absurdin se sa realitetin”
Katër vjet më parë Unilever, një kompani shumëkombëshe britanike e mallrave të konsumit me rreth 400 marka aktive, e braktisi selinë e saj në Holandë për t'u fokusuar në Mbretërinë e Bashkuar. Sot njësia e dedikuar për prodhimin e akulloreve, që vlen rreth 17 miliardë euro, po përgatitet të listohet në bursë, dhe i duhet të zgjedhë mes tregjeve të Londrës dhe Amsterdamit.
Por për momentin e para ka një avantazh të qartë, shkruan Bloomberg. Hein Schumacher, kreu i Unilever, thotë se klima e biznesit në Holandë nuk është më aq e favorshme sa dikur. Sidomos për kompanitë që punësojnë staf nga e gjithë bota. Rasti i Unilever është vetëm një nga efektet e prodhuara nga politikat populiste kundër emigracionit, të cilat po gëzojnë një mbështetje në rritje në opinionin publik holandez.
Kjo u pa edhe nga suksesi i Partisë së Lirisë së Geert Wilders në zgjedhjet parlamentare të 22 nëntorit 2023. Udhëheqësi ksenofob nuk do të drejtojë qeverinë e ardhshme, por ai ka fituar një peshë politike të madhe në një vend ku mbërritja e të huajve u rrit me 60 për qind në vitin 2022, dhe tani të gjitha partitë kryesore po propozojnë masa kufizuese ndaj emigracionit.
Disa vendime të qeverisë së mëparshme, i pakësuan lehtësirat tatimore për emigrantët, dhe vendosën një kufi maksimal ndaj numrit të studentëve të huaj që mund të regjistrohen në universitetet holandeze. Një kthesë kjo qartazi negative për një vend që ka qenë gjithmonë i njohur për hapjen e tij ndaj të huajve.
Nga vendi po mendojnë të largohen edhe shumë kompani të mëdha holandeze. Për shembull, Boskalis Westminster, e cila ofron shërbime për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës detare në mbarë botën. Sipas një sondazhi të kryer në vitin 2023 për llogari të Ministrisë së Çështjeve Ekonomike Holandeze, 16 për qind e kompanive në vend po mendojnë të veprojnë si Boskalis.
Por përqindja arrin në 33 për qind midis atyre që merren me veprimtari kryesisht ndërkombëtare. Këtu përfshihet ASML, kompani lider në botë për makineritë e prodhimit të gjysmëpërçuesve, e cila në bursë ka një vlerë prej 360 miliardë eurosh. ASML është penalizuar edhe nga masat kundër emigracionit, duke qenë se mbi 40 për qind e stafit të saj janë të huaj.
Në një konferencë për mediat në janar kreu i ASML Peter Wennink tha:“Nëse Holanda mbyllet ndaj botës, dhe ne nuk mund të sjellim më talente dhe studentë nga jashtë, pasoja do të jetë largimi ynë nga këtu. Ne jemi një kompani globale, dhe do të shkojmë atje ku jemi të sigurt se mund të rritemi”.
Sigurisht, Holanda nuk është i vetmi vend ku populistët dhe politikat e tyre po fitojnë mbështetje të gjerë. Ka shumë shembuj që kanë të bëjnë me të gjitha kampet, nga e djathta në të majtë. Duke filluar nga Italia, ku të paktën që nga koha e Silvio Berlusconi e këtej, pra nga mesi i viteve 1990, formacione të ndryshme populiste e kanë ndjekur njëri-tjetrin: nga Lega e Matteo Salvinit tek Lëvizja Pesë Yje deri dje e Beppe Grillo-s, dhe së fundmi e Giuseppe Conte.
Apo edhe Fratelli d’Italia e kryeministres aktuale Giorgia Meloni. E njëjta gjë vlen edhe për Francën, Gjermaninë, Zvicrën. Për të mos përmendur Britaninë e Madhe, ku populizmi ishte forca kryesore lëvizëse pas Brexit, daljes së vendit nga Bashkimi Evropian. Apo Shtetet e Bashkuara në drejtimin e Donald Trump dhe Brazilin e Jair Bolsonaros.
