
Infrastruktura e ujit dhe energjisë në Iran ka pësuar dëme të konsiderueshme pas sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Deklarata u bë nga Ministria e Energjisë në Teheran, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Isna.
Sipas autoriteteve iraniane, sulmet e nisura më 28 shkurt shënjestruan një sërë objektesh strategjike dhe shënuan një përshkallëzim të konfliktit në rajon. Në këto zhvillime, sipas raportimeve, u vra edhe udhëheqësi suprem i Republikës Islamike, duke çuar në zgjerimin e luftës në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme.
Ministri i Energjisë, Abbas Aliabadi, deklaroi se “infrastruktura kritike në sektorin e ujit dhe energjisë elektrike ka pësuar dëme serioze pas sulmeve terroriste dhe kibernetike të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe regjimi sionist”. Ai sqaroi se dhjetëra objekte të transmetimit dhe trajtimit të ujit janë goditur, ndërsa pjesë të rrjeteve të furnizimit janë shkatërruar.
Sipas tij, autoritetet iraniane po punojnë për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e funksionimit normal të sistemeve.
Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe më tej pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi se SHBA do të godasin termocentralet iraniane nëse Teherani nuk rihap Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orëve.
Qarkullimi në këtë korridor strategjik, nga i cili kalon rreth 20% e naftës globale, është reduktuar ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit.
Në përgjigje, Irani ka paralajmëruar se do të shënjestrojë infrastrukturën energjetike dhe impiantet e desalinizimit në të gjithë rajonin në rast të një sulmi të tillë, duke theksuar se reagimi do të jetë “i pakthyeshëm”.
Ndër objektet kryesore energjetike të Iranit përmenden centrali me avull Ramin, centrali bërthamor Bushehr, si dhe centralet me cikël të kombinuar në Kerman dhe Damavand, të cilat përbëjnë pjesë thelbësore të prodhimit të energjisë në vend.
Lini një Përgjigje