CIA ndihmoi në trajnimin e një gjenerate të re spiunësh ukrainas që punonin në Rusi, Evropë, Kubë dhe vende ku rusët kanë një prani të madhe...
Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA) ka12 baza sekrete në Ukrainë, përgjatë kufirit me Rusinë, raportoi New York Times, duke cituar më shumë se 200 intervista me zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë në Ukrainë, SHBA dhe Evropë.
Sipas pretendimeve, ukrainasit dhanë informacione te amerikanët para luftës, po ashtu dhe falë përgjimeve, u vërtetua se ishin përfshirë rusët në rrëzimin e aeroplanit të Malaysia Airlines në vitin 2014.
Ukrainasit ndihmuan gjithashtu amerikanët të ndjekin penalisht agjentët rusë që dyshohet se ndërhynë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016.
Rreth vitit 2016, CIA filloi trajnimin e një force elite ukrainase, Njësia 2245, e cila sekuestroi dronët rusë dhe pajisjet e komunikimit, në mënyrë që teknikët e CIA-s të mund t'i çmontonin dhe të thyenin sistemet e kriptimit të Moskës.
Sipas NYT, një nga zyrtarët e asaj njësie është shefi i shërbimit të inteligjencës ushtarake - Kirilo Budanov.
CIA gjithashtu ndihmoi në trajnimin e një gjenerate të re spiunësh ukrainas që punonin në Rusi, Evropë, Kubë dhe vende ku rusët kanë një prani të madhe.
“Tani këto rrjete të inteligjencës janë më të rëndësishme se kurrë, në një kohë kur Rusia është në ofensivë dhe Ukraina po mbështetet më shumë në sabotazhet dhe sulmet me raketa me rreze të gjatë që kërkojnë spiunë pas linjave të armikut. Dhe ata janë në rrezik të madh. Nëse republikanët në Kongres i japin fund ndihmës ushtarake për Kievin, CIA-s do t'i duhet të shkurtojë rrjetin", shkruan NYT.
Në një përpjekje për të bindur udhëheqësit ukrainas, William Burns, drejtori i CIA-s, bëri një vizitë sekrete në Ukrainë të enjten, vizita e tij e 10-të që nga fillimi i sulmit rus. NYT thekson më tej se partneriteti midis CIA-s dhe Shërbimit Informativ të Ukrainës (DIU) filloi në vitin 2014, kur ish-presidenti Viktor Janukoviç dezertoi në Rusi.
Ky bashkëpunim u propozua nga Valentin Nalivaichenko, i cili u bë kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SSU). Ligji amerikan ndalon agjencitë e inteligjencës që t'i ofrojnë Ukrainës çdo mbështetje që mund të pritet të ketë "pasoja vdekjeprurëse".
Megjithatë, vijat e kuqe nuk u përcaktuan kurrë qartë, gjë që krijoi tension të vazhdueshëm në partneritet.
Në Kiev, Nalivaichenko zgjodhi një ndihmës për një kohë të gjatë,, gjeneralin Valery Kontratyuk, për të kryesuar DIU-në dhe ata krijuan një njësi të re paraushtarake të vendosur pas linjave ruse, për të kryer operacione dhe për të mbledhur informacione në vende që CIA dhe MI6 nuk mund të hynin.
Pas incidentit që ndodhi kur grupi i Budanovit hyri në Krime në vitin 2016, amerikanët u zemëruan shumë dhe kërcënuan se do t'i jepnin fund programit.
Pas kësaj, kreu i CIA-s në atë kohë, John Brennan, thirri gjeneralin Kondratyuk për të theksuar se ku ishin vijat e kuqe. Gjenerali u mërzit. "Kjo është lufta jonë, ne duhet të luftojmë", u përgjigj gjenerali, sipas kolegut të tij.
NYT raporton se reagimi i Uashingtonit i kushtoi Kondratyuk pozicionin e tij. NYT shton se gjatë mandatit të Presidentit Donald Trump, CIA dhe DIU zgjeruan bashkëpunimin e tyre duke përfshirë programe të specializuara trajnimi dhe ndërtimin e bazave sekrete shtesë.
Shtohet se marrëdhënia ishte aq e suksesshme sa CIA donte të zbatonte një marrëdhënie të tillë me shërbimet e tjera të inteligjencës evropiane, që ndajnë interesa të përbashkëta për t'u përballur me Rusinë. Kreu i "Shtëpisë Ruse", departamenti i CIA-s që mbikëqyr operacionet kundër Rusisë jashtë vendit, organizoi një takim sekret në Hagë.
Përfaqësuesit e CIA-s, MI6-së britanike, DIU-së, shërbimit holandez dhe agjencive të tjera ranë dakord të përpilojnë informacionin që ata kishin për Rusinë. Si rezultat, u krijua një koalicion i fshehtë kundër Rusisë dhe ukrainasit ishin anëtarë të rëndësishëm.
Duke filluar nga nëntori i vitit 2021, CIA dhe MI6 u dërguan mesazhe homologëve të tyre ukrainas se Rusia po përgatitej për një sulm tokësor, për të rrëzuar qeverinë ukrainase dhe për të instaluar njerëzit e saj në Kiev, të cilët do të punonin nën urdhrat e Kremlinit. Të dhënat e inteligjencës renditnin emrat e zyrtarëve ukrainas, të cilët rusët dyshohet se kishin planifikuar t'i vrisnin ose kapnin, si dhe ukrainas të cilët Kremlini shpresonte t'i vendoste në pushtet.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe disa nga këshilltarët e tij të lartë "dukeshin të painteresuar", edhe pasi drejtori i CIA-s Burns udhëtoi në Kiev në janar 2022 për t'i informuar ata. Ndërsa sulmi rus po afrohej, zyrtarët e CIA-s dhe MI6 vizituan Kievin dhe u takuan me homologët e tyre ukrainas. Një nga zyrtarët e MI6 u shpërtheu në lot para ukrainasve, nga frika se rusët do t'i vrisnin, sipas NYT.
Në atë kohë, "barrierat e vjetra ranë dhe Shtëpia e Bardhë lejoi agjencitë e spiunazhit të siguronin më shumë informacion për operacionet vdekjeprurëse kundër forcave ruse në tokën ukrainase", thuhej në artikullin e gazetës New York.
Artikulli citon gjithashtu një zyrtar të lartë ukrainas të ketë thënë se në të paktën një rast, CIA ndau informacione me Ukrainën që ndihmoi në parandalimin e një komploti kundër Zelensky.
Më vonë, disa oficerë të CIA-s u dërguan në bazat ukrainase. Ata shqyrtuan listat e objektivave të mundshëm rusë që ukrainasit po përgatiteshin për të goditur, duke krahasuar informacionin ukrainas me informacionin amerikan për të konfirmuar saktësinë e tyre. /Pamfleti
Lini një Përgjigje