
Katari ka sqaruar pozicionin e tij në raport me tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke theksuar se nuk është i përfshirë në një rol të drejtpërdrejtë ndërmjetësimi, por mbështet çdo përpjekje diplomatike për zgjidhje.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed Al-Ansari, u shpreh se vendi i tij mbështet dialogun në të gjitha format.
“Mbështesim të gjitha përpjekjet diplomatike, qoftë përmes kanaleve zyrtare apo jozyrtare”, tha ai.
Megjithatë, ai theksoi qartë se aktualisht nuk ka asnjë iniciativë konkrete nga Katari për të ndërmjetësuar drejtpërdrejt mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Duke folur për situatën në rajon, Al-Ansari paralajmëroi për pasoja serioze në sigurinë e Gjirit Persik. Sipas tij, sulmet ndaj infrastrukturave kritike kanë tronditur ndjeshëm balancat ekzistuese.
“Zhvillimi më i rëndësishëm është shembja e sistemit të sigurisë në Gjirin Persik”, deklaroi ai.
Ai shtoi se vendet e rajonit do të duhet të rishikojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e sigurisë pas përfundimit të konfliktit, duke theksuar nevojën për një qasje të re rajonale.
Lini një Përgjigje