
Pavarësisht se SHBA-ja hodhi mundësinë që Autoriteti Palestinez të marrë një rol në menaxhimin e Gazës së pas luftës, Izraeli duket se ka plane të tjera dhe kundërshton një gjë të tillë.
Kryeministri i izraelit Benjamin Netanyahu ka dhënë detaje lidhur me situatën e krijuar në Gaza nga sulmet e ushtrisë së tij dhe planet e pasluftës.
Në një intervistë për “CNN” Netanyahu u mundua të heqë përgjegjësinë lidhur me sulmet nëpër spitale, duke thënë se Izraeli po i ndihmon pacientët duke krijuar korridore të sigurta mes luftimeve në terren. Ai akuzoi Hamasin se po përdor civilët si mburojë, teksa theksoi se nuk sheh asnjë arsye përse nuk mund t’i evakuojë pacientët nga spitale.
"Ne kemi caktuar rrugë për në një zonë të sigurt në jug të qytetit të Gazës. Ne duam që të gjithë civilët të largohen nga rreziku. Por Hamasi po bën gjithçka në fuqinë e tij për t'i mbajtur ata në rrugën e keqe. Ne kemi bërë thirrje për të evakuuar të gjithë pacientët nga ai spital (Al-Shifa, më i madhi i Gazës) dhe rreth 100 janë evakuuar tashmë. Nuk ka asnjë arsye pse ne nuk mund t'i nxjerrim pacientët nga atje”, tha Netanyahu për CNN.
Izraeli më herët njoftoi një korridor pranë Al-Shifa, por Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se nuk mund të konfirmonte se kishte ndodhur ndonjë evakuim.
Më tej, për të justifikuar sulmin e tij vdekjeprurës në Gaza, Netanyahu tha se po bënte të njëjtën gjë që SHBA do të bënte në të njëjtën situatë.
"Do të merrte të gjithë forcën e saj dhe do të shkonte pas këtyre vrasësve”, tha ai.
Kur u pyet për planet e Izraelit të pasluftës për Gazën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dukej se përjashtoi mundësinë e dorëzimit të kontrollit, tek Autoriteti Palestinez (PA), duke thënë se organizata kishte dështuar në "çmilitarizimin" dhe "deradikalizimin" e Gazës në të kaluarën.
Ai i tha CNN se prioriteti i parë i Izraelit ishte shkatërrimi i Hamasit, teksa shtoi se pas kësaj Izraeli do të vendosë trupat e tij në Gaza, me justifikimin, për të shmangur ringritjen e terrorizmit.
"Një autoritet civil duhet të bashkëpunojë në dy qëllime; njëri është çmilitarizimi i Gazës dhe i dyti është deradikalizimi i Gazës. Dhe më duhet të them se Autoriteti Palestinez ka dështuar për fat të keq në të dyja pikat. Ne do të vendosim një autoritet civil në Gaza për të shmangur rënien në të njëjtën vrimë lepuri. Ne duhet t'i japim Gazës një të ardhme më të mirë, le të mos e çojmë atë në një të kaluar të dështuar", tha ndër të tjera Netanyahu.
Pavarësisht se SHBA-ja hodhi mundësinë që Autoriteti Palestinez të marrë një rol në menaxhimin e Gazës së pas luftës, Izraeli duket se ka plane të tjera dhe kundërshton një gjë të tillë.
Nga ana tjetër Netanyahu refuzoi të përgjigjet nëse do të merrte përgjegjësinë për dështimin për të parandaluar sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit, duke thënë se do të kishte kohë për pyetje të tilla "të vështira" pasi të përfundojë lufta.
"Ne do t'u përgjigjemi të gjitha këtyre pyetjeve. Tani për tani, unë mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të bashkojmë vendin për një qëllim; për të arritur fitoren. Le të fokusohemi te fitorja – kjo është përgjegjësia ime tani”, tha ai.
Ndërsa sa i takon situatës së pengjeve, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha CNN se po bën gjithçka që mundet gjatë gjithë kohës për të liruar më shumë se 200 pengjet e kapur nga Hamasi.
“Ky është një nga dy qëllimet tona të luftës. Njëra është të shkatërrojmë Hamasin dhe e dyta është të kthejmë pengjet tanë”, tha ai.
Në përfundim ai tha se e gjithë bota duhet të bashkohet me Izraelin në përpjekjen për të liruar pengjet, teksa shtoi se armëpushimi do të konsiderohet vetëm në momentin kur të lirohen pengjet./CNN
Lini një Përgjigje