
Ne duhet të veprojmë me vendosmëri tani, duke forcuar integrimin në të gjitha nivelet.
Sot gjendemi përpara një pike kthese në histori. Po jetojmë në një periudhë ndryshimesh të mëdha, pasigurish, sfidash të ripërtërira, të cilat na ftojnë të forcojmë dhe çojmë deri në fund procesin e integrimit evropian.
Konflikte të reja, regjime autokratike po kërcënojnë demokracitë tona, dhe vënë në pikëpyetje të drejtat dhe liritë themelore në komunitetet tona. Kësaj i shtohet vala e internacionales sovraniste të së djathtës ekstreme që po e dominon opinionin publik dhe rezultatet elektorale në të gjithë botën, nga Shtetet e Bashkuara në Evropë.
Sot janë nën sulm institucionet dhe organizatat shumëpalëshe, të cilat u ndërtuan me shumë mund në periudhën e pasluftës. Por mbi të gjitha ajo që sulmohet është Evropa, funksionimi i saj në nivelin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, por edhe vetë ekzistenca e saj.
Sot Evropa është e rrethuar nga gracka të reja, dhe e kërcënuar nga rreziqe të reja. Ekuilibri mbi të cilin për dekada besuam se mund të mbështetej bota, po zhduket në mënyrë të pashmangshme. Sfidat tona, shtrihen nga një luftë që po prek sërish kufijtë tanë, tek ato epokale të lidhura me ndryshimet klimatike.
Nga motori i bllokuar i ekonomisë sonë, tek drama e varfërisë që po përhapet, edhe mes punëtorëve. Përpjekjet për dobësim politik, ekonomik dhe social, kërkojnë një përgjigje në përputhje me kohën në të cilën jetojmë.
Siç ndodhi gjatë pandemisë, Evropa duhet të gjejë një përgjigje të jashtëzakonshme, të paprecedentë, të guximshme, duke rigjetur frymën pioniere të baballarëve themelues të BE-së. Përfundimi i procesit të integrimit ekonomik, financiar dhe social, përbën sot një synim ekzistencial.
Forcimi i autonomisë strategjike të Evropës, me angazhimin për të reduktuar varësitë ekonomike dhe industriale, por edhe për të ndërtuar një politikë të përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes, bëhet një mision thelbësor për mbrojtjen e konkurrencës, mirëqenies, zhvillimit dhe modelit të mirëqenies sociale të kontinentit tonë.
Sepse tek fundit për këtë bëhet fjalë. Shifrat, ekonomia, konkurrenca, produktiviteti nuk janë qëllim në vetvete, por mjete për të mbrojtur progresin, lirinë, dhe për të ruajtur modelin social evropian. Ne duhet të mobilizohemi me shpejtësi.
Ka ardhur koha të tregojmë guxim dhe ambicie për të mbrojtur demokracinë, lirinë dhe të drejtat tona thelbësore, të cilat nuk mund t’i marrim më si të mirëqena dhe të garantuara përgjithmonë. Sfida për forcat përparimtare dhe demokratike, është të çojnë përpara një angazhim të vendosur ndaj institucioneve kombëtare dhe komunitare, por edhe t’i japin mbështetje, shtysë, oksigjen thirrjes për veprim, mobilizimit publik dhe popullor, për të rifilluar rrugën që na çon drejt krijimit të Shteteve të Bashkuara të Evropës.
Një mobilizim i gjerë, plural, jo domosdoshmërisht i ngurtësuar në skemat e paracaktuara partiake, por që ka një ambicie ideale dhe një ndërgjegjësim të përbashkët, atë të konsiderimit të Evropës si shtëpinë tonë të përbashkët, që duhet mbrojtur dhe forcuar.
Evropa nuk ka lindur për të mashtruar, por për të shpëtuar një kontinent të tërë pas tmerrit të Holokaustit dhe ligjeve racore. Evropa nuk i kufizon liritë, ajo është një garnizon i lirisë, i të drejtave dhe i demokracisë. Por kujdes nëse përsëritet historia, apo edhe nga qëndrimi në vendnumëro.
Nga ky këndvështrim, është thelbësore para së gjithash që investimet e përbashkëta të bëhen strukturore, në vazhdën e BE-së së gjeneratës tjetër, për të hedhur themelet e një politike industriale evropiane që shoqëron inovacionin dhe tranzicionin me të paktën 800 miliardë euro investime vjetore, përfshirë edhe borxhin e ri të përbashkët.
Është thelbësore që programi SURE të bëhet strukturor, duke krijuar një Pakt të vërtetë mbi Progresin Social, për të rikonfirmuar modelin evropian të mirëqenies. Më pas është koha për të ndërtuar shtyllën e shëndetit dhe për të krijuar një Evropë të vërtetë të shëndetit, përgjatë rrugës së ndjekur si përgjigje ndaj pandemisë.
Ne duhet të mbështesim krijimin e një kapaciteti të përbashkët fiskal për të financuar të mirat publike evropiane, ashtu siç duhet të rrisim konkurrencën dhe pavarësinë në sektorët e transportit, energjisë, telekomunikacionit dhe botë dixhitale.
Dhe së fundi, është e nevojshme të përcaktohet një politikë e jashtme për BE-në, e cila do të përballet me sfidat dhe një mbrojtje reale e përbashkët evropiane. Përballë sfidave dhe kërcënimeve aktuale, ka ardhur koha të bashkojmë investimet dhe angazhimet politike për sigurinë e Evropës.
Jo për t’u bërë një nxitës i luftës, por për të vazhduar të jemi një kontinent që garanton paqen, sidomos duke forcuar parandalimin në një moment kaq delikat. Po ashtu, duke kapërcyer sfidat jetike aktuale, që lidhen me shpenzimet e përgjithshme ushtarake të konsiderueshme të shkaktuara nga veprimet e gabuara kombëtare të vendeve anëtare pa koordinim.
Evropa e fitoi çmimin Nobel për Paqe në vitin 2012. Që të vazhdojë ta kryejë më së miri këtë detyrë themelore të vetë ekzistencës së saj, është e nevojshme të forcohet autonomia e saj strategjike edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Për të garantuar stabilitetin e demokracisë dhe modelit tonë social, ne kemi nevojë për një përgjigje vendimtare në shkallë evropiane që stimulon dhe mbështet, me fonde të përbashkëta, blerje të përbashkëta, kërkime dhe inovacione teknologjike, politika industriale, krijimin e infrastrukturave strategjike, sistemeve, ndërveprueshmërisë, aftësive evropiane.
Ajo që na nevojitet është akoma më shumë ambicie dhe guxim për ndërtimin e një force të përbashkët ushtarake. Ne duhet të krijojmë rrjete evropiane. Duhet të rifillojmë projektin e De Gasperit për mbrojtjen e Evropës, si një pjesë e domosdoshme për rrugën federaliste të bashkimit.
Për një Evropë të fortë, protagoniste në skenën ndërkombëtare si garantuese e paqes, të drejtave dhe lirive. Për një Evropë sovrane dhe të pavarur ekonomikisht dhe financiarisht. Për një Evropë të drejtë, sociale, gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse.
Për hir të Shteteve të Bashkuara të Evropës të projektit të Ventotenes, ne duhet të veprojmë me vendosmëri tani, duke e forcuar integrimin në të gjitha nivelet. Sepse në rrezik është e tashmja dhe e ardhmja jonë./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje