Franca planifikon t'i sigurojë Ukrainës avionë luftarakë Mirage 2000, tha presidenti Emmanuel Macron për stacionet televizive franceze.
Ai tha se sot me rastin e vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Francë si pjesë e festimeve të përvjetorit të D-Day, qeveria e tij do të njoftojë se do t'i sigurojë avionët luftarakë Ukrainës.
Ai nuk specifikoi se sa Mirazhe do të ofronte Franca, deri kur ose me çfarë kushtesh financiare. Macron tha se Franca ka propozuar që pilotët ukrainas të trajnohen në Francë duke nisur nga kjo verë. Mirage 2000 është një avion luftarak me shumë funksione, me një motor.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë rreth 225 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën në një paketë të re që përfshin municione që forcat e Kievit mund të përdorin për të goditur edhe brenda Rusisë në mbrojtjen e qytetit të Kharkiv.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti pasi ndihma nuk është shpallur ende publikisht, thanë se paketa përfshinte municione për sistemin e raketave të artilerisë Himars, si dhe sisteme mortajash dhe një sërë predhash artilerie.
Sipas një direktive të re të SHBA-së, Ukraina mund t'i përdorë këto armë për të goditur përtej kufirit në Rusi nëse forcat e atij vendi sulmojnë ose përgatiten për të sulmuar.
Ky ndryshim, megjithatë, nuk e ndryshon politikën e SHBA-së që Ukraina të mos përdorë ATACMS ose raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuar nga SHBA dhe municione të tjera për të sulmuar në mënyrë ofensive brenda Rusisë, sipas zyrtarëve amerikanë.
Lini një Përgjigje