
Kryeministri i ri britanik, Keir Starmer, nuk ka humbur kohë, por ka mbledhur kabinetin e tij.
Ekipi i tij përfshin Rachel Reeves si kancelare, Angela Rayner si zëvendës lidere dhe Yvette Cooper si sekretare e brendshme. Rishi Sunak sakaq, ka deklaruar se do të mbetet për momentin në krye të konservatorëve, derisa të përvijohen planet për zgjedhjen e pasardhësit të tij. Starmer është zotuar do të punojë për ndryshimin e situatës në vend, por kjo, sikurse e pohoi edhe vetë do të kërkojë angazhim dhe kohë.
Fitorja e thellë në zgjedhjet parlamentare të së enjtes e Partisë Laburiste, i dha fund 14 viteve të qeverisjes shpesh të trazuar të konservatorëve.
“Qeveria ime do të luftojë çdo ditë derisa të besoni përsëri. Tani e tutje, ju keni një qeveri të udhëhequr vetëm nga vendosmëria për t’i shërbyer interesit tuaj”, tha më herët kreu i ekzekutivit në fjalimin e fitores, ku nënvizoi se premtimin e marrë për t’i dhënë fund kaosit, do ta mbajnë”. Sot ne fillojmë kapitullin tjetër, po fillojmë punën për ndryshim, po fillojmë të rindërtojmë vendin tonë”, tha ai.
Euforia e triumfit në zgjedhje nuk zhbën megjithatë faktin që laburistët vijnë në pushtet duke u përballur me një ekonomi të ngadaltë, shërbime publike të dobëta dhe standarde jetese në rënie. Të gjitha këto luajtën një rol në rënien e konservatorëve, të cilët u ndëshkuan nga votuesit për shkak të kostos së lartë të jetesës, si dhe për vite të tëra paqëndrueshmërie e lufte të brendshme, që sollën pesë kryeministra të ndryshëm në detyrë, që nga votimi për daljen e Britanisë nga BE-ja në 2016.
Lini një Përgjigje