
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia e sheh kandidaten demokrate për president të SHBA-së, Kamala Harris, si një kundërshtare më të parashikueshme se sa republikani Donald Trump.
Megjithëse në çdo rast Moska nuk sheh asnjë perspektivë për përmirësimin e marrëdhënieve me Uashingtonin.
Në një intervistë me Pavel Zarubin, një gazetar i afërt me Kremlinin, Peskov duket se hodhi poshtë deklaratën e Trump se ai mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda një dite nëse do të rizgjidhej president në zgjedhjet e nëntorit në SHBA.
“Ne nuk preferojmë asnjë kandidat. Por, sigurisht, demokratët janë më të parashikueshëm. Dhe ajo që Putin tha për parashikueshmërinë e Biden vlen për pothuajse të gjithë demokratët, duke përfshirë edhe znj. Harris”, u shpreh Peskov.
Edhe pse ata kanë deklaruar se zgjedhjet presidenciale në SHBA janë një çështje e brendshme e SHBA-së, Putin dhe Peskov kanë shprehur pikëpamje të ndryshme për të në periudha të ndryshme.
Në shkurt, Putin lavdëroi Biden për parashikueshmërinë e tij, por gjithashtu preku çështjen e ndjeshme të aftësisë së tij mendore, që dukej se ishin përçmuese për presidentin amerikan.
Në qershor, presidenti rus tha se Moskës nuk i interesonte se kush do të ishte presidenti i ardhshëm i SHBA-së, por theksoi se sistemi gjyqësor amerikan po përdorej qartë për të dëmtuar politikisht Trump.
Peskov, në intervistën e transmetuar sot, theksoi se hapat e ndërmarra nga SHBA për të “cenuar interesat e vendit tonë” kanë tejkaluar kufijtë e pranueshëm.
“Marrëdhëniet dypalëshe janë në nivelin më të ulët historik, pa asnjë perspektivë për një fillim përmirësimi”, tha ai.
Zëdhënësi i Kremlinit vuri në dukje gjithashtu se nuk ka “shkop magjik” për të zgjidhur luftën në Ukrainë brenda natës, ashtu si premtoi Trump.
Lini një Përgjigje