Joe Kent, ish-zyrtar i lartë në administratën Trump, u largua nga detyra mes kundërshtimeve për politikën ndaj Iranit
FBI-ja ka nisur hetimet ndaj ish-drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kundërterrorizmit të SHBA-së, Joe Kent, për rrjedhje të dyshuara të informacionit të klasifikuar. Lajmi u raportua nga CBS News, partner i BBC-së në SHBA, duke cituar burime pranë hetimit.
Sipas këtyre burimeve, hetimi kishte nisur përpara dorëheqjes së Kent nga posti në fillim të kësaj jave dhe po trajtohet nga divizioni kriminal i FBI-së. Vetë FBI-ja nuk ka pranuar të komentojë mbi rastin, ndërsa Kent nuk ka dhënë ende një reagim publik lidhur me akuzat.
Joe Kent, mbështetës i hershëm i Donald Trump dhe veteran i dekoruar i ushtrisë amerikane, njoftoi dorëheqjen të martën. Ai deklaroi se nuk mund të mbështeste veprimet ushtarake ndaj Iranit “me ndërgjegje të pastër”, duke argumentuar se Irani nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm për SHBA-në. Shtëpia e Bardhë e kundërshtoi këtë vlerësim.
Pas largimit të tij, ish-zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Taylor Budowich, e akuzoi Kentin se kishte qenë shpesh në qendër të rrjedhjeve të informacionit të sigurisë kombëtare dhe se kishte minuar zinxhirin e komandës, pa dhënë detaje konkrete.
Në letrën e dorëheqjes drejtuar Presidentit Trump, Kent argumentoi se përshkallëzimi i konfliktit me Iranin kishte ardhur si rezultat i presionit nga Izraeli dhe lobet pro-izraelite në SHBA. Këto deklarata u kritikuan nga Lidhja Kundër Shpifjes (ADL), e cila i cilësoi si përhapje të stereotipeve antisemitike.
Në një intervistë me podkasterin e Tucker Carlson, Kent përsëriti se nuk kishte informacion që Irani po përgatiste një sulm ndaj SHBA-së dhe se nuk ishte pranë sigurimit të një arme bërthamore. Ai gjithashtu deklaroi se vendimmarrja për sulmet ishte bërë pa një debat të gjerë brenda administratës.
Sipas Kent, ai pati një bisedë pozitive me Presidentin Trump përpara dorëheqjes dhe marrëdhëniet mes tyre mbeten të mira në plan personal.
Nazi-Fashizmi po nxjerr krye kudo ne bote. Pse popujt e harrojne te shkuaren e hidhur? Si duket gjeneratat reja nuk e kane vuajtur tmerrin dhe janë lene injorante ta mesojne.