
Me këtë deklaratë, Putin duket se goditi aleatin e tij në Ballkan, Serbinë. Rusia në tentativë për të justifikuar luftën e saj në Ukrainë, duket se është gati të pranojë pavarësinë e Kosovës.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në konferencë me gazetarët ditën e djeshme, ka folur mbi situatën në Ukrainë dhe akuzat perëndimore se Moska po përgatitet për të sulmuar NATO-n.
Duke folur sa i takon arsyes se përse Rusia vendosi që të pushtojë Ukrainën, Putin morri shembullin e Kosovës. Ai u mundua që të ngrejë paralelizma mbi luftën për pavarësinë e Kosovës dhe asaj lufte që solli aneksimin e Krimes në 2014 dhe 4 rajoneve Ukrainase vitin e kaluar.
Sipas tij, i njëjti shkak që solli ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, detyroi Rusisë të ndërhynte në Ukrainë për të çliruar sipas tij Donbasin dhe Luhanskun. Putin deklaroi se NATO ka vepruar me dy standarde në këto raste. Ai shtoi se luftën në Ukrainën nuk e nisi Rusia, por sipas tij, u nis nga grushti i shteti që u bë në Ukrainë në vitin 2014.
“Për tetë vjet, ne u përpoqëm ta zgjidhnim këtë problem në mënyrë paqësore. Tetë vjet! Në një moment, ish-kancelari më tha: “E dini, në Kosovë, NATO ka vepruar pa vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sepse në Kosovë u derdh gjak për tetë vjet”. Por kur u derdh gjak në Donbas, ajo nuk u konsiderua e rëndësishme. Për gati tetë vjet, ne nuk e njohëm pavarësinë e tyre, duke shpresuar në një zgjidhje paqësore. Kur u bë e qartë se askush nuk kishte ndërmend të respektonte marrëveshjet e paqes, çfarë të bënim ne? Ne u detyruam të përdornim forcën e armatosur për t'i detyruar ata ta bënin këtë. Ne nuk e filluam këtë luftë. Lufta filloi në vitin 2014 pas grushtit të shtetit dhe përpjekjes për të shtypur ata që nuk ishin dakord me grushtin e shtetit duke përdorur forcën”, tha Putin.
Despoti rus theksoi se shpallja e pavarësisë nga Donbasi dhe Luhansku është i ligjshëm dhe se nuk ka nevojë për njohjen e Ukrainës, sipas ligjit ndërkombëtar. Edhe për këtë, Putin mori si shembull Kosovën, duke nënkuptuar se Kosova është një shtet i pavarur, pavarësisht se nuk është njohur nga Serbia.
“Për ata që ndjekin ngjarjet dhe ligjin ndërkombëtar: çfarë bëmë më pas? Ne njohëm pavarësinë e këtyre republikave të vetëshpallura. A mund ta bëjmë këtë sipas ligjit ndërkombëtar? Sipas nenit të parë të Kartës së OKB-së, po. Është e drejta e kombeve për vetëvendosje. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se kur një territor shpall pavarësinë, nuk ka nevojë të kërkojë leje nga qeveria qendrore. Kjo është vendosur në lidhje me Kosovën. Pra, këto republika të panjohura në atë kohë - Donetsk dhe Luhansk - kishin të drejtë të shpallnin pavarësinë. Ata e bënë dhe ne kishim të drejtë t'i njihnim. Më pas ne nënshkruam një traktat me ta, i cili përfshinte ndihmën e ndërsjellë në rast agresioni”, tha Putin.
Me këtë deklaratë, Putin duket se goditi aleatin e tij në Ballkan, Serbinë. Rusia në tentativë për të justifikuar luftën e saj në Ukrainë, duket se është gati të pranojë pavarësinë e Kosovës.
Sa i takon akuzave se Rusia po përgatitet të sulmojë vende të tjera të NATO-s, Putin deklaroi se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se ,Moska nuk kërcënon askënd pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për luftën në Ukrainë.
“Pse mendoni se kërcënojmë dikë? Ne nuk kërcënojmë askënd, sidomos kreun e një shteti tjetër. Kjo do të ishte sjellje e keqe. Ne kemi qëndrimin tonë për çështje të ndryshme. Ne e dimë qëndrimin e vendeve evropiane, përfshirë atë të Republikës Federale, në lidhje me ngjarjet në Ukrainë”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje