TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Prill 2026, 16:54

Lufta e Trumpit në Iran, një aventurë ushtarake tipike që i rrëzon perandoritë

Shkruar nga Alfred Mccoy

 Lufta e Trumpit në Iran, një aventurë ushtarake tipike që i

Historia na mëson se fuqitë e mëdha rrëzohen më shpejt kur liderët e tyre tentojnë të kompensojnë kalbëzimin e brendshëm me agresion të jashtëm. Nëse SHBA nuk nxjerr mësime nga këto katastrofa, ajo mund të përfundojë si një tjetër kapitull i mbyllur në librat e historisë globale...

Mësimet e historisë janë të pamëshirshme për koston që “fiaskoja mikro-ushtarake” e Trump-it po i sjell një vendi tashmë në rënie perandorake. Duke shkruar më shumë se 2.000 vjet më parë, historiani grek Plutarku na dha një përshkrim elokuent të asaj që historianët modernë e quajnë “mikro-militarizëm”.

Ky fenomen ndodh kur një fuqi perandorake, e vetëdijshme për zbehjen e autoritetit të saj, reagon emocionalisht duke ndërmarrë goditje ushtarake që në dukje ngjajnë të guximshme, por që në thelb janë akte dëshpërimi për të rikthyer një madhështi që po u rrëshqet nga duart.

Megjithatë, në vend të fitoreve që perandoria korrte në kulmin e saj, këto aventura vetëm sa përshpejtojnë rënien. Ato zhveshin aureolën e pathyeshmërisë dhe zbulojnë kalbëzimin moral e strukturor brenda elitës sunduese.

Ka gjithnjë e më shumë prova se Amerika është një perandori në rënie të theksuar, ndërsa lufta e zgjedhur e presidentit Donald Trump kundër Iranit po shndërrohet në atë lloj katastrofe mikro-ushtarake që ka shkatërruar perandoritë gjatë 2.500 viteve të fundit.

Në thelbin e këtyre vendimeve fatkeqe qëndron shpesh një lider problematik, i lindur në pasuri dhe i rrethuar nga prestigji, mangësitë personale të të cilit pasqyrojnë irracionalitetet e sistemit.

Gjatë kësaj spiraleje demoralizuese, ushtritë perandorake mund të gabojnë duke e futur vendin në aventura të kushtueshme dhe që më pas shoqërohen me përpjekje psikologjike për të zbutur humbjen e fuqisë përmes shfaqjes së forcës imponuese.

Edhe pse këto ndërhyrje shpesh zgjedhin objektiva strategjikisht të paqëndrueshëm, presionet mbi liderët janë aq të forta sa që ata vënë në rrezik prestigjin e të gjithë kombit në aventura të tilla.

Humbja e Athinës në Siçili në vitin 413 Para Erës Sonë

Athina ishte një perandori e fuqishme, por e lodhur nga sfida e vazhdueshme e Spartës. Në portin e Pireut, lajmi për një katastrofë në Siçilinë e largët u përhap me shpejtësi si zjarri. Dy vite më herët, aristokrati Nikias - një lider që përdorte pasurinë e tij për të blerë popullaritet përmes spektakleve - i kishte bindur qytetarët të sulmonin Sirakuzën.

Qëllimi ishte të gjymtohej Sparta dhe të rikthehej hegjemonia. Në vend të triumfit, u asgjësua flota prej 200 anijesh dhe 12.000 ushtarësh. Ushtarët e mbijetuar u mbajtën si skllevër nëpër gurore. Athina nuk u rimëkëmb më kurrë. Ishte fundi i epokës së artë athinase, i shkaktuar nga një mbivlerësim tragjik i forcës ushtarake në një terren të panjohur.

Katastrofa e Portugalisë në Marok

Në vitin 1578, Portugalia ishte qendra e tregtisë globale të Oqeanit Indian. Mbreti i ri Sebastian, një udhëheqës kokëfortë dhe fanatik, e bindi elitën ta ndiqte në një kryqëzatë drejt Marokut për të goditur rivalët myslimanë. Ai besonte se një goditje e vetme do të mjaftonte për të siguruar dominimin e krishterë.

Në betejën e Alcacer Quibir, ushtria portugeze u masakrua: 8.000 të vrarë dhe 15.000 të kapur rob. Kjo humbje nuk shkatërroi vetëm ushtrinë, por edhe stabilitetin e shtetit. Pa një trashëgimtar dhe me burime të shteruara, Portugalia u gllabërua nga Spanja për 6 dekada.

