
Forcat izraelite kanë nisur një seri sulmesh ajrore mbi qytetin e Gaza-s, pas paralajmërimeve për një “sulm të fuqishëm” nga Kryeministri Benjamin Netanyahu.
Arsyeja specifike e sulmit nuk u sqarua, por sulmet vijnë pas një raporti se Hamas kishte qëlluar mbi trupat izraelite në jug të Gaza-s.
Autoritetet izraelite, përfshirë Ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëruan se Hamas do të paguajë “çmim të rëndë” për sulmin dhe për mosrespektimin e marrëveshjes për dorëzimin e trupave të robërve. “Kjo është një kalim i vijës së kuqe, ndaj të cilës ushtria do të përgjigjet me forcë të madhe”, tha Katz.
Nga ana tjetër, Hamas mohon shkeljen e armëpushimit dhe thekson se po përballet me “vështirësi të mëdha” në rikuperimin e trupave të robërve izraelitë. Zyrtarët e grupit kërkuan leje për të hyrë në zonat e rrezikshme për gjetjen e trupave, por kjo u refuzua nga Izraeli. “Ne nuk kemi interes të fshehim ose të vonojmë dorëzimin e trupave dhe jemi plotësisht të përkushtuar ndaj marrëveshjes”, deklaroi Suhail al-Hindi, anëtar i byrosë politike të Hamasit.
Agjencia e Mbrojtjes Civile të Gazës konfirmoi se qyteti është goditur nga të paktën tre sulme ajrore, ndërsa është e paqartë nëse zona të tjera do të preken. Në qytetin Deir el-Balah, dëgjoheshin zhurma të tankeve izraelite, ndërsa Netanyahu kishte urdhëruar intensifikimin e sulmeve mbi Gaza-n.
Lini një Përgjigje