TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Dhjetor 2024, 21:00

Kush janë vendet e BE-së që duan copëtimin e Ukrainës, pakte sekrete me Moskën për rimarrjen e territoreve të dikurshme

Shkruar nga Paolo Rossetti
Kush janë vendet e BE-së që duan copëtimin e Ukrainës,
Kaja Kallas, përfaqësuese e BE për Politikën e Jashtme dhe Donald Tusk, kryeministër i Polonisë

Ukraina mund të hyjë në BE, por e copëtuar, ku secila prej pjesëve do jetë territor i kombeve të tjera?

Kryeministri polak, Donald Tusk, thotë se Rusia dhe Ukraina mund të fillojnë negociatat që këtë dimër. Por sigurisht që nuk do të jetë ai ndërmjetësi. Bisedimet do të varen nga Trump dhe Putin thotë Gianandrea Gaiani, drejtor i institutit italian Analisi di Difesa, dhe të tjerët do të ndjekin shembullin e tyre, përfshirë BE-në, e cila për momentin nuk llogaritet fare.

Por sipas një plani që në pamje të parë ngjan si fantazi politike (por mund të mos jetë e tillë), disa vende të bllokut (Polonia, Hungaria, Rumania) mund të “gostiten” me atë që ka mbetur nga Ukraina, duke marrë disa rajone që dikur ishin të tyret. Ndërkohë Brukseli fantazon për një plan 100 miliardë eurosh për mbrojtjen e përbashkët, por ekonomia nuk po kalon një moment të mirë, dhe një projekt i tillë mund ta fundosë.

Kryeministri polak, Donald Tusk, thotë se negociatat për Ukrainën mund të fillojnë në dimër, pikërisht kur Varshava të nisë të mbajë presidencën e radhës të BE-së. A janë vërtet kaq pranë bisedimet?

Nëse ka pasur një vend që ka pasur mundësinë të luajë me kartën e negociatave gjatë presidencës së BE-së, ky është Hungaria. Për shkak të armiqësisë së saj të dukshme me Rusinë dhe interesave të saj në një rajon ukrainas siç është Galicia, unë nuk e shoh Poloninë si një palë në negociata.

Për më tepër, Rusia e ka theksuar gjithmonë se negociatat mund të zhvillohen vetëm duke marrë parasysh situatën në terren.

Dhe nga ky këndvështrim, edhe pse askush në Itali nuk dëshiron të flasë më për këtë, rusët po përparojnë në front. Pesë fortesat e fundit të Donbassit janë të rrethuara dhe gati të bien. Unë besoj se Putin po forcon ofensivën përpara se Trump të marrë detyrën në janar.

A janë gjithmonë të njëjta pretendimet e Moskës?

Rusët duan sovranitet mbi Krimenë dhe 4 rajone të tjera ukrainase, që ende nuk i kontrollojnë plotësisht, një Ukrainë neutrale që nuk i bashkohet NATO-s, dhe në territorin e saj nuk duhet të ketë baza ushtarake dhe armë të huaja. Nëse ka vullnet për të negociuar mbi këto pika, Moska do ta bëjë këtë. Nëse jo do vazhdojë luftën.

Koha është një element thelbësor, sepse sa më shumë të kalojë ajo, aq më shumë do të jetë në vështirësi Kievi. Tashmë po flitet për rekrutimin e 18-20 vjeçarëve, dhe kjo do të sjellë arratisjen e shumë njerëzve, një brez tjetër që do të fshihet për të shmangur shfarosjen në vijën e parë të frontit.

Pra në realitet, Putin do të vazhdojë luftën derisa të arrijë diçka?

Negociatat do të menaxhohen nga amerikanët dhe rusët, BE-ja nuk llogaritet fare. Deklaratat e fundit të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, dëshmojnë dobësinë e madhe të Bashkimit Evropian, ku e vetmja gjë që mund të tregohet është fanatizmi rusofob dhe shtypja e lirive të qytetarëve evropianë.

Rasti i Rumanisë është i bujshëm. Edhe kandidatja tjetër në balotazh, ajo pro BE-së, e denoncoi cenimin e lirisë dhe demokracisë me anulimin e zgjedhjeve. Arbitrat e negociatave do të jenë Rusia dhe SHBA-ja e udhëhequr nga Trump, sepse reagimet e Biden synojnë destabilizimin.

Me pak fjalë, nuk do jetë Tusk dhe as Polonia, ata që do lehtësojnë procesin e paqes?

