![]()
Teksa situata mes Izraelit dhe Hamasit vijon të jetë e tensionuar, Papa Françesku ka bërë thirrje për korridore humanitare për të ndihmuar ata që janë nën rrethim në Gaza.
Papa bëri thirrje dhe për lirimin e pengjeve të mbajtura nga grupi militant islamik Hamas.
“Unë kërkoj me forcë që fëmijët, të sëmurët, të moshuarit dhe gratë dhe të gjithë civilët të mos bëhen viktima të konfliktit. Të respektohen të drejtat humanitare, mbi të gjitha në Gaza, ku është urgjente dhe e nevojshme të garantohen korridoret humanitare për të ndihmuar të gjithë popullsinë”, tha Papa në fjalimin e tij javor para mijëra njerëzve në sheshin e Shën Pjetrit.
Gjithashtu Papa Françesku foli teksa Izraeli po përgatit trupat e tij për një sulm tokësor si hakmarrje për sulmet e paprecedentë që pësoi kur luftëtarët pushtuan qytetet e tij duke qëlluar burra, gra dhe fëmijë dhe duke kapur pengje, duke u shprehut se “po derdhet gjak i pafajshëm”.
“Kaq shumë kanë vdekur tashmë. Ju lutem, mos derdhni më gjak të pafajshëm as në Tokën e Shenjtë, as në Ukrainë apo kudo tjetër. Mjaft! Luftërat janë gjithmonë një disfatë”, tha ai.
Papa shtoi se “është e drejta e atyre që sulmohen të mbrohen, por unë jam shumë i shqetësuar për rrethimin total nën të cilin palestinezët po jetojnë në Gaza, ku ka pasur edhe shumë viktima të pafajshme”.
Françesku tha se terrorizmi dhe ekstremizmi nuk ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje të konfliktit midis izraelitëve dhe palestinezëve, por nxisin urrejtjen, dhunën, hakmarrjen dhe shkaktojnë vetëm vuajtje të njëri-tjetrit.
“Lindja e Mesme nuk ka nevojë për luftë, por për paqe, një paqe ndërtuar mbi dialogun dhe guximin e vëllazërisë”, theksoi Papa.
Lini një Përgjigje