Kthejeni në politikën ndërkombëtare respektin për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut...
Gjatë muajve dhe javëve të fundit, vëmendja e mbrojtësve të të drejtave të njeriut, rusë ukrainas dhe ndërkombëtarë qofshin, është përqendruar tek negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në janar të këtij viti, duke iu drejtuar palëve dhe pjesëmarrësve në negociata, ata tërhoqën vëmendjen ndaj situatës së të burgosurve të luftës nga të dyja palët, qytetarëve ukrainas të ndaluar në mënyrë të paligjshme, fëmijëve ukrainas të çuar në Rusi dhe të burgosurve politikë rusë.
Më pas në shkurt, në përvjetorin e tretë të fillimit të luftës në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës, thirrja u përsërit nga një grup raportuesish specialë dhe ekspertësh të OKB-së. Ata theksuan se shteti rus, duhet të mbahet përgjegjës për agresionin kundër Ukrainës, si për krimet e luftës të kryera gjatë agresionit, ashtu edhe për politikën shtypëse brenda Rusisë.
Sepse tek e fundit, pushtimi i Ukrainës u bë i mundur falë sistemit të mbajtjes së pushtetit përmes sistemit të shtypjes politike që në Rusi ekziston prej dekadash. Sipas ekspertëve, rastet e më shumë se 3 mijë të burgosurve në Rusi, perceptohen si të motivuara politikisht nga ana e autoriteteve.
Ka raportime për torturë dhe mbajtje të tyre në kushte kërcënuese për jetën, madje deri në vdekjen e tyre. Por raportet mbi progresin e bisedimeve të paqes, e bëjnë gjithnjë e më të dyshimtë nëse negociatat po bazohen dhe përqendrohen në çështje humanitare, të drejtat e njeriut dhe madje edhe në ligj.
Në shekullin XX-të, koncepti i të drejtave të njeriut, i cili formoi bazën e së drejtës ndërkombëtare, dhe që është i sanksionuar në dokumente të shumta ndërkombëtare, u bë ndoshta arritja kryesore e përparimit humanitar të njerëzimit, e cila i mbijetoi tmerreve të dy luftërave botërore.
Pas Luftës së Dytë Botërore, vendet pjesëmarrëse në koalicionin kundër nazistëve krijuan Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kjo e fundit, miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, nga e cila kanë dalë një numër paktesh dhe marrëveshjesh.
Në vitin 1975, u nënshkrua Akti Final i Helsinkit, i cili vendosi marrëdhënien midis sigurisë ushtarako-politike dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike. Respektimi i të drejtave të njeriut, u theksua si një kusht i domosdoshëm për ruajtjen dhe forcimin e paqes, sigurisë ndërkombëtare dhe zhvillimin e bashkëpunimit midis shteteve.
Këto dokumente dhe mekanizma, supozohej se do ta parandalonin Luftën e Tretë Botërore dhe do të garantonin respektimin e të drejtave të patjetërsueshme të çdo qenieje njerëzore, pavarësisht nga raca, gjinia, gjuha, feja, bindjet politike, origjina kombëtare ose shoqërore.
Sigurisht, ky sistem nuk ishte i përsosur. Shpërthyen luftëra, kriza, dhe diktaturat vazhduan të shfaqeshin në të gjithë botën. Blloqet perëndimore dhe lindore ishin në një Luftë të Ftohtë midis tyre, ndërsa bota ishte në pragun e një lufte të armatosur.
E megjithatë Lufta e Tretë Botërore nuk ndodhi: katastrofa bërthamore u parandalua dhe njerëzimi mbijetoi. Në politikën botërore, u vendosën norma dhe vlera të rëndësishme brenda kuadrit të Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së.
Kështu Evropës iu siguruan dekada paqeje të qëndrueshme. Njerëzimi hyri në një periudhë rritjeje ekonomike, zhvillimi teknologjik dhe bashkëpunimi global. Pas rënies së bllokut lindor - dhe më pas të Bashkimit Sovjetik - vendet “ish-socialiste” dhe post-sovjetike, patën mundësinë të ndërtonin në mënyrë të pavarur një të ardhme demokratike.
Ato hapën kufijtë dhe tregjet e tyre të brendshme, duke nisur të kërkonin vendin e tyre në bashkësinë globale. Juridiksioni i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, u njoh nga shumë prej këtyre vendeve të reja, përfshirë Rusinë.
Një pjesëmarrëse e rëndësishme në këtë lëvizje drejt progresit, ishin edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat u bënë burimi i praktikave, institucioneve të përparuara ligjore dhe i të drejtave të njeriut që veprojnë sot në shumë vende.
Kjo lëvizje ishte në vetvete jolineare, dhe SHBA-ja nuk ka luajtur gjithmonë një rol pozitiv. Gjithsesi, ka qenë i rëndësishëm kontributi i saj në promovimin e vlerave dhe normave demokratike të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të të drejtave të njeriut.
