Midis kandidatëve të mundshëm janë Merkel, Ninisto dhe Draghi. Schröder dhe Kallas përjashtohen. Por frika për një bllof të madh nga Putini është një tjetër skenar real.
Presidenti rus Vladimir Putin sugjeroi gjatë fundjavës që Gerhard Schröder, i cili ishte kancelar gjerman nga viti 1998 deri në vitin 2005, mund të përfaqësonte vendet evropiane në bisedimet e paqes. Schröder më parë ka mbajtur role me kompanitë shtetërore ruse të energjisë.
Por kyediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, thotë se ish-kancelari gjerman është i papërshtatshëm për të përfaqësuar Evropën në çdo bisedime paqeje për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
"Së pari, nëse i japim të drejtën Rusisë të emërojë një negociator në emrin tonë, kjo nuk do të ishte shumë e mençur", tha Kallas gjatë rrugës për në një takim të ministrave të jashtëm në Bruksel.
Por deklaratat e fundit të presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, kanë rikthyer në qendër të debatit mundësinë që Bashkimi Evropian të përgatitet për negociata të ardhshme me Rusinë.
Costa tha se BE-ja po përgatitet për një dialog të mundshëm me Moskën, duke saktësuar më pas se kjo mund të ndodhë “në momentin e duhur”, një formulim që u interpretua si përpjekje për të mos e bërë të afërt këtë skenar.
Menjëherë pas kësaj deklarate reagoi presidenti rus Vladimir Putin, i cili përmendi ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder si një nga figurat që do të preferonte si negociator me Evropën. Putin tha se Evropa duhet të zgjedhë një lider “të besueshëm” dhe që nuk ka mbajtur qëndrime “negative” ndaj Rusisë. Një profil i tillë duket se përjashton menjëherë vetë Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, e njohur për qëndrimet e saj të ashpra ndaj Kremlinit.
Sipas Corrire della Sera, në Bruksel po rikthehet kështu ideja e emërimit të një ndërmjetësi ose të dërguari special për Rusinë. Tema ishte diskutuar edhe në janar, pas deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili kishte folur për nevojën e rifillimit të dialogut me Putinin. Një linjë që është mbështetur edhe nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Megjithatë, burime diplomatike evropiane theksojnë se deri tani nuk ka pasur diskutime zyrtare në institucionet përkatëse të BE-së dhe gjithçka mbetet në nivel spekulimesh. Sipas tyre, Kremlini ende nuk po tregon vullnet real për një armëpushim afatgjatë apo për arritjen e paqes.
Fakti që Costa iu bashkua liderëve që kanë ngritur publikisht këtë çështje konsiderohet domethënës, sidomos duke pasur parasysh se ndaj Putinit ekziston një mandat arresti ndërkombëtar. Për disa vende anëtare të BE-së, veçanërisht shtetet baltike, çdo hapje ndaj Moskës mbetet e papranueshme.
Në këtë kontekst është rikthyer edhe deklarata e ministrit të Jashtëm italian Antonio Tajani, i cili ka thënë më herët se “paqja bëhet me armikun, jo me të huajin”.
Sipas burimeve diplomatike, emrat që po qarkullojnë për rolin e negociatorit janë kryesisht ish-presidentë apo ish-kryeministra, figura me peshë të lartë diplomatike që mund të dialogojnë në të njëjtin nivel me Putinin. Përveç pranueshmërisë nga Rusia, kandidati duhet të jetë i pranueshëm edhe për Shtetet e Bashkuara, çka e ngushton ndjeshëm listën.
Një tjetër çështje e hapur është mandati i këtij negociatori: kush do ta emërojë dhe në emër të kujt do të flasë? Për momentin nuk ka ende një profil të qartë të rolit.
Mes emrave të përfolur është ish-presidenti finlandez Sauli Niinistö, i cili flet rusisht dhe para pushtimit të Ukrainës kishte komunikim të drejtpërdrejtë me Putinin. Gjithashtu përmendet edhe presidenti aktual finlandez Alexander Stubb, i cili konsiderohet se ka marrëdhënie të mira me presidentin amerikan Donald Trump, falë asaj që mediat e kanë quajtur “diplomacia e golfit”.
Në diskutime është përfshirë edhe emri i ish-kancelares gjermane Angela Merkel, e cila gjithashtu flet rusisht, megjithëse raportet e saj problematike me Trump për projektin Nord Stream 2 krijojnë rezerva.
Në muajt e fundit është përmendur edhe ish-kryeministri italian Mario Draghi, emër i propozuar nga nënsekretari italian Giovanbattista Fazzolari. Edhe pse shumë i vlerësuar në Bruksel, Draghi perceptohet më shumë si figurë teknike.
Për momentin një gjë duket e sigurt: kandidatura e Schröder nuk konsiderohet reale. Megjithatë, në korridoret evropiane po rritet bindja se po afrohet momenti kur BE-ja do të duhet të krijojë ekipin e saj për negociatat e mundshme mes Ukrainës dhe Rusisë./ Pamfleti
Pervecse plumbin ballit, agje tjeter nuk meriton Putin. Kjo tregon qe edhe Europa po i nenshtrohet Putin ashtu si Trump. Te mendohej mire Europa kur ndertoi ekonomine e saj me naften e rusit