TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Maj 2024, 22:59

Historiani palestinez:Netanyahu dhe qeveria e tij duan të varrosