'
Paraqitja e të dyve gjatë debatit të fundit, ishte një katastrofë për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Në shkurt të këtij viti, presidenti Biden refuzoi intervistën tradicionale para finales së futbollit amerikan, Superbowl, gjatë së cilës ai mund të ishte shfaqur para më shumë se 100 milionë shikuesve amerikanë. Ky vendim e nxiti strategun demokrat James Carville të paralajmëronte se ajo ishte “një shenjë se stafi ose vetë Biden nuk ka besim tek vetja”.
Analiza e Carville është dëshmuar e saktë nga performanca e tmerrshme e Biden në debatin e fundit, që çau “mburojën mbrojtëse” të krijuar familja dhe stafi i tij. Në moshën 81-vjeçare, dobësia tronditëse mendore dhe fizike e Biden u pa nga të paktën 51.3 milionë amerikanë.
Ish-presidenti Donald Trump, 78-vjeç, konsiderohet gjithashtu i papërshtatshëm për këtë post nga gjysma e kombit. Të dy burrat nuk pëlqehen nga të paktën 56 për qind e qytetarëve të anketuar, duke sinjalizuar se duhet të ndryshojë sistemi i emërimit presidencial.
Edhe në nivel global, BBC ka raportuar vlerësime përçmuese pas debatit Biden-Trump. Media shtetërore kineze tha se ishte “si një reality show” me Trumpin “gënjeshtar” dhe një Biden-in “mërmëritës”, duke arritur në përfundimin që të dy “po përballen aktualisht me vështirësitë e moshës”.
Mediat ruse e cilësuan performancën e Biden si një ”dështim total” dhe me shqetësime për “shëndetin e tij mendor”. Më pas, i telefonova një këshilltari të njohur të çështjeve të mbrojtjes, shumë i shqetësuar se debati paraqet një rrezik për sigurinë kombëtare.
“Paraqitja e të dyve gjatë debatit të fundit, ishte një katastrofë për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Zgjedhja e Trump ose rizgjedhja e Biden, është një shenjë dobësie që e josh Kinën të pushtojë Tajvanin dhe e inkurajon Putinin të vazhdojë luftën", tha prerazi ai duke mos dashur që t’i citohet emri.
Ekzistojnë të paktën 7 arsye pse zgjedhja e Trump apo Biden si president, do të rrezikonte sigurinë kombëtare të SHBA-së. Së pari, mund të testohet rregulli i pashkruar i “një president në një kohë”. Supozoni sikur Trump të ketë që tani 312 votat elektorale, në mënyrë që Biden të shihet si një president i dobët nga tani deri në ditën e zgjedhjeve.
Gjatë kësaj kohe, presidenti mund të sabotohet nga zyrtarët e zgjedhur. Ndërkohë besnikët e Trump sulmojnë postet e kabinetit dhe anëtarët e fundit të ekipit të punëve të jashtme të Trump, të cilët ai nuk i pushoi nga puna. Një shembull kryesor është Richard Grenell, të cilin Trump e quan “të dërguarin” e tij nëpër botë dhe që mund të jetë Sekretari i ardhshëm i Shtetit.
Grenell ishte ambasadori i Trump në Gjermani, dhe më pas drejtori i tij në detyrë i Inteligjencës Kombëtare (NSA). Më 5 prill, britanikja The Guardian tregoi se si “fushata në hije e Grenell në politikën e jashtme, po i shqetëson diplomatët dhe kërcënon të dëmtojë interesat e SHBA-së”. Në fakt, armiqtë tanë mund të gjejnë shumë mënyra për të shfrytëzuar, qoftë edhe thjesht aludimin se këtë vjeshtë ka dy presidentë konkurrues.
Së dyti, dobësia e ekspozuar e Biden do të testohet fort nga kundërshtarët e Amerikës. A ishte vërtet rastësi që 3 ditë pas debatit të 27 qershorit, u dha një alarm për sulme terroriste ndaj bazat ushtarake amerikane në Evropë? Një krizën “e orës 3 të mëngjesit”, ndodh kur një komandant i përgjithshëm i lodhur dhe i dobët mund të shkaktojë veprime të vonuara ose të pavendosura të ndjekura nga një lojë fajësimi nga ana e ekipit të Trump.
Së treti, Trump paraqet një rrezik unik për sigurinë kombëtare, në rast se komuniteti i inteligjencës mund t’i besojë atij materiale të klasifikuara. Vitin e kaluar, u akuzua në një padi me 32 pika për shkelje të Aktit të Spiunazhit, pasi refuzoi të dorëzonte kutitë me dokumente sekrete në pronësi të qeverisë, dhe që ruheshin në rezidencën e tij private në Florida.
