
Evropa është e tmerruar. Donald Trump u ka rënë fort këmbanave që ajo nuk mund t’i injorojë. Ne evropianët e kemi mohuar prej kohësh gjendjen e vërtetë të marrëdhënieve tona me Amerikën. E kemi ditur shumë mirë varësinë tonë problematike nga Uashingtoni, e megjithatë s’kemi bërë asgjë për ta korrigjuar atë.
Kjo është sjellja klasike e bllokut. Kështu ndodhi edhe gjatë krizës së euros, kur udhëheqësit tanë u treguan apatikë. Dhe po sillen sërish kështu. Ndërkohë Mark Carney, e kupton nevojën për veprim. Javën e kaluar, kryeministri i ri kanadez bëri dy deklarata të rëndësishme.
Së pari, e pranoi se ka marrë fund marrëdhënia reciproke e kombit të tij me SHBA-në, e bazuar tek tregtia, investimet dhe mbrojtja. Një deklaratë shumë e prerë. Më pas, ai tha diçka tjetër me një qartësi që nuk e kam dëgjuar ende nga ndonjë lider evropian: “Ne duhet ta reduktojmë shumë varësinë tonë nga Shtetet e Bashkuara. Do të na duhet t’i përqendrojmë diku tjetër marrëdhëniet tona tregtare. Dhe do detyrohemi të bëjmë gjëra që më parë mendoheshin të pamundura dhe me një shpejtësi që nuk e kemi parë ndër breza”.
Britania e Madhe kreu një ndryshim po kaq dramatik me Brexit. Ajo ndërpreu një marrëdhënie të ngjashme dhe të thellë me BE-në. Ajo kishte dështuar të merrte vendimet e duhura politike, që anëtarësimi në bllok të funksiononte në avantazhin e saj. Por më pas nuk ia doli të bëjë zgjedhjet duhura politike për të përparuar e vetme jashtë BE-së.
Në dallim nga disa parashikime të zymta, ekonomia nuk ra, por ritmi i rritjes së saj vazhdon të jetë zhgënjyes. As Britania dhe as Evropa, nuk duket kanë nxjerrë mësimet e duhura nga Brexit. Imagjinoni sikur të kishte ndodhur në një shkallë më të madhe. Imagjinoni nëse nga klubi do ishte larguar vendi më i madh.
Nëse Gjermania do të kishte marrë vendimin për t'u larguar, e gjithë BE-ja nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të rifillonte nga e para modelin e saj. Shkëputja e SHBA-së nga siguria dhe bashkëpunimi ekonomik evropian, është në një shkallë edhe më të madhe, e megjithatë nuk ka asnjë shenjë të ndonjë rifillimi.
Amerika ka zënë një rol në arkitekturën ekonomike dhe financiare të botës, që askush tjetër nuk donte ta plotësonte. Megjithatë Trump është i vendosur ta zhbëjë këtë. Ai ka vendosur tarifa tregtare për çelikun dhe aluminin; ndaj makinave të huaja; mbi Kinën; madje edhe ndaj Meksikës dhe Kanadasë.
Duke mos qenë më i gatshëm të jetë huadhënësi kryesor i ekonomisë globale, ai tashmë po e quan të mërkurën që vjen si “Dita e Çlirimit”, kur pritet të bëjë një njoftim për të ashtuquajturat tarifa reciproke. Këto tarifa do jenë më të larta dhe më gjithëpërfshirëse, se ato që premtoi gjatë fushatës së tij zgjedhore.
I pakënaqur me shkatërrimin e ekonomisë globale, Trump ka degraduar edhe marrëdhëniet e sigurisë transatlantike. NATO do të mbetet zyrtarisht funksionale. Por natyra e pakushtëzuar e garancisë së sigurisë, siç parashikohet në nenin 5 të traktatit, është tashmë shumë e ndryshme në versionin transaksional të Trump.
Ai ka thënë vazhdimisht, se do të sigurojë mbrojtje vetëm për anëtarët e NATO-s që janë të gatshëm të përmbushin objektivin e dakorduar mbi shpenzimet e tyre në mbrojtje. Kjo u vërtetua në mesazhet e rrjedhura nga rrjeti “Signal”, në të cilat zyrtarët e administratës diskutonin mbi operacionet ushtarake sekrete.
