TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Mars 2026, 13:45

“Lufta do të mbyllet së shpejti”, Trump: Në Iran nuk ka më asnjë objektiv për t’u sulmuar

Shkruar nga Pamfleti
“Lufta do të mbyllet së shpejti”, Trump: Në Iran nuk
Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar sërish se lufta kundër Iranit mund të marrë fund së shpejti, duke theksuar se shumica e objektivave ushtarake janë goditur tashmë.

“Nuk ka pothuajse më objektiva për t’u sulmuar”, u shpreh Trump, duke shtuar se përfundimi i konfliktit varet nga vendimi i tij.

Sipas presidentit amerikan, forcat e SHBA-ve kanë bombarduar mbi 5 mijë objektiva në territorin iranian. Në mesin e tyre përfshihen qendrat e komandës së Gardës së Revolucionit, sistemet e mbrojtjes ajrore, lëshuesit e raketave, objektet që lidhen me programin bërthamor, si dhe anije dhe aeroporte ushtarake. Ai shtoi se janë goditur edhe seli të drejtuesve politikë dhe fetarë.

Ndërkohë, sipas raportimeve, Ajatollah Ali Khamenei ka mbetur i vrarë në një nga sulmet, ndërsa pasardhës i tij është emëruar i biri, Mukhtaba.

Megjithatë, objektivat e operacioneve amerikane duket se janë ngushtuar krahasuar me fillimin e luftës. Nëse në fazën e parë synimi ishte ndryshimi i regjimit dhe shkatërrimi i plotë i programit bërthamor iranian, tashmë fokusi është zhvendosur drejt kufizimit të kapaciteteve ushtarake të Iranit.

Ndërkohë, Izraeli nuk duket të ndajë të njëjtin optimizëm për përfundimin e shpejtë të konfliktit. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se operacioni do të vijojë pa një afat të përcaktuar.

“Ky operacion do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të përmbushen të gjitha objektivat dhe beteja të përfundojë”, tha Katz.

Sipas ushtrisë izraelite, një valë e re sulmesh ka nisur ndaj objektivave në Iran dhe në kryeqytetin libanez, Bejrut.

Në të njëjtën kohë, thirrje për një zgjidhje diplomatike të krizës kanë ardhur nga disa liderë ndërkombëtarë. Pas deklaratave të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, edhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul ka kërkuar përpjekje për zgjidhjen e konfliktit përmes diplomacisë.

Lini një Përgjigje