Po ashtu, aleatët mund të ngurrojnë të ndajnë informacionet jetike me administratën Trump, duke pasur parasysh historinë e ish-presidentit me zbulimin e sekreteve dhe pasjes së aleancave të dyshimta. Si një qytetar privat, pasi u dënua për 34 krime dhe u shpall fajtor për mashtrim financiar civil, Trump do t’i mohohet certifikata e sigurisë, por nëse zgjidhet president, do t’i jepet ende qasje e pakufizuar tek të dhënat e shërbimeve sekrete.
Së katërti, Samiti i 75-vjetorit të NATO-s nis më 9 korrik në Uashington. Dhe do të jetë hera e parë që Joe Biden mund të perceptohet si një “rosë e çalë” e plagosur. Diçka ironike, sepse ishte lidershipi i Biden-it, ai që ndihmoi në forcimin e aleancës dhe që e ka frenuar me sukses pushtimin e Vladimir Putinit në Ukrainë.
Në rendin e ditës në samit do të jenë dy çështje kryesore të sigurisë globale. E para është nëse Ukraina do të ftohet apo jo të anëtarësohet në NATO. Dhe e dyta, se si NATO mund të “provojë” veten dhe mbështetjen e saj për Ukrainën. Meqë qëndrimi i dikurshëm anti-NATO i Trump konsiderohet një kërcënim, anëtarët parashikojnë të mbështeten më pak tek fondet, armët dhe udhëheqja amerikane
Po ashtu, Biden nënshkroi në dhjetor 2023 një ligj që kërkon miratimin e 2/3 të Senatit, përpara se SHBA-ja të tërhiqet nga aleanca. Teksa Biden pret liderët e NATO-s në Uashington, mund të testohet “rregulli i presidentit në një kohë”. Duke ndjerë erën e fitores, një Trump që rreh gjoksin mund të nisë të dërgojë emisarë apo të nisë të bëjë vizita të papritura jashtë vendit për të zhvilluar disa takime joformale.
Së pesti, projektet e reja të huaja të Organizatës Trump bartin dukshëm rreziqe për sigurinë kombëtare. Organizata Trump njoftoi këtë javë një projekt të ri në Arabinë Saudite. Dhe më shumë marrëveshje biznesi midis familjes Trump dhe sauditëve, nënkuptojnë më shumë konflikte.
Menjëherë pasi Trump u largua nga detyra, qeveria saudite investoi mbi 2 miliardë dollarë për dhëndrin e Trump, Jared Kushner, përmes kompanisë të tij të investimeve. Le të mos harrojmë edhe përpjekjen e dështuar të Trump në vitet 2016-2017 për të ndërtuar një Kullë Trump në Moskë. Ndoshta ky projekt mund të ringjallet në mandatin e tij të dytë, kur nuk do të ketë më kufizime në ushtrimin e pushtetit të tij presidencial.
Së gjashti, statusi i marrëdhënies midis Trump dhe Vladimir Putin përbën një rrezik tjetër për sigurinë kombëtare. Disa shqetësohen se Putin mund të ketë ndikim financiar mbi ish-presidentin amerikan. Të tjerë besojnë se ekziston një “kompromat”, pra një informacion komprometues, të cilin Putini mund të përdorë për ta detyruar Trumpin të sillet sipas dëshirës së tij.
Nëse Trump rizgjidhet president, do të shihni se sa shpejt do të përpiqet t’i japë fund mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën, duke e kënaqur Putinin dhe duke sjellë pasoja shkatërruese për Evropën. Është raportuar prej kohësh, se agjencitë amerikane të inteligjencës besonin se Rusia kishte “leva presioni” mbi presidentin Donald Trump, një rrezik më shumë për sigurinë kombëtare që duhet mbikëqyrur nga shërbimet sekrete në rastin e një mandati të dytë të Trump.
Së shtati, Trump do të ketë një “presidencë perandorake”, falë vendimit të Gjykatës së Lartë për t’i dhënë imunitet nga ndjekja penale, gjë që e nxiti gjyqtaren Sonia Sotomayor të shprehej:”Në çdo përdorim të pushtetit zyrtar, presidenti tani është një mbret mbi ligjin!”.
Si Trump ashtu edhe Biden, paraqesin probleme të sigurisë kombëtare. Por nëse Biden i jep fund fushatës së tij, pasiguria e lidershipit e rrit në mënyrë dramatike rrezikun afatshkurtër në nivel global. Ndërsa një mandat i dytë Trump është potencialisht edhe më i rrezikshëm, pasi shumë njerëz besojnë se ai e adhuron pushtetin dhe paranë dhe kërkon hakmarrje, i mbështetur nga një ushtri ndjekësish që e adhurojnë atë si të përzgjedhurin e Zotit.
Shënim: Myra Adams, ka shërbyer në ekipin e dy fushatave presidenciale republikane në vitet 2004 dhe 2008./ Përshtati "Pamfleti", nga “The Hill”.
Lini një Përgjigje