Një profil i njohur në rrjetet sociale, që paraqiste një ushtare amerikane të quajtur Jessica Foster, rezulton të jetë i rremë dhe i krijuar me gjasë përmes inteligjencës artificiale. Hetimi i gazetës Washington Post zbuloi se personazhi, i cili kishte grumbulluar mbi një milion ndjekës në Instagram brenda katër muajsh, nuk ka asnjë ekzistencë reale.
Sipas raportimit, profili publikonte fotografi në skena të ndryshme, përfshirë momente pranë presidentit amerikan Donald Trump dhe liderëve të tjerë botërorë si Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky. Në postime të tjera, “Foster” shfaqej në aktivitete që lidhen me zhvillime të rëndësishme politike dhe ushtarake, përfshirë një mision detar dhe një forum të quajtur “Board of Peace”.
Megjithatë, analiza e përmbajtjes nxori në pah një sërë mospërputhjesh. Emërtimet ishin shpesh të pasakta, uniformat dhe dekoratat nuk përkonin me një strukturë reale ushtarake, ndërsa detaje vizuale të përsëritura sugjeronin manipulim dixhital. Washington Post thekson se nuk ekziston asnjë regjistrim zyrtar për këtë person në dokumente civile apo ushtarake.
Profili kombinonte imazhe të kuruara me mesazhe politike në mbështetje të Donald Trump dhe të krahut të djathtë amerikan. Ky format, sipas analizës, synonte të tërhiqte vëmendjen dhe të angazhonte publikun përmes një përzierjeje mes estetikës vizuale dhe përmbajtjes ideologjike.
Raste të ngjashme janë vërejtur edhe në platforma të tjera si TikTok dhe X, ku shfaqen profile të ngjashme që paraqesin figura të rreme në role të ndryshme profesionale, shpesh me mesazhe politike të qarta. Sipas raportimeve, shumë përdorues i perceptojnë këto llogari si autentike.
Fenomeni nuk kufizohet vetëm në SHBA. BBC raportoi se profile të ngjashme, që pretendojnë të paraqesin gra ushtare iraniane, janë shfaqur së fundmi në rrjetet sociale, pavarësisht se shërbimi ushtarak për gratë në Iran nuk lejohet.
Pas publikimit të hetimit, llogaria e Jessica Foster u hoq nga Instagram. Më herët, platforma OnlyFans kishte identifikuar parregullsi, pasi profili nuk kishte përfunduar procesin e verifikimit të identitetit.
Rasti ilustron përdorimin në rritje të inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjeve të rreme me qëllim ndikimin në opinionin publik dhe shpërndarjen e mesazheve politike në mënyrë të maskuar.
Lini një Përgjigje