Ushtria izraelite ka deklaruar se ka rifituar “kontrollin e plotë” të murit ndarës që u thye në disa fronte nga grupi palestinez, Hamasi.
Izraeli ka rifituar kontrollin e plotë të murit ndarës që u thye në disa fronte nga grupi palestinez i Hamasit, i cili kreu një sulm masiv në fundjavë.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se në 24 orët e fundit askush nuk është infiltruar në murin prej 40 km, megjithëse ai nuk e përjashtoi mundësinë që disa nga luftëtarët e Hamasit të jenë ende brenda zonave të kontrolluara nga Izraeli.
Më shumë se 20 pika të murit ndarës u thyen kur Hamasi nisi një sulm të papritur vdekjeprurës të shtunën.
Hagari tha se ushtria tani po minon boshllëqet në mur për të parandaluar kalimin e luftëtarëve.
Muri konsiderohet nga izraelitët si një pengesë sigurie, por nga palestinezët shihet si një simbol i aparteidit dhe shtypjes së njerëzve që jetojnë në Gaza.
Luftimet në Izrael dhe Rripin e Gazës po vijojnë prej 4 ditësh, teksa Hamasi ka marrë rreth 100 pengje dhe thotë se objektivi i tyre është shkëmbimi i të burgosurve me palestinezët e mbajtur në Izrael. Kështu tha një militant i grupit të Hamasit.

Ali Barakeh tha se Hamasi ka një arsenal raketash afatgjatë.
"Ne jemi përgatitur mirë për këtë luftë dhe për t'u përballur me të gjithë skenarët, duke përfshirë një luftë të gjatë," tha Barakeh, duke shtuar se Hamasi do të përdorë pengjet për të siguruar lirimin e njerëzve të mbajtur në burgjet izraelite dhe madje edhe të disa palestinezëve të burgosur në SHBA.
Nga ana tjetër kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu thotë se hakmarrja e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit për sulmin më të keq në tokën izraelite në dekada sapo ka filluar.
Rreth 900 njerëz kanë vdekur në Izrael që nga sulmi i papritur i së shtunës, duke përfshirë 260 njerëz të masakruar nga persona të armatosur të Hamasit në një festival muzikor. Që kur Izraeli filloi të sulmonte Gazën si përgjigje, pothuajse 690 njerëz kanë vdekur në anën palestineze.
Krahu i armatosur i Hamasit ka kërcënuar se do të vrasë një peng sa herë që Izraeli kryen një sulm ajror pa paralajmëruar civilët.

Lini një Përgjigje