
Egjipti dhe Katari po intensifikojnë përpjekjet për të shpëtuar marrëveshjen e armëpushimit të Gazës pas presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli për të rifilluar operacionet ushtarake, njoftoi të mërkurën televizioni i lajmeve al Qahera i Egjiptit, i lidhur me shtetin, duke cituar një burim egjiptian.
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi të martën se "ferri do të shpërthejë" nëse pengjet izraelitë nuk liroheshin nga Hamasi të shtunën, siç ishte planifikuar në bazë të armëpushimit.
Nga ana tjetër, krahu i armatosur i grupit militant palestinez Xhihadi Islamik, i cili mban peng izraelitë që nga 7 tetori 2023, tha të mërkurën se fati i këtyre pengjeve ishte i lidhur me veprimet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
"E vetmja mënyrë për të tërhequr pengjet dhe për të rikthyer stabilitetin është përmes një marrëveshje shkëmbimi", tha zëdhënësi i grupit në Telegram.
Hamasi gjithashtu tha të mërkurën se nuk do të pranojë kërcënimet nga SHBA dhe Izraeli për një armëpushim të vazhdueshëm në Gaza, në mes të një ngërçi mes palëve për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit, raporton Agence France-Presse (AFP).
“Qëndrimi ynë është i qartë dhe ne nuk do të pranojmë gjuhën e kërcënimeve amerikane dhe izraelite. Izraeli duhet të angazhohet për zbatimin e kushteve të marrëveshjes së armëpushimit për lirimin e pengjeve”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem.
Kujtojmë se Hamasi pretendon se marrëveshja e armëpushimit është shkelur nga Izraeli dhe për këtë arsye ata nuk do të lirojnë pengjet këtë javë. SHBA dhe Izraeli kanë kërcënuar me nisjen e luftës nëse nuk zbatohet marrëveshja.
Lini një Përgjigje