
Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë njeriun që komandoi luftëtarët e Hamasit, të cilët arritën të hynin në Izrael më 7 tetor dhe dyshohet se ishte përgjegjës për sulmet me dronë në postet ushtarake izraelite.
Forca e Mbrojtjes e Izraelit në rrjetin social X, të njohur më parë si Twitter kanë shkruar:
"Brenda natës, avionët luftarakë të IDF-së goditën Asem Abu Rakaba, kreun e grupit ajror të Hamasit. Abu Rakaba ishte përgjegjës për UAV-të e Hamasit (mjetet ajrore pa pilot. Në anglisht unmanned aerial vehicles), dronët, deltaplanë, zbulimin ajror dhe mbrojtjen. Ai mori pjesë në planifikimin e masakrës së 7 tetorit dhe komandonte terroristët që u infiltruan në Izrael me deltaplanë dhe ishte përgjegjës për sulmet me dronë në pozicionet ushtarake izraelite”.
Mbrëmjen e së premtes (27 tetor) forcat ajrore dhe tokësore izraelite zgjeruan sulmet e tyre ndaj Hamasit në Rripin e Gazës, njoftoi ushtria izraelite, dhe grupi militant palestinez konfirmoi se luftëtarët e tij po shkëmbenin zjarr me forcat izraelite në disa vendndodhje përgjatë kufirit me Izraelin, përfshirë në Bureij.

Kompania telefonike palestineze Pailtel thotë se shërbimi i internetit në Gazë është ndërprerë për shkak të bombardimeve izraelite.
Shërbimi u ndërpre të premten mbrëma, pas një sërë sulmesh të rënda ajrore në territor.
Izraeli ka dislokuar qindra mijëra trupa në kufirin me Gazën, në prag të një sulmi të mundshëm me trupa tokësore ndaj grupit militant të Hamasit.
Ministri izraelit i mbrojtjes tha të premten se Izraeli pret që së shpejti të kryejë një ofensivë afatgjatë dhe të vështirë me trupa tokësore në Gazë, duke shtuar se sulmi do të përfshijë edhe shkatërrimin e një sërë tunelesh që përdoren nga militantët e Hamasit.
Ministri i mbrojtjes, Yoav Gallant u tha gazetarëve të huaj se sulmi “do të marrë kohë” dhe do të pasohet nga një fazë e gjatë me luftime me intensitet më të ulët që Izraeli të shkatërrojë çdo pikë rezistence.
Komentet e tij duket se sinjalizojnë një faze të re të luftës, tre javë pas sulmit të befasishëm të Hamasit ndaj Izraelit. Izraeli është kundëpërgjigjur me bomardime të rënda dhe të vazhdueshme në Gazë.

Izraeli thotë se synon të eliminojë Hamasin, por se si do ta bëjë këtë mbetet e paqartë. Izraeli thotë se nuk synon të qeverisë territorin e vogël me një popullsi prej 2,3 milionë palestinezësh, por jo se kush do t'i qeverisë ata, edhe pse zoti Gallant la të kuptohet se forcat mund të përballen me një kryengritje afatgjatë.
Ndërkohë, avionë luftarakë amerikanë, kryen sulme ajore ndaj objektivave në lindje të Sirisë, pas sulmeve ndaj forcave amerikane nga luftëtarë të mbështetur nga Irani, duke shtuar tensionet në rajon të nxitura nga konflikti tre javor në Gazë.
Që kur Izraeli nisi sulmet ajrore, në përgjigje të ndërhyrjes së grupit militant të Hamasit, në 7 tetor, numri i palestinezëve të vrarë ka shkuar në mbi 7300. Më shumë se 1400 banorë izraelitë janë vrarë, shumica civilë, gjatë sulmit të befasishëm të grupit militant të Hamasit, i sanksionuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Lini një Përgjigje