Hegjemonia tregtare portugeze u zhduk, duke i lënë vendin fuqive të tjera evropiane.

Fatkeqësia e Spanjës në malet Atlas

Në vitin 1920, Madridi po përpëlitej nën peshën e humbjes së kolonive të fundit. Në një përpjekje dëshpëruese për “rigjenerim kombëtar”, Spanja tentoi të zgjeronte kontrollin në Marok. Rezultati ishte beteja e Annual, ku 12.000 ushtarë spanjollë u vranë nga rebelët berberë.

Spanja nuk u tërhoq, por dërgoi edhe 125.000 trupa të tjera, duke përdorur armë kimike në një luftë brutale. Megjithatë, kostoja financiare dhe demoralizimi i ushtrisë e shkatërruan politikën e brendshme. Kjo çoi drejtpërdrejt në diktaturën e Primo de Riveras, e më pas në tmerret e Luftës Civile Spanjolle dhe dekadave të izolimit nën regjimin e Frankos.

Fundi i Perandorisë Britanike në Suez

Në vitin 1956, Britania u përpoq të provonte se ishte ende një fuqi e dorës së parë. Kur Gamal Abdel Nasser shtetëzoi Kanalin e Suezit, kryeministri Anthony Eden, i fiksuar pas imazhit të një lidershipi të fortë, ndërmori një sulm ushtarak sekret në bashkëpunim me Francën dhe Izraelin.

Ushtarakisht, operacioni ishte i suksesshëm, por politikisht ishte një vetëvrasje. SHBA-ja

dhe FMN-ja ushtruan presion ekonomik, duke e kërcënuar monedhën britanike. Britania u detyrua të tërhiqej me turp. Kjo krizë nxori në pah faktin se Britania nuk mund të vepronte më pa lejen e Uashingtonit, duke shënuar fundin e pakthyeshëm të Perandorisë Britanike si një forcë globale autonome.

Humbja e Amerikës në Ngushticën e Hormuzit

Data 28 shkurt 2026 mund të mbetet në histori si “momenti i Suezit” për Amerikën. Pas viteve të tëra sanksionesh dhe tensionesh, Donald Trump urdhëroi sulmin ndaj Iranit.

Në fillim, teknologjia superiore amerikane shkatërroi bazat ajrore dhe qendrat e komandimit iranian.

Por suksesi ishte jetëshkurtër. Irani reagoi me një luftë asimetrike, duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit. Çmimet e naftës u rritën në stratosferë, duke shkaktuar një recesion global të menjëhershëm. Të tmerruar nga pasojat ekonomike, aleatët evropianë dhe aziatikë u distancuan nga Uashingtoni.

Edhe nëse SHBA-ja e arrin një lloj fitoreje taktike përmes bombardimeve, ajo tashmë e ka humbur luftën për lidership global. Legjitimiteti i SHBA-së si garantues i stabilitetit botëror është thërrmuar. Në këtë boshllëk, Kina po paraqitet si një alternativë më e matur dhe e qëndrueshme.

Ashtu si Britania në Suez, edhe Amerika po paguan një çmim të papërballueshëm për këtë aventurë mikro-ushtarake. Kur kjo krizë të përfundojë, do të bëhet e qartë se epoka e “Pax Americana”-s ka marrë fund, duke i lënë vendin një rendi të ri global, ku fuqia amerikane nuk është më boshti qendror./Pamfleti nga “Asia Times”

Shënim: Alfred W.Mccoy, profesor historie në Universitetin e Wisconsin-Madison, SHBA.

lufta e trump në iran aventurë ushtarake

1 Komente

  1. l
    lufta dhe paqia

    1. It is an opinion, not a neutral assessment. McCoy is known for writing about imperial decline and U.S. global power. His argument fits his long-standing thesis. 2. The historical examples he uses are real, but the interpretation—that they form a universal pattern that applies to the U.S.—is debated among historians. 3. Other analysts disagree with the idea that the U.S. is in irreversible decline or that the Iran conflict mirrors ancient or colonial cases. Many argue that modern geopolitics, alliances, technology, and economic structures make such analogies limited. 4. The article is explicitly framed as a warning, not a neutral historical study. It uses strong language about “moral rot,” “imperial decline,” and “problematic leaders,” which signals a clear editorial stance.

    Lini një Përgjigje