Një tipar i përbashkët i udhëheqësve populistë është besimi se ata përfaqësojnë kërkesat e “njerëzve të vërtetë”, në kontrast me të metat dhe korrupsionin e elitës. Shpeshherë veprimi i tyre çon në zhvlerësimin e formave dhe procedurave të demokracisë përfaqësuese, duke favorizuar metodat e tipit plebishitar.
Mjafton të përmendim dëmin e shkaktuar në Hungari nga Viktor Orbán. Por veç demokracisë ka edhe pasoja negative për ekonominë, të cilat shpesh janë më pak të studiuara, thekson “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Gazeta gjermane citon një studim të kryer nga ekonomistët Manuel Funke, Moritz Schularick dhe Christoph Trebesch, të cilët analizuan të dhënat e lidhura me 51 presidentë dhe kryeministra populistë nga viti 1900 deri në 2020-ën, duke theksuar kostot shumë të larta për vendet. Ata shkruajnë ndër të tjera se “pas 15 pesëmbëdhjetë vjetësh, PBB për frymë në këto vende është 10 për qind më e ulët se sa në një vend të qeverisur nga një udhëheqës jo-populist”.
E gjithë kjo është rezultat i shkatërrimit të ekonomisë, përkeqësimit të stabilitetit makroekonomik dhe i gërryerjes së institucioneve. “Të dhënat tregojnë se nuk po përkeqësohen vetëm rritja dhe konsumi por edhe pabarazitë. Dallimet midis të pasurve dhe të varfërve po rriten veçanërisht në rastin e qeverisjes nga populistët e krahut të djathtë”- theksojnë më tej Funke, Schularick dhe Trebesch.
Populistët propozojnë receta të thjeshta për problemet komplekse, duke u përpjekur të përfitojnë nga pakënaqësia e shoqërisë. Receta që kur krahasohen me realitetin, rezultojnë vazhdimisht të gabuara dhe thuajse gjithmonë të pazbatueshme, si të gjitha propozimet e mbushura me retorikë.
Për shembull marrim rastin më të fundit në Itali, super bonusin në masën 110 për qind, që po rezulton të jetë një makth për llogaritë tashmë të brishta shtetërore dhe ndoshta do të mbetet në histori si një nga katastrofat më të mëdha të financave publike.
Por pse kaq shumë njerëz - nga të gjitha sferat e jetës, të djathta dhe të majta - besojnë fort tek projektet politike populiste në Itali, Shtetet e Bashkuara, Holandë dhe shumë vende të tjera? Më vjen ndërmend një shkrim nga Alberto Savinio i vitit 1943 që është përmbledhur në librin “Fatet e Evropës” (Adelphi 1977) .
Titullohet “T'u japësh italianëve mendim dhe gjykim. Shpesh fajësohet padija e elektoratit, por mungesa e mendimit dhe e gjykimit është “e frikshme”, shkruan Savinio, i cili në këtë shkrim reflekton mbi faktorët që i shtynë italianët të besonin te Benito Mussolini dhe fashizmi.
“Më frikëson numri shumë i madh i njerëzve që nuk mendojnë apo gjykojnë me kokën e tyre, por e bëjnë këtë nga imponimi, frymëzimi, madje edhe nga ftesa apo këshilla e një udhëheqësi, një prifti a magjistari. Mungesa e mendimit dhe e gjykimit e vendos një popull në situatën e Huang-ho, lumit tragjikisht të famshëm të Kinës (në vitin 1887 doli nga shtrati duke shkaktuar një përmbytje që vrau të paktën 900 mijë njerëz) që papritmas del nga shtrati i tij i zakonshëm dhe vërshon në mes të qyteteve dhe qytezave që i pushton në mënyrë katastrofike.
Në këtë rast lumi nuk është me ujë, por me njerëz, dhe gjatë katastrofës mbyt edhe veten”. Efekti më i tmerrshëm i “kësaj inercie mendimi dhe gjykimi”, shton Savinio, është se “njeriu e beson gënjeshtrën më lehtë se të vërtetën, e pranon me besim më të madh absurdin se sa realitetin”./Përshtati Pamfleti nga “Internazionale”
Lini një Përgjigje