Aspekti më shqetësues i kësaj për ne evropianët, nuk është shkelja e sigurisë, por përbuzja absolute që ata shprehën për evropianët. Unë e kam kritikuar edhe dështimin e Evropës për të përmbushur objektivat e dakorduara për shpenzimet e mbrojtjes, duke e cilësuar mentalitetin evropian si “atë të lypësit tek fqinji”.
Por kur Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, i quan evropianët “qylaxhinj” dhe kur J.D.Vance thotë se ai urren “të shpëtojë sërish Evropën, atëherë këto nuk janë thjesht komente personale. Kjo është politikë. Biseda mendohet të ketë qenë mbi sulmin e SHBA kundër rebelëve Huthi, por ata që u goditën vërtet ishin evropianët.
Çfarë duhet të bëjmë në këto kushte? Së pari, Evropa duhet të ndalojë së reaguari dhe të fillojë të veprojë. Reagimi është për humbësit. BE-ja po përgatitet të hakmerret, por mjafton të shihni se çfarë ndodhi kur Trump vendosi tarifa për çelikun dhe aluminin.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi menjëherë vendosjen e tarifave hakmarrëse të BE-së. Trump u kundërpërgjigj të nesërmen me një postim në Twitter, në të cilin ai kërcënoi me tarifa 200 për qind për verërat dhe shampanjën evropiane. Nën presionin e Francës dhe Italisë, eksportuesit më të mëdhenj të verës në Evropë, Komisioni u tërhoq menjëherë dhe i shtyu për më vonë tarifat hakmarrëse.
Ky është pra problemi kur keni teprica të mëdha dhe të vazhdueshme tregtare. Mendoni se jeni të fortë dhe të suksesshëm, por në realitet, jeni të dobët dhe të varur dhe të prekshëm ndaj politikave tregtare proteksioniste. Një suficit tregtar, do të thotë se ka shumë më shumë mallra evropiane në SHBA, sesa mallra amerikane në Evropë.
Ndaj ne do t’i konsumojmë produktet ndaj të cilave do të vendosim tarifa shumë kohë përpara se Trump ta bëjë këtë. Evropa po flet për vendosjen e tarifave për shërbimet. Dhe këtu ka disa ndikime. SHBA ka një tepricë në shërbime kundrejt Evropës. Por suficiti i mallrave të Evropës, është dy herë më i madh se deficiti i shërbimeve.
Dhe duhet të kujtojmë se ata që paguajnë tarifat janë konsumatorët. Publiku amerikan, mund të jetë më pak i mërzitur për një tarifë për një makinë gjermane, sepse ekzistojnë alternativa në tregun amerikan. Ndërkohë, konsumatorët evropianë janë investuar tërësisht në ekskluzivitetin e shërbimeve të Apple, për të cilat s’ka alternativa.
SHBA-në nuk e favorizojnë vetëm disbalancat tregtare. Në rastin më ekstrem, Amerika mund ta ndalojë qasjen e Evropës në tregjet financiare të SHBA. Ekonomia evropiane do të shembej brenda natës. Evropianët mund të flasin për “forcë dhe vetëbesim” dhe të këmbëngulin, siç bëri Robert Habeck, se nuk do të tërhiqen.
Por nuk ka asnjë skenar, në të cilin Evropa ose Kanadaja mund të fitojnë një luftë tregtare kundër SHBA-së, madje as të synojnë për një barazim. Por ata mund të ndërmarrin veprime. Mund të bëjnë atë që sugjeron Carney, dhe të ndryshojnë modelet e tyre ekonomike.
Kështu, nëse SHBA do të ndalojë blerjen e mallrave evropiane, atëherë Evropa do të duhet të blejë të sajat. Kjo nënkupton një zgjerim të llogaritur të investimeve dhe kërkesës. Shumica e saj do të duhej të vijë nga sektori privat, por sektori publik duhet ta mbështesë në mënyrë aktive. Kjo qasje, do të kërkonte një rikalibrim të plotë të ekonomisë së bllokut: taksa më të ulëta, ndoshta një tejkalim i përkohshëm të nivelit të huamarrjes publike, por kryesisht më shumë reduktim të rregulloreve për t’i dhënë frymëmarrje sipërmarrjes.
