
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dhënë një ultimatum të ri për Rusinë lidhur me luftën në Ukrainë, duke deklaruar se Moska ka vetëm 10 ditë për të rënë dakord për një marrëveshje armëpushimi.
Duke folur nga avioni presidencial Air Force One, Trump tha se nëse presidenti rus Vladimir Putin nuk pranon armëpushimin brenda afatit të caktuar, SHBA-ja do të vendosë tarifa dhe masa të tjera ndëshkuese ekonomike.
“Nuk e di nëse kjo do ta ndikojë Rusinë, sepse ai (Putin) duket se dëshiron ta vazhdojë luftën. Por ne do të vendosim tarifa dhe masa të tjera, dhe mund të ketë ose jo efekt, por mund të ndikojë”, tha Trump.
I pyetur nëse ultimatumi kishte shkaktuar ndonjë reagim nga Moska, presidenti amerikan u përgjigj: “Nuk kam marrë asnjë përgjigje. Është për të ardhur keq.”
Avioni i ri presidencial
Gjatë udhëtimit, Trump foli edhe për avionin e ri presidencial, një avion luksoz i dhuruar nga Katari dhe që po përshtatet për përdorim nga presidenti.
“Ata thonë shkurt, ndoshta. Shumë më shpejt se avionët e tjerë që po ndërtohen”, tha ai.
Kostoja e përshtatjes së avionit nuk është bërë publike dhe klasifikohet si informacion i sigurisë kombëtare, por ligjvënës amerikanë kanë spekuluar se mund të arrijë deri në 1 miliard dollarë. Sipas ABC Neës, dhurimi i avionit është bërë pa kushte se çfarë do të ndodhë me të pasi Trump të lërë detyrën.
Lini një Përgjigje