TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Mars 2026, 12:57

Lufta në Iran, Mitsotakis 'hap thesin' për qytetarët dhe bizneset: 300 mln euro ndihmë, do mbajmë çmimet nën kontroll

Shkruar nga Pamfleti

Lufta në Iran, Mitsotakis 'hap thesin' për qytetarët

Qeveria greke ka prezantuar një paketë masash ekonomike me vlerë rreth 300 milionë euro, me qëllim përballimin e rritjes së çmimeve, veçanërisht të karburanteve, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis bëri të ditur se ndërhyrja synon të lehtësojë drejtpërdrejt barrën për qytetarët dhe bizneset.

Një nga masat kryesore lidhet me uljen e çmimit të naftës. Shteti do të subvencionojë me 16 cent për litër në rrjetin e shpërndarjes, çka përkthehet në rreth 20 cent më pak për konsumatorët.

Paralelisht, familjet do të përfitojnë një kartë dixhitale karburanti, e përdorshme në pikat e furnizimit, transportin publik dhe taksi. Nga kjo skemë, një familje mesatare pritet të përfitojë rreth 50 euro çdo dy muaj, ndërsa në ishuj kjo shumë arrin deri në 60 euro. Skema synon të përfshijë rreth 3 nga 4 milionë pronarë automjetesh.

Mbështetje edhe për sektorët ekonomikë

Paketa përfshin edhe masa për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Fermerët do të përfitojnë subvencion prej 15% për blerjen e plehrave kimike, ndërsa kompanitë e trageteve do të kompensohen, me kusht që të reflektojnë ulje në çmimet e biletave.

Sipas qeverisë, qëllimi është të frenohet efekti zinxhir i rritjes së çmimeve, nga prodhimi deri te konsumatori.

Financimi dhe qëndrimi i qeverisë

Për financimin e paketës, qeveria greke parashikon edhe ndryshime në taksimin e fitimeve nga lojërat e fatit online, me synim sigurimin e rreth 100 milionë eurove shtesë.

Kryeministri Mitsotakis i cilësoi këto masa si një “mburojë” për qytetarët dhe bizneset në një periudhë pasigurie globale.

“Meqenëse askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo luftë, ne padyshim që po mbajmë rezerva në rast se situata ekonomike globale përkeqësohet ndjeshëm. Mesazhi ynë, pra, është një: qeveria mbetet dhe do të mbetet në krah të çdo burri dhe gruaje greke, siç ka bërë në çdo moment të vështirë deri më tani. Ndërsa atdheu ynë do të kapërcejë përsëri të gjitha stuhitë e shkaktuara nga ngjarjet përtej kufijve të tij, duke pasur si armë të përditshme unitetin dhe kohezionin shoqëror. Në kohë të pasigurta, atdheu ka nevojë për një busull të qëndrueshme në orientimin e tij”, tha Mitsotakis.

1 Komente

  1. H
    Hini

    Bravo mendojne per shtetasit e tyre. Rama dhe qeveria vetem vjedhin

    Lini një Përgjigje