
Ihor Zhovkva, një këshilltar i lartë diplomatik ukrainas, tha për CNN se nuk përjashtohet mundësia që sulmi raketor rus të kishte shënjestër dy liderët, presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyn dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Një raketë ruse shpërtheu shumë pranë ndërsa të dy liderët po vizitonin qytetin port të Detit të Zi të Odesa ditën e djeshme.
“Ishte vërtet më pak se 500 metra larg nesh. Çfarë ishte ajo? …Nuk mund të përjashtuar se ishte drejtuar delegacionit të presidentit tim apo delegacionit të mysafirëve të huaj”, u shpreh këshilltari ukrainas.
Greqia e ka kritikuar ashpër agresionin e Rusisë dhe i ka ofruar Kievit ndihma humanitare dhe armë, duke përfshirë automjete luftarake dhe municione.
“Dëgjuam zhurmën e sirenave dhe shpërthimeve që ndodhën pranë nesh. Nuk patëm kohë të shkonim në një vend të sigurt strehimi. Është një përvojë shumë e rëndë… është vërtet ndryshe të lexosh për luftën në gazeta se sa ta dëgjosh me veshët e tu dhe ta shohësh atë me sytë e tu”, tha kryeministri grek Mitsotakis.
Presidenti ukrainas Zelensky tha se sulmi kishte shkaktuar viktima, por nuk tregoi detaje mbi numrin e viktimave dhe të plagosurve.
“Mund ta shihni vetë se me çfarë po përballemi. Ata nuk e vrasin mendjen se ku sulmojnë”, tha Zelensky në një konferencë të përbashkët shtypi.
Lini një Përgjigje