Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi mbrëmjen e së dielës se ka ardhur koha që Europa të përcaktojë se kush do ta përfaqësojë në negociatat e mundshme të paqes me Rusinë.
Pas një bisede me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, Zelensky tha se të dy ranë dakord që “Europa duhet të përfshihet në negociata” dhe të ketë “një zë dhe prani të fortë në këtë proces”.
“Vlen të përcaktohet se kush do ta përfaqësojë Europën në mënyrë specifike,” deklaroi ai.
Megjithatë, zgjedhja e një përfaqësuesi të vetëm nuk pritet të jetë e lehtë.
Edhe pse Bashkimi Evropian ka disa figura të larta institucionale, përfshirë presidentin e Komisionit Evropian, presidentin e Këshillit Evropian dhe presidentin e Parlamentit Evropian, ende nuk ekziston një figurë unike që do të ishte kandidati i qartë për negociata të ndërlikuara me Moskën.
Ndërkohë, sugjerimi ironik i presidentit rus Vladimir Putin për ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder, i njohur për lidhjet e tij me Moskën, u hodh poshtë menjëherë.
Megjithatë, vendet evropiane pritet të reflektojnë mbi atë se kush mund të përfaqësojë interesat e tyre nëse dhe kur bisedimet arrijnë në një fazë konkrete.
Lini një Përgjigje