
Një këshilltar i udhëheqësit suprem fetar të Iranit, Ajatollah Khamenei, tha sot se "nuk do të ketë" negociata mbi programin bërthamor të Teheranit nëse SHBA-të këmbëngulin në ndalimin e pasurimit të uraniumit, raportoi Al Arabiya.
"Nëse negociatat kushtëzohen me ndalimin e pasurimit, atëherë me siguri nuk do të ketë negociata të tilla", tha Ali Akbar Velayati, një këshilltar i Ajatollah Ali Khameneit, sipas agjencisë së lajmeve Irna.
Kjo deklaratë u bë gjatë takimit të Velayati-t në Teheran me Ministrin e Brendshëm pakistanez Mohsin Naqvi.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara kishin qenë të angazhuara në pesë raunde bisedimesh që nga prilli, të ndërmjetësuara nga Omani, derisa Izraeli nisi një sulm ndaj Iranit më 13 qershor, duke çuar në "luftën 12-ditore".
Delegacionet e SHBA-së dhe Iranit ishin planifikuar të takoheshin më 15 qershor, por bisedimet u shtynë për shkak të luftës.
Sot, Presidenti iranian Masoud Peskov përsëriti se vendi i tij qëndron “për diplomacinë”. “Ne vazhdojmë të besojmë se dritarja e diplomacisë është e hapur dhe ne do ta ndjekim seriozisht këtë rrugë paqësore”, shtoi ai.
Irani nuk e ka përjashtuar rifillimin e bisedimeve me SHBA-në, por, siç tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmail Baghai, nuk është rënë dakord për një datë apo vend për një takim midis Ministrit të Jashtëm Abbas Araghchi dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së Steve Witkoff.
Lini një Përgjigje