
Amerikanët duket se po tregohen mjaft precizë përsa i përket sankioneve të vendeve të Ballkanit. Kryetari i Strugës Ramiz Merko është pezulluar nga Bashkimi Demokratik për Integrim pasi u shpall non grata nga SHBA.
BDI ka bërë thirrje për hetim, pas pretendimeve të zyrtarëve amerikan për korrupsion të lartë të Ramiz Merkos, i cili drejton prej katër mandatesh qytetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“SHBA-të janë partneri jonë më i madh strategjik dhe qëndrimet e tyre jo vetëm që në BDI, i respektojmë, por i konsiderojmë si qëllim mira. Kështu ka qenë gjithmonë. Shpesh e them se çdo sukses i shtetit e mban vulën e SHBA-së, BDI ka qëndrime të qarta në lidhje me sundimin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, mënyrës në të cilën punojnë bartësit e funksioneve publike dhe qëndrimet e tilla janë shndërruar në vendime formale në BDI.
BDI kërkon menjëherë të fillojë hetim gjithëpërfshirës për Ramiz Merkon për të gjitha pretendimet dhe informacionet që dalin nga vendimi i DASH, BDI u bën thirrje të gjitha institucionet të fillojnë hetime për të gjitha partitë politike, nga kryetarët deri tek tjerët, ngase vetëm kështu mund të luftohet korrupsioni”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Ndërkohë, ambasadorja amerikane në Shkup paralajmëroi se do të ketë emra të tjerë zyrtarësh të korruptuar në listën e zezë dhe theksoi se ka prova të forta për korrupsionin e zyrtarit të lartë të BDI-së.
“Sekretari amerikan i shtetit përcakton individët në bazë të disa kategorive sepse është i obliguar nga ligjet amerikane. Nëse i prezantohen prova për korrupsion dhe aktivitete dëmtuese, atëherë ai është i detyruar që këta individë ti fusë në listë. Shpesh kjo iniciativë bën dallimin dhe dërgon mesazh se ne e trajtojmë korrupsionin seriozisht dhe ju japim zë qytetarëve që luftojnë korrupsionin në vendin e tyre”, u shpreh Angela Ageler, ambasadore e SHBA-së.
Prokuroria po zvarrit prej vitesh 6 dosje në hetim për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko. Ndërkohë, opozita shqiptare dhe maqedonase kanë kërkuar shkarkimin e Merkos nga posti i kryetarit të Strugës.
Lini një Përgjigje