TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Maj 2026, 08:07

Mes frikës për Rusinë, NATO nis stërvitjen më të madhe të forcave speciale

Shkruar nga Pamfleti
Mes frikës për Rusinë, NATO nis stërvitjen më të
Stërvitja e NATO-s

“Trojan Footprint 2026” përfshin 3 mijë trupa elitare në 10 vende europiane ndërsa administrata Trump redukton praninë ushtarake në kontinent...

NATO po zhvillon stërvitjen më të madhe të forcave speciale në Europë, në një kohë kur administrata e Donald Trump po ul mbështetjen ushtarake për aleatët europianë.

Stërvitja 10-ditore, e quajtur “Trojan Footprint 2026”, përfshin operacione në 10 vende dhe synon të testojë reagimin e aleancës ndaj infiltrimeve, sabotimeve dhe sulmeve kibernetike nga një armik i paidentifikuar, që konsiderohet gjerësisht si referencë ndaj Rusisë.

Rreth 3 mijë trupa elitare nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe 22 vende të tjera marrin pjesë në operacionet stërvitore në tokë, det dhe ajër, që zhvillohen në rajonin e Mesdheut, Detit Baltik dhe Detit të Zi.

Kontributi i madh amerikan në këtë stërvitje nxjerr në pah rolin kyç të Uashingtonit në mbrojtjen e territorit europian dhe njëkohësisht tregon sa e ekspozuar do të ishte NATO nëse SHBA do të reduktonte më tej praninë ushtarake në Europë, siç ka paralajmëruar presidenti Trump.

Sipas raportimit të Sky News, të shtunën në mbrëmje personel ushtarak amerikan realizoi një operacion ajror pranë brigjeve të Greqisë. Dy gomone ushtarake të lidhura me parashuta u hodhën nga një avion transportues amerikan C-130, ndërsa më pas dy valë me forca speciale amerikane dhe greke, gjithsej 15 ushtarë, u hodhën me parashutë në det.

Pas uljes, trupat rikuperuan mjetet lundruese, i frynë dhe lëvizën drejt bregut për të simuluar një operacion kundër një baze armike. Në skenar, forcat speciale kishin për detyrë të neutralizonin ose kapnin një objektiv me rëndësi të lartë që dyshohej se po koordinonte operacione destabilizuese.

Mes frikës për Rusinë, NATO nis stërvitjen më të

Operacioni përdori dronë, pajisje të shikimit natën dhe sisteme të tjera moderne armësh.

Një ushtar grek i forcave speciale, që mori pjesë në kërcimin me parashutë dhe foli në kushte anonimiteti për arsye sigurie, tha se stërvitje të tilla janë të dobishme për përgatitjen ndaj kërcënimeve reale.

Duke komentuar bashkëpunimin me trupat amerikane, ai deklaroi se ndihej “shumë afër” me homologët amerikanë. I pyetur nëse një mision i tillë mund të realizohej pa mbështetjen e SHBA-së, ai u përgjigj: “Po, sigurisht.”

Në stërvitje marrin pjesë edhe ushtarë nga Regjimenti Ranger i Britanisë, i klasifikuar si forcë operacionesh speciale, megjithëse jo në nivelin elitë të SAS apo SBS.

Pjesë e operacionit janë edhe vende partnere jashtë NATO-s, përfshirë Zvicrën dhe Gjeorgjinë.

Stërvitja zhvillohet ndërsa shqetësimet në Europë për angazhimin e Donald Trump ndaj mbrojtjes së aleatëve janë shtuar. Pentagoni ka anuluar një plan për dërgimin me rotacion të përkohshëm të 4 mijë ushtarëve në Poloni dhe vende të tjera të Europës Lindore, përfshirë shtetet baltike dhe Rumaninë.

Gjithashtu është anuluar edhe një dislokim më i vogël në Gjermani. Këto masa pasojnë vendimin e administratës Trump për të tërhequr 5 mijë trupa amerikane nga Gjermania gjatë 12 muajve të ardhshëm.

 

nato stervitja trupa

Lini një Përgjigje