TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Dhjetor 2024, 15:00

Kompanitë e mëdha të teknologjisë kanë dështuar të frenojnë propagandën ruse

Shkruar nga Massimiliano Coccia

Kompanitë e mëdha të teknologjisë kanë dështuar

Sipas një burimi nga shërbimet e inteligjencës franceze, regjimi rus kontaktoi rreth 2.000 njerëz nga vende të ndryshme evropiane, dhe 20 prej tyre (përfshirë 9 francezë), të pranishëm në Instagram dhe TikTok, kishin pranuar pagesa për reklama në favor të Rusisë.

Sanksionet përmes së cilave Evropa synon të paralizojë asetet ekonomike, financiare dhe informativ të Rusisë së Vladimir Putinit, janë një çështje komplekse dhe në ndryshim të vazhdueshëm, si për mallrat, mallrat me përdorim të dyfishtë, energjinë por dhe për kompanitë e mëdha të teknologjisë (Big Tech), që po menaxhojnë një vëllim të madh me informacione dhe lajme të futura vazhdimisht në qarkun e rrjeteve dhe platformave sociale nga subjekte që janë në listën e sanksioneve.

Infrastrukturat propagandistike të Kremlinit janë të shumta dhe të shumanshme, të mbështetura nga ekipe të tëra mashtruesish. Në këtë mision, Moska përdor mbështetjen e një partneri të rëndësishëm si Pekini, që ndan të njëjtën strategji për ngopjen e tregut informal të informacionit.

Por nëse nga njëra anë, pas miratimit të paketës së re që i shtrin sanksionet tek veprimet keqinformuese, institucionet evropiane kanë nisur hetimet ndaj klientëve që kryejnë veprime të luftës hibride, duke vepruar me vonesë, kompanitë e mëdha dixhitale po dështojnë të bëjnë ndonjë gjë.

Në fakt, siç tregohet në raportin e ri nga rrjeti kundër keqinformimit i koordinuar nga Alliance4Europe dhe Science Feedback përmes rrjetit kundër keqinformimit, një grup prej 8 organizatash dhe studiuesish të shoqërisë civile, përfshirë FIDU (Federata Italiane për të Drejtat e Njeriut), ka dokumentuar se si Platformat e Big Tech po dështojnë të zbatojnë sanksionet evropiane kundër aktorëve të propagandës ruse dhe bjelloruse.

Për shembull, mediat ruse zyrtarisht nën sanksionet e Perëndimit, vazhdojnë të publikojnë lirisht përmbajtje në Facebook. Madje kompanitë ushtarake ruse të sanksionuara, promovojnë tanket e tyre në Instagram, ndërsa personalitetet publike ruse fitojnë para nga reklamat në Telegram.

Përveç kësaj, sipas raportit ka edhe një problem tjetër madh, i cili zhvlerëson çdo përpjekje për filtrim: në të gjitha platformat, me përjashtim të TikTok, 83 për qind e llogarive të subjekteve ose individëve të sanksionuar të raportuar janë si ende të aksesueshme në Bashkimin Evropian.

“Problem nuk është vetëm prania e përmbajtjes së sanksionuar në platformat dixhitale, por përforcimi i tyre nga llogaritë që veprojnë si të pavarura. Llogaritë që kemi dokumentuar, përfshirë ato në Itali, kanë një ndikim të rëndësishëm, duke grumbulluar miliona ndjekës në total, shumë prej tyre brenda Bashkimit Evropian.

Kjo krijon terren pjellor për keqinformim, dhe u jep subjekteve dhe individëve të sanksionuar mundësinë për të vazhduar përhapjen e përmbajtjes, e cila është e manipuluar dhe e dëmshme për shoqërinë tonë. Ndaj është thelbësore që platformat ta trajtojnë urgjentisht këtë fenomen, duke pëdorur mjete të përshtatshme për të identifikuar dhe kufizuar kanalet dhe amplifikatorët e sanksionuar dhe siguruar respektimin e ligjeve evropiane dhe mbrojtjen e hapësirës së informacionit”- deklaron Eleonora Mongelli nga FIDU.

Raporti thekson se janë identifikuar 370 raste të reja të përmbajtjes së sanksionuar apo të llogarive të pa raportuara më parë. Dhe qendrat e operacioneve të keqinformimit, kanë zhvilluar strategji të reja për të shmangur sanksionet. Në këtë kuadër, disa llogari të përfshira tashmë në listën e zezë, po nxjerrin përfitime ekonomike nga programet e fitimit të parave të platformave si Telegram, YouTube dhe Facebook.

Të dhënat në raport, ngrenë pikëpyetje në lidhje me zbatimin e Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA) dhe ndikimin e mundshëm që do të ketë tek sanksionet shkelja e rregulloreve evropiane. Omri Preiss, drejtor menaxhues i Alliance4Europe thotë:“Big Tech ka një mision të qartë, që është mbrojtja e platformave të tyre nga manipulimi i informacionit nga qeveritë autoritare.

Çdo ditë, ne shohim se sa vendimtare është kjo për sigurinë e procesit demokratik në të gjithë Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian duhet të krijojë udhëzime të qarta për platformat që të zbatojnë me sukses Aktin e Shërbimeve Dixhitale”.

Pas rasteve të Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Rumanisë, duket se është thelbësor frenimi i fenomeneve të propagandës dhe keqinformimit konjitiv, jo vetëm menjëherë përpara proceseve zgjedhore, por edhe gjatë jetës publike, një sfidë për ligjvënësit dhe krijuesit e përmbajtjes.

Éric Percheron, hulumtues i asociuar në Institutin Francez për Çështjet Ndërkombëtare dhe Strategjike, thotë se “ky raport nxjerr në pah sfidat e zbatimit të sanksioneve ndërkombëtare në fushën e informacionit ose keqinformimit”.

Autorët e raportit hedhin ditë mbi një aspekt kyç të luftës hibride: qasjen e pakufizuar në përmbajtjen propagandistike të lehtësuar nga platformat dhe VPN-të. Manipulimi i informacionit përmes TikTok dhe anulimi i fundit i zgjedhjeve presidenciale në Rumani, na kujtojnë fuqinë e zërave në epokën dixhitale.

Le Monde raportoi kohët e fundit, se shërbimet franceze të inteligjencës kanë zbuluar një operacion manipulimi në rrjetet sociale të nisur nga Kremlini në pranverën e vitit 2022, pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas një burimi nga shërbimet e inteligjencës franceze, regjimi rus kontaktoi rreth 2.000 njerëz nga vende të ndryshme evropiane, dhe 20 prej tyre (përfshirë 9 francezë), të pranishëm në Instagram dhe TikTok, kishin pranuar pagesa për reklama në favor të Rusisë. Mbivendosja midis botëve dixhitale dhe reale është tashmë një fakt i vërtetuar, dhe ndoshta intensiteti i luftës hibride tregon se si fushëbeteja nuk është vetëm virtuale./Përshtati Pamfleti nga “Linkiesta”

propaganda ruse kompanitë e teknologjisë

Lini një Përgjigje