
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar publikisht për krizën humanitare në Gaza, duke u shprehur i tronditur nga pamjet e urisë që po qarkullojnë nga enklava palestineze. Gjatë udhëtimit nga Skocia drejt Uashingtonit, ai tha për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One se imazhet e fëmijëve të uritur e kanë prekur thellë atë dhe Zonjën e Parë, Melania Trump.
“Ajo mendon se është e tmerrshme”, tha Trump, duke iu referuar bashkëshortes së tij. “Ajo sheh të njëjtat fotografi që shihni ju, që shohim të gjithë ne. Dhe mendoj se, përveç nëse dikush është shumë zemërftohtë ose edhe më keq, i çmendur, nuk ka asgjë tjetër që mund të thuash përveç se është e tmerrshme kur sheh fëmijët”, shtoi ai.
Presidenti amerikan shtoi se situata është alarmante dhe kërkon ndërhyrje urgjente: “Ata janë fëmijë, e dini, pavarësisht nëse dikush pranon apo jo se atje ka uri, ata janë fëmijë që vuajnë nga uria.”
Deklaratat e Trump erdhën vetëm një ditë pasi administrata e tij njoftoi planet për krijimin e “qendrave ushqimore” në Gaza, një hap që shihet si distancim nga qëndrimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kishte mohuar ekzistencën e urisë në enklavë.
“Ata fëmijë duken shumë të uritur”, përsëriti Trump, duke nënvizuar nevojën për një përgjigje humanitare dhe duke i dhënë sinjal Netanyahut se SHBA-të nuk mund të injorojnë realitetin në terren.
Ky është një nga rastet e rralla ku presidenti amerikan ka shprehur publikisht mosdakordësi me linjën izraelite, duke sugjeruar se administrata amerikane është e gatshme të ndërmarrë veprime të pavarura për të trajtuar krizën humanitare në Gaza.
Lini një Përgjigje