
Gjykata e Apelit në Nju Jork ka rrëzuar kërkesën e presidentit të zgjedhur Donald Trump për të ndalur dënimin e tij të premten, pas shpalljes fajtor vitin e kaluar për 34 akuza penale për falsifikim dokumentesh.
Prokurorët akuzuan Trump për një skemë me qëllim ndikimin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke fshehur një pagesë bërë ish-aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels. Ajo thotë se ka pasur një marrëdhënie intime me ish-presidentin. Por Trump i ka hedhur poshtë këto akuza dhe e ka cilësuar gjyqin kundër tij, një gjueti politike shtrigash. Ai e ka apeluar çështjen dhe po përpiqet ta rrëzojë atë tërësisht.
Vendimi i gjykatës së apelit sot ka kundështuar kërkesën e Trump për të shtyrë shpalljen e dënimit, vjen 10 ditë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur, që do të ndodhë më 20 janar.
Ditën e djeshme edhe gjyqtari i çështjes, Juan Merchan, rrëzoi kërkesën e avokatëve të Trump për të shtyrë dënimin ndërsa në apel po gjykohen dy ankimeve ndaj vendimeve të mëparshme të gjyqtarit.
Merchan tha se ai nuk parashikonte ta dërgonte Trump në burg dhe as t'i jepte ndonjë masë ndëshkimore.
Nëse procesi i përcaktimit të dënimit, planifikuar të ndodhë më 10 janar nuk ndodh para fillimit të mandatit të dytë të Trump, pra më 20 janar, për shkak të imunitetit presidencial, çështja do të pezullohej derisa ai largohej nga Shtëpia e Bardhë.
Në seancën e sotme në gjykatën e apelit e cila zgjati 30 minuta, ndihmës gjykatësja Ellen Gesmer i kërkoi avokatin të Trump, Todd Blanche, më shumë sqarime mbi argumentin e tij se imuniteti nga ndjekja penale e në presidenti shtrihet edhe në periudhën e tranzicionit, nga fitorja tek inaugurimi.
"A keni ku e mbështesni konceptin se imuniteti presidencial shtrihet edhe tek një president i zgjedhur?”, ishte pyetja që shtroi ndihmës gjykatësja Ellen Gesmer.
Blanche u përgjigj “jo” duke shtuar se "nuk ka pasur kurrë më parë një rast si ky". Blanche ngriti gjithashtu edhe mundësinë që gjyqtari i çështjes, Juan Merchan, të japë një masë dënimi me burg, që do zgjaste sipas tij pas inaugurimit të Trump më 20 janar, edhe pse vetë gjyqtari ka dhënë sinjaleve se nuk ka në plan ta bëjë një gjë të tillë.
Zonja Gesmer i kërkoi avokatit të zyrës së Prokurorit të Manhatanit, Alvin Bragg, që të trajtojë argumentin e avokatëve të Trump, se dënimi, do të ndërhynte tek tranzicioni presidencial.
Steven Wu, avokati i shtetit, tha se zoti Merchan e kishte trajtuar këtë çështje duke planifikuar dhënien e dënimin përpara inaugurimit, duke lejuar që Trump të mos paraqitej fizikisht, por virtualisht në seancë, si dhe duke dhënë sinjale se nuk parashikonte dënimin e tij me burg.
Wu vuri gjithashtu në dukje se dhënia e masës së dënimit ishte planifikuar fillimisht për në korrik dhe se ishte shtyrë disa herë me kërkesë të Trump. Ai hodhi poshtë argumentet e ish-presidentit se koha kur do ishte caktuar dhënia e dënimit ishte “e palogjikshme”. Zonja Gesmer u duk se ra dakord me një arsyetim të tillë.
"Nëse ai ishte i shqetësuar për këtë çështje, ai mund të kishte lejuar që ky proces të ishte kryer në korrik dhe në shtator", tha Gesmer.
Duke iu referuar gjykatësit Merchan, Trump tha të martën se ai është një "gjyqtar pa parime" e që po ndërlikonte kryerjen e një tranzicioni të qetë të pushtetit.
“Mos harroni që ky është një njeri që tha se dëshironte që tranzicioni të ishte i qetë”, u tha zoti Trump gazetarëve të martën në Mar A Lago përpara se të niste seanca në apel.
Trump shtoi se gjykatësi punon për t’u krijuar shqetësime amerikanëve ndërsa theksoi se ai nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore.
Çështja buroi nga një pagesë prej 130,000 dollarësh që ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, i bëri aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels, me qëllim sigurimin e heshtjes së saj para zgjedhjeve të vitit 2016 mbi një marrëdhënie intime që ajo thotë se ka pasur me Trump një dekadë më parë. Vetë Trump e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.
Trump ka argumentuar se prokurori i Manhatanit Alvin Bragg, një demokrat, e ngriti padinë me synimin për të dëmtuar shanset e tij për t’u rizgjedhur në vitit 2024./VOA
Lini një Përgjigje