
Ekipi i Alexei Navalny ka pretenduar se politikani i opozitës ruse u vra qëllimisht me urdhër të Presidentit Vladimir Putin gjatë një shkëmbimi të burgosurish. Sipas tyre, ai mund të lirohej gjatë këmbimit me një vrasës të FSB-së të burgosur në Gjermani.
Sipas Politico, në një video të publikuar në YouTube, aleatja e ngushtë e politikanit të opozitës, Maria Pevchikh tha se pas muajsh lobimi për një shkëmbim të të burgosurve që përfshin Navalny, “në pranverën e vitit të kaluar, plani ynë u miratua”.
“Navalny duhej të ishte i lirë në ditët në vijim sepse kishim marrë një vendim për shkëmbimin e tij”, tha ajo.
Pevchikh shtoi se miliarderi rus Roman Abramovich kishte vepruar si një ndërlidhës personal midis zyrtarëve perëndimorë dhe Putinit në ndërmjetësimin e marrëveshjes.
Pevchikh theksoi se marrëveshja përfshinte Vadim Krasikov, një agjent i FSB-së i burgosur në Gjermani për vrasjen e një ish-komandant çeçen në vitin 2019, dhe “dy shtetas amerikanë”.
Aleatja e Navalny-t shtoi se ajo kishte marrë konfirmimin se një shkëmbim i tillë do të ndodhte, por besonte se Putini më pas ndryshoi mendje.
“Është absolutisht e palogjikshme, irracionale, është sjellje e një mafiozi të çmendur. Por çështja është se Putini është çmendur nga urrejtja për Navalny”, tha ajo.
Kremlini nuk komentoi menjëherë mbi akuzat e ekipit të Navalny.
Më 16 shkurt, një ditë pasi Pevchikh pretendoi se kishte marrë konfirmimin se marrëveshja ishte “në fazat e saj përfundimtare”, u raportua se Navalny vdiq pas një shëtitje në burgun ku mbahej në veri të rrethit Arktik.
Lini një Përgjigje