Në një paraqitje që tejkaloi normat e zakonshme të diplomacisë formale, presidenti francez Emmanuel Macron u shfaq në Forumin Ekonomik Botëror në Davos i veshur me syze dielli aviator, një stil që shumë e krahasuan me personazhin e Tom Cruise në filmin “Top Gun”. Syzet, që sipas burimeve lidhen me një problem në syrin e tij të majtë, nuk e penguan Macron të lëshonte një mesazh alarmant për gjendjen e rendit global.
Duke folur me tone të ashpra e të qarta, presidenti francez paralajmëroi për një “zhvendosje drejt një bote pa rregulla, ku ligji ndërkombëtar po shkelet dhe ku mbizotëron ligji i më të fortit”. Ai përmendi “ambicie perandorake” që po rishfaqen, në një referencë të dukshme ndaj fuqive globale që po sfidojnë status quonë ndërkombëtare.
Macron nuk ngurroi të kritikojë edhe aleatin tradicional të Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar politikën tregtare të administratës Trump si kërcënim direkt ndaj sovranitetit të Evropës. “Marrëveshjet e arritura nën kërcënimin e tarifave minojnë eksportet evropiane dhe kërkojnë lëshime të papranueshme”, tha ai.
Ai shtoi se këto praktika përbëjnë “levë politike kundër sovranitetit territorial”, një gjuhë e fortë për një aleat i NATO-s.
Fjalimi i Macron në Davos nuk ishte thjesht një analizë diplomatike. Ai ishte një thirrje për zgjim për Evropën, për të mbrojtur veten nga tendencat autoritare dhe për të riafirmuar rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare, në një kohë kur fuqitë e mëdha po e sfidojnë hapur.
Me pamjen prej “Top Gun-i” dhe fjalët prej lideri europian që nuk kërkon të pajtohet me statusin e ri global, Macron sinjalizoi se Franca do të jetë zë kritik në arenën ndërkombëtare, mes një bote që po rrëshqet drejt kaosit të forcës.
Lini një Përgjigje