Angazhimi i Uashingtonit dukej i padiskutueshëm. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, u shndërrua në një sfidë vendimtare për këtë sistem tepër të brishtë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Për shumicën e vendeve, parimi i preferuar i regjimit të Putinit për zgjidhjen e problemeve ndërshtetërore bazuar në “të drejtën e të fortit”, pra përmes luftës, doli të ishte i papranueshëm.
Vendet demokratike i ofruan Ukrainës ndihmë për ta sprapsur agresionin, megjithëse ndonjëherë ajo ka qenë pamjaftueshme. Që nga fundi i janarit të këtij viti, ka dalë në pah një krizë e re, e shkaktuar nga refuzimi nga SHBA-ja i standardeve dhe parimeve ligjore mbi të cilat u ndërtua bota e pasluftës.
Politika e administratës së re amerikane, po bazohet gjithnjë e më shumë në të njëjtat ide rreth “të drejtës së të fortit”, tek fakti se fuqitë e mëdha mund të vendosin fatin e shteteve të tjera dhe t’u diktojnë atyre kushte.
Në deklaratat dhe vlerësimet që bën, Uashingtoni po mbështetet gjithnjë e më pak në të drejtën ndërkombëtare, dhe vlerësimet e qëndrimet e bazuara në këtë ligj, po rishikohen lehtësisht. Për ne, “bota pa rregulla” nuk mori fund këtë vit, as në shkurtin e vitit 2022 apo edhe në shkurtin e 2014-ë.
Për një çerek shekulli, Putin e ka rindërtuar Rusinë bazuar në mohimin e të drejtave të njeriut (të cilat janë të nënshtruara ndaj “interesave të shtetit”), degradimin e ligjeve dhe pretendimin se të gjithë udhëhiqen nga interesat jo nga vlerat.
Të largohesh nga një rend i bazuar në rregulla të përbashkëta drejt kushteve dhe marrëveshjeve të përcaktuara në mënyrë arbitrare, do të thotë t’u mohosh të drejtën e veprimit si njerëzve ashtu edhe vendeve të tëra.
Duke dashur të gjejë një zgjidhje për krizën kryesore të Evropës, dhe t’i japë fund luftës në Ukrainë, përmes deklaratave dhe veprimeve të tij presidenti amerikan po e barazon agresorin me viktimën e tij.
Gjysmë shekulli më parë, shkencëtari, humanisti dhe aktivisti i madh i të drejtave të njeriut Andrei Sakharov shkroi: “Paqe, progres, të drejtat e njeriut - këto tre qëllime janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën: është e pamundur të arrihet njëri prej tyre, në rast se injorohen dy të tjerët”.
Sot, udhëheqësit botërorë flasin për paqen. Por njëkohësisht, po zhvlerësohen parimet kryesore të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare. Dhe diçka e tillë nuk çon në paqe dhe progres, por në një zinxhir të pashmangshëm katastrofash të reja.
Një paqe e padrejtë, vendos një precedent të rrezikshëm. Ajo e normalizon luftën e Rusisë ruse kundër Ukrainës, duke i hapur dritën jeshile një përsëritjeje të agresionit të jashtëm, dhe një vale të re shtypjeje edhe më të ashpër brenda Rusisë.
Shmangia nga parimet e të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare në praktikën e vendosjes së paqes, e inkurajon pandëshkueshmërinë për krimet, dhe në mënyrë të pashmangshme do të çojë në luftëra të reja agresioni.
Në rrezik do jetë demokracia në shumë vende, pasi rregullat e reja të lojës, do të krijojnë mundësi të gjera për çdo autokrat dhe diktator. Prandaj ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të të gjitha shteteve demokratike, të gjithë politikanëve, për të cilët të drejtat e njeriut nuk janë fjalë boshe dhe shoqërisë civile në të gjitha vendet, që të bëjnë përpjekje të vendosura për ta rikthyer ligjin në politikën ndërkombëtare.
Kjo është e vetmja mënyrë për të krijuar kushte të besueshme për paqe afatgjatë në Evropë, dhe për të parandaluar shfaqjen e konflikteve të reja ushtarake në shkallë të gjerë në të gjithë botën.
Përndryshe, e gjithë bota do të gjendet së shpejti në një situatë, ku fati i njerëzve dhe vendeve, do të vendoset vetëm nga vendet grabitqare imperialiste përmes luftërave dhe pazareve të ndyra. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Moscow Times”
Shënim: Qendra Memorial për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Rusi, është krijuar nga mbështetës dhe ish-punonjës të Shoqërisë Memorial, e cila u shpërbërë me forcë nga autoritetet ruse në vitin 2021.
Lini një Përgjigje