Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se nuk ka përjetuar frikë gjatë momentit kur u evakuua nga darka e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, pasi një person i armatosur tentoi të hynte në ambientet ku zhvillohej aktiviteti.
“Nuk isha i shqetësuar. E kuptoj jetën. Jetojmë në një botë të çmendur”, u shpreh Trump në një intervistë për emisionin “60 Minuta” të CBS, një ditë pas ngjarjes së ndodhur në një hotel në Uashington, DC.
Incidenti ndodhi mbrëmjen e së shtunës në hotelin Washington Hilton, ku një 31-vjeçar, i identifikuar si Cole Thomas Allen, hapi zjarr pranë një pike kontrolli sigurie. Të shtënat shkaktuan panik mes të pranishmëve dhe ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit, të cilat e arrestuan autorin në vend. Ai pritet të përballet me drejtësinë.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se hetimet po zhvillohen nga FBI dhe njësitë kundër terrorizmit, ndërsa motivet e sulmit mbeten ende të paqarta. Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, deklaroi se të dhënat paraprake sugjerojnë se i dyshuari mund të ketë pasur në shënjestër zyrtarë të lartë të administratës së Shtëpisë së Bardhë.
Në momentin e incidentit, Trump ndodhej në event së bashku me figura të rëndësishme të qeverisë amerikane, përfshirë nënpresidentin JD Vance, sekretarin e Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., zëdhënësen Karoline Leavitt dhe këshilltarin Stephen Miller.
Pas evakuimit nga skena, presidenti theksoi para gazetarëve rrezikun që mbart posti i tij: “Nuk mund të imagjinoj një profesion më të rrezikshëm se ky.”
Në një deklaratë të publikuar të dielën, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti “qëndron i patrembur” pas asaj që u cilësua si një tentativë për atentat, gjatë së cilës u qëllua me armë zjarri në drejtim të eventit ku merrnin pjesë ai dhe anëtarë të kabinetit.
Lini një Përgjigje