
Ish-e dashura e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, ka sulmuar hapur bashkëshorten e këtij të fundit, duke thënë se po reklamon jetën e luksit nëpër rrjetet sociale, pas arrestimit të tij.
Allison Guerriero kritikoi Pamela McGonigal për shfaqjen e një sërë fotosh në rrjetet sociale gjatë pushimeve të saj në Palm Beach, Florida, si dhe frekuentimin e restoranteve apo vendeve tepër luksoze.
Kujtojmë se Gueriero është rrëfyer më parë se McGonigal qarkullonte shuma të mëdha parash të cilat sipas saj i shpenzonte për të bërë një jetë tepër të shtrenjtë. Për këtë arsye, ish e dashura e McGonigal ngre dyshime për paratë që shpenzon gruaja e tij aktualisht.
“McGonigal, 54 vjeç, akuzohet për pastrim parash dhe shkelje të sanksioneve të SHBA-së pasi është përpjekur të largojë miliarderin e aluminit Oleg Deripaska nga lista e non-grata-ve. Ai akuzohet gjithashtu se ka pranuar 225 mijë dollarë nga një ish-agjent i inteligjencës për Shqipërinë”, shkruan Daily Mail.
McGonigal u arrestua më 21 janar në aeroportin JFK pasi u kthye nga Sri Lanka, ndërsa u lirua nga gjykata dy ditë më vonë, pasi ai pagoi një garanci prej 500,000 dollarësh. Procesi për gjykimin e tij ende vazhdon dhe pritet që drejtësia amerikane të marrë një vendim për të së shpejti.
Ndërkohë kujtojmë se në dosjen e tij, përmendet disa herë edhe emri i kryeministrit Edi Rama. Ishte pikërisht Guerriero e cila foli për raportin që McGonigal kishte me Shqipërinë dhe zyrtarët këtu, duke treguar ato çfarë kishte parë dhe dëgjuar gjatë lidhjes së fshehtë që kishte me të.




Lini një Përgjigje