Kjo është ajo që duhet të kishte bërë pas Brexit Britania e Madhe, dhe nuk e bëri. BE-ja, ndoshta me ndihmën e Kanadasë, duhet të fillojë të promovojë euron si një rival të dollarit. Kjo do të kërkonte një rimendim të mënyrës se si Evropa e drejton politikën ekonomike.
Në vend se të tregtojë suficitin ndaj pjesës tjetër të botës, Evropa duhet të përpiqet të plotësojë rolin që SHBA po braktis nën qeverisjen e Trump, dhe të fillojë të importojë më shumë sesa eksporton. Në teori e gjithë kjo është e mundur. Por mjerisht, nuk po e shoh të ndodhë.
Mjafton të shihni reagimin në Britani, pasi qeveria laburiste bëri disa shkurtime të vogla në sistemin e mirëqenies sociale, kryesisht për pagesën e atyre me aftësi të kufizuar. Evropianët kanë sisteme gjithëpërfshirëse të mirëqenies, si Kredia Universale në Britani apo të ardhurat e qytetarëve në Gjermani.
SHBA shpenzon shumë më pak për këto lloj transferimesh sociale sesa evropianët. Aty ku evropianët kanë bonus për strehimin, amerikanët kanë strehimore dhe tallone ushqimore. Carney ka të drejtë kur thotë se transformimi ekonomik i kërkuar nga situata, është përtej çdo gjëje që kemi parë në breza.
Por unë dyshoj nëse qeveritë evropiane të koalicioneve, dhe parlamentet e fragmentuara kanë vullnetin politik dhe shumicën për të ofruar një ndryshim të tillë. Evropa që unë njoh është komode, por e ndarë, një kombinim jo i favorshëm për ndryshim. Mendoj se ka më shumë gjasa që evropianët të dështojnë sërish të ngrihen në këmbë.
Ata mund ta shohin më të leverdishme t’i paguajnë Trumpit paratë e mbrojtjes që kërkon, si një parakusht për garancitë e sigurisë. Me kalimin e viteve, evropianët do të bëhen më të varfër, dhe dollari do të mbetet monedha kryesore botërore. Me fjalë të tjera: Trump do të fitojë.
Ata evropianë që rreshtohen më fort në krah të Trumpit, janë të njëjtët që do të kundërshtojnë veprimet e nevojshëm që do të na bëjnë më të pavarur nga ai. Ata do të kundërshtojnë shpenzimet më të larta në mbrojtje, shpenzimet më të ulëta të mirëqenies sociale, taksat më të ulëta, pakësimin e rregulloreve për t’i lejuar brezat e rinj të sipërmarrësve të zënë vendin e tyre.
Në nivelin e BE-së, ata do të kundërshtojnë heqjen e barrierave të brendshme për tregun e përbashkët dhe ndryshimin nga qasja e zero emetime të gazrave karbonikë në atmosferë, qeverisjes së korporatave dhe legjislacionit mbi teknologjinë dixhitale, që është bërë një barrë e madhe për kompanitë evropiane.
Kur Trump të bëjë njoftimin e tij të madh të mërkurën, unë pres që evropianët ose të bërtasin dhe të bëjnë kërcënime boshe, ose të bien në depresion. Dhe të gjithë do të përqendrohen tek Trumpi si individ. Por ajo që ata duhet të bëjnë, është ta nxjerrin Trumpin nga tabloja dhe të fillojnë të ndërmarrin veprime.
Kryeministri i Kanadasë, ka avantazhin se është një hap përpara Evropës. Ai e ka pranuar përmasën e madhe të sfidës, dhe po mendon se çfarë të bëjë më tej. Ndërkohë, evropianët janë të bllokuar në një qorrsokak të mbushur me reliket e të kaluarës./Pamfleti nga ”Unherd”
Lini një Përgjigje