
Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, ish-Tribunali i Hagës, ka rrëzuar kërkesën e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiç, për lirimin e tij të përkohshëm për arsye shëndetësore. Edhe pse raportet mjekësore flasin për një gjendje të rënduar shëndetësore dhe afrim me fundin e jetës, gjykata vlerësoi se ai po merr kujdesin më të specializuar të mundshëm dhe nuk ka arsye humanitare për lirimin.
Mlladiç, i dënuar në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte, kishte kërkuar të kalonte muajt e fundit në Serbi, duke pretenduar se nuk paraqet rrezik arratisjeje. Por gjykata e ka refuzuar kategorikisht këtë pretendim, duke theksuar se “mbajtja e tij e mëtejshme në burg nuk përbën trajtim çnjerëzor apo degradues dhe mbështet parimet thelbësore të ndëshkimit”.
Mlladiç u shpall fajtor për gjenocidin ndaj afro 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995, për zhvendosjen e detyruar të boshnjakëve dhe kroatëve, për terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe për mbajtjen peng të trupave paqeruajtëse të OKB-së gjatë bombardimeve të NATO-s. Ai qëndroi në arrati për 16 vjet deri në arrestimin e tij në Serbi në maj të vitit 2011 dhe ekstradimin në Hagë.
Ky vendim e mbyll çdo shpresë të Mlladiçit për të dalë nga burgu, duke e lënë atë të vuajë deri në fund dënimin për një nga krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Lini një Përgjigje