
5 nëntori shënoi edhe një humbje në “betejën për shpirtin” e shtetit ligjor, një institucion që ka përcaktuar demokracinë amerikane për gati 250 vjet.
Kamala Harris nuk ishte e vetmja që pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA. 5 nëntori shënoi edhe një humbje në “betejën për shpirtin” e shtetit ligjor, një institucion që ka përcaktuar demokracinë amerikane për gati 250 vjet.
Shembulli më i dukshëm ishte kërkesa e Prokurorit Special Jack Smith për të hequr dorë nga ndjekjet penale të Departamentit të Drejtësisë ndaj presidentit të zgjedhur Donald Trump. Kështu fitorja e Trump, e rrëzoi akuzën ndaj tij për përpjekjen për të përmbysur me dhunë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Po ashtu, Trump ka shumë të ngjarë t’i shmanget përgjegjësisë ligjore në çështjet e tjera penale nivel shtetëror në Florida, Xhorxhia dhe Nju Jork. Sulmi i Trump ndaj shtetit të së drejtës sapo ka filluar. Ai është dukshëm në konflikt interesi, pasi nuk ka hequr dorë nga asnjë prej aseteve të tij financiare.
Ai ka bërë thirrje për “likuidimin” e Kushtetutës, ka bërë shaka me aspiratat e tij diktatoriale, ka lavdëruar udhëheqësit autoritarë si presidenti rus Vladimir Putin, ka kërcënuar se do të shënjestrojë gazetarët, dhe se do të "burgosë" kundërshtarët e tij politikë.
Pasi ka organizuar “rikthimin më të madh politik”, dhe teksa aleatët e tij kanë nën kontroll Kongresin, Senatin dhe Gjykatën e Lartë, Trump ka të ngjarë të jetë edhe më luftarak në mandatin e tij të dytë. Duke u frymëzuar nga projekti ultra-konservator, Heritage Foundation Project 2025, ai po zgjedh besnikët që ndajnë përbuzjen e tij ndaj sundimit e ligjit për të udhëhequr agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit si FBI, dhe ka premtuar dëbime masive dhe “ndalime udhëtimesh” diskriminuese.
Që nga skandali Watergate, shumica e presidentëve amerikanë kanë treguar vullnetarisht njëfarë përmbajtjeje në ushtrimin e kompetencave të tyre, sidomos përballë Departamentit të Drejtësisë, i cili supozohet të veprojë disi i distancuar nga politika e Uashingtonit.
Por Trump nuk ka respekt për norma apo tradita të tilla, dhe “testimi i kufijve” është në ADN e tij. Studiuesit e jurisprudencës dhe politologët, i druhen fatit të sistemit të kontrolleve dhe balancave të Amerikës. Barton Gellman i Qendrës Brennan për Drejtësinë, thotë se përvoja ka treguar në mënyrë të përsëritur se një udhëheqës autoritar, me pak shqetësime për kufizimet ligjore, ka një avantazh strukturor ndaj çdo përpjekjeje të ligjshme për ta frenuar.
Dhe ky rrezik vetëm sa është rritur pas vendimit historik të Gjykatës së Lartë të SHBA-së në çështjen Trump kundër Shteteve të Bashkuara, në të cilin shumica konservatore i dha presidentit “imunitet nga ndjekja penale në lidhje me të gjitha aktet e tij zyrtare”.
Ndërkohë, fuqia e faljes presidenciale është më gjithëpërfshirëse se kurrë më parë, dhe në dispozicion të tij do të jenë mekanizma si Akti i Kryengritjes, që e lejon presidentin të nxjerrë ushtrinë në rrugë për qëllime të ndryshme dhe të përcaktuara në mënyrë të paqartë.
Trump është tallur me të gjitha përpjekjet ligjore për ta frenuar atë. Dënimi i tij në gjyqin e “blerjes së heshtjes” në Nju Jork, ishte një simbol i popullaritetit të tij. Republikanët i qëndruan në krah të liderit të tyre, madje disa u shfaqën në gjyq për të ofruar mbështetjen e tyre.
Ndërsa Harris dhe demokratët e vunë theksin tek kërcënimi që paraqet Trump për sundimin e ligjit, shumë votues e simpatizuan Trumpin, i cili akuzoi administratën Biden se po zbaton “ligjin “ kundër tij. Dështimi i drejtësisë për ta mbajtur Trumpin përgjegjës për sjelljet e gabuara, ringjall një debat të vjetër, që ka prekur kontekste abstrakte por dhe specifike, duke filluar nga ligjet naziste, skllavëria deri te regjimi i aparteidit të Afrikës së Jugut, rreth kohës se kur pushojnë ligjet “e liga” pushojnë së qëni të vlefshme.
Shkolla mbizotëruese e mendimit në teorinë juridike - pozitivizmi, e krijuar nga mendimtarë si Jeremy Bentham, Hans Kelsen dhe HLA Hart - pohon se ligji është i tillë si një çështje e faktit shoqëror. Sipas kësaj teze, vlefshmëria e ligjit nuk ka të bëjë fare me moralin, dhe kërkon vetëm që zyrtarët ta pranojnë atë (të miratojnë “pikëvështrimin e brendshëm”), dhe që ai të respektohet në përgjithësi.
Puna e Gustav Radbruch, një filozof gjerman relativisht ezoterik, mund të jetë më e rëndësishme për këtë moment. Ai thotë se “konflikti midis drejtësisë dhe sigurisë juridike, mund të zgjidhet në këtë mënyrë: Ligji pozitiv, i siguruar nga legjislacioni dhe pushteti, ka përparësi edhe kur përmbajtja e tij është e padrejtë dhe nuk i sjell dobi njerëzve, përveç rasteve kur konflikti midis statutit dhe drejtësisë, arrin një shkallë kaq të pa tolerueshme saqë statuti, si një ligj me të meta, duhet t'i nënshtrohet drejtësisë”.
Radbruch e hartoi atë formulë si një reagim juridik ndaj ardhjes së nazistëve në pushtet në Gjermani. Jehona historike është e vështirë të injorohet. Nëse shteti i së drejtës do të ketë një shans reagimi, mbrojtësit e tij duhet ta pranojnë se ligji rrezikon të bëhet një guaskë e zbrazët dhe steriliteti i tij një terren pjellor për populizmin dhe populistët.
Shteti i së drejtës, duhet të rivendosë besimin e njerëzve, duke u bërë simbol i drejtësisë dhe duke e mbështetur tërheqjen e tij tek morali dhe mirëkuptimi i përbashkët. Siç e nënkupton edhe preambula e Kushtetutës së SHBA-së, përpjekja për t’u bërë një “bashkim më i përsosur”, është e lidhur pazgjidhshmërisht me përpjekjen për “vendosjen e drejtësisë”. Por që të ketë sukses, sundimi i ligjit do të duhet të zbulojë frymën e tij të dikurshme./Përshtati "Pamfleti", marrë nga “Project Syndicate”
Shënim: Antara Haldar, profesore e studimeve ligjore në Universitetin e Kembrixhit.
Lini një Përgjigje