Tusk është një nga eksponentët kryesorë të rusofobisë evropiane, dhe unë nuk e shoh se si mund të nisë një dialog. Përveçse, nëse ka një marrëveshje sekrete midis rusëve dhe polakëve, sipas së cilës, kur Ukraina të kapitullojë, duke qenë se Varshava ka vendosur trupa në kufirin me Kievin me pretekstin e frenimit të rusëve, Polonia të marrë sërish Galicinë. Por në këtë pikë, hyjmë në një skenar shumë të turbullt për Ukrainën si shtet.

Pra Ukraina mund të hyjë në BE, por e copëtuar, ku secila prej pjesëve do jetë territor i kombeve të tjera?

Mund të duket si një fantazi politike, duke përfshirë njërin në të cilin rumunët, hungarezët dhe polakët marrin sërish rajonet që u kanë përkitur dikur shteteve të tyre, por, duke pasur parasysh atë që ka ndodhur kohët e fundit, unë nuk do të përjashtoja asgjë.

A i shërbeu samiti Trump-Macron-Zelensky, me rastin e inaugurimit të katedrales së Notre Dame në Paris, presidentit të sapozgjedhur amerikan që të rikonfirmojë se është ai në krye të kësaj pune?

Sigurisht, është Amerika ajo që do të vendosë për Ukrainën, Shumica e armëve dhe parave për të vazhduar luftën vijnë nga SHBA-ja. Nëse Trump mbyll rubinetin, problemi do të zgjidhet. Evropa nuk mund t’i vijë në ndihmë. Zelensky nuk ka alternativa, ai s’mund të luftojë i vetëm. Biden dërgon ndihma çdo javë, por më pas presidenti ukrainas duhet të merret vesh me presidentin e ri.

Çfarë mund të arrijë e shumta Kievi në një negociatë?

Baza për fillimin e negociatave është ajo që dihet. Sigurisht, një marrëveshje është një gjë, dhe armëpushim gjë tjetër. Amerikanët kanë çdo lloj interesi që ta lënë Evropën të merret me të.

A do të mjaftonte që Uashingtoni ta ndalte luftën, dhe më pas Brukseli do të mendojë për rindërtimin?

Ne evropianët do ta përballemi me barrën shumë të rëndë të rindërtimit të Ukrainës, por edhe me nevojën për të menaxhuar një Luftë të Ftohtë të re me Rusinë. Kjo është ajo që dëshiron Trump. Ai do të thotë: “E doni mbrojtjen bërthamore amerikane? Atëherë duhet të paguani më shumë!”.

Ndërkohë, Andrius Kubilius, ish-presidenti i Lituanisë dhe Komisioneri i Mbrojtjes i BE-së, ka shpallur planin për 100 miliardë euro shpenzime ushtarake evropiane në 7 vitet e ardhshme. A dëshiron Brukseli të bëhet një fuqi ushtarake?

Ishte po kjo BE, që e çoi Evropën në katastrofë gjatë mandatit të parë Von der Leyen. Dhe po qe se e lejojnë, do ta përfundojë misionin në të dytin. Riarmatimi i Evropës, është një marrëzi e madhe. Në të gjitha vendet e bllokut, opinioni publik nuk e mbështet riarmatimin, dhe nuk e kupton pse duhet të përgatitemi për këtë luftë fantazmë kundër pushtuesit rus, të cilën askush nuk e sheh, përveç baltikëve dhe polakëve.

Të riarmatosemi në një kohë kur kemi ekonominë në recesion, kur energjia është më e shtrenjtë se çdo zonë tjetër të industrializuar, kur nuk jemi më në gjendje të prodhojmë çelik sepse kushton shumë nga pikëpamja energjetike, dhe të detyrohemi të sakrifikojmë ndihmën sociale për të papunët dhe të pushuarit nga puna, është një çmenduri që do ta çojë Evropën drejt një katastrofë ekonomike dhe energjetike (ne jemi tashmë atje), dhe më pas në kolaps të lidershipit dhe të qeverive (dhe mua më duket se po mbërrijnë edhe në këtë pikë).

Dhe nëse dikush mendon se për të shmangur skenarin e rrëzimit të qeverive, mjafton të anulohen zgjedhjet, atëherë do të gjendemi në të njëjtën situatë si Traktati i Varshavës në vitin 1956 në Budapest dhe në Pragë në 1968-ën. Vetëm se këtë herë Traktati i Varshavës dhe Bashkimi Sovjetik jemi ne./Përshtati "Pamfleti", marrë nga “Il Sussidiario”  

 

Lini një Përgjigje