TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Shkurt 2026, 21:30

Identifikohet autori i masakrës në Kanada, sulmi në shkollë u krye nga një transgjinor

Shkruar nga Pamfleti
Identifikohet autori i masakrës në Kanada, sulmi në shkollë
Foto nga zona ku ndodhi sulmi

Një sulm me armë zjarri në një shkollë të mesme në komunitetin Tumbler Ridge, në provincën e Kolumbisë Britanike në Kanada, la tetë persona të vrarë dhe mbi 20 të plagosur. Autoritetet kanadeze identifikuan si autore të dyshuar 18-vjeçaren Jesse van Rootselaar, e cila më pas i dha fund jetës me armë zjarri në ambientet e shkollës.

Sipas policisë, van Rootselaar kishte lindur biologjikisht mashkull dhe prej gjashtë vitesh kishte nisur procesin e tranzicionit gjinor, duke u vetëidentifikuar si grua. Hetuesit nuk gjetën një shënim vetëvrasjeje, ndërsa motivet e sulmit mbeten nën verifikim.

Autorja kishte braktisur të njëjtën shkollë rreth katër vite më parë. Policia konfirmoi se mes viktimave janë një mësuese 39-vjeçare, tre vajza 12 vjeç, dy djem 12 dhe 13 vjeç, një tjetër 39-vjeçare dhe një djalë 11 vjeç. Dy prej viktimave – nëna dhe gjysmëvëllai i 18-vjeçares – u gjetën të vrarë në një banesë.

Autoritetet fillimisht raportuan për nëntë viktima, por më vonë e rishikuan bilancin në tetë, pasi një e plagosur rëndë mbeti në jetë.

Policia bëri të ditur se në vitet e fundit ishte thirrur disa herë në banesën e familjes van Rootselaar për çështje që lidhen me shëndetin mendor, ndërsa në disa raste raportimet përfshinin edhe armë zjarri. Në vendngjarje u sekuestruan një pushkë gjahu dhe një pistoletë, të cilat janë dërguar për ekspertizë balistike.

Sulmi ndodhi të martën pasdite. Forcat e rendit mbërritën në shkollë dhe gjetën gjashtë persona të pajetë, ndërsa dhjetëra të tjerë të plagosur. Dy të plagosur u transportuan me helikopter drejt një spitali rajonal me lëndime të rënda ose kërcënuese për jetën, ndërsa rreth 25 persona morën ndihmë mjekësore në qendrën lokale shëndetësore.

Tumbler Ridge është një komunitet i vogël me rreth 2.400 banorë. Ngjarje të tilla mbeten të rralla në Kanada, e cila ka legjislacion më të rreptë për armët krahasuar me Shtetet e Bashkuara. Sulmet masive në mjedise shkollore konsiderohen veçanërisht të pazakonta.

Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet pas sulmit, me forca të armatosura policie që rrethojnë kompleksin shkollor, ndërsa nxënësit dhe stafi largohen me shpejtësi nga godina. Një helikopter monitoronte zonën nga ajri.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të sqaruar motivet e autores.

 

kanada sulm transgjinor

Lini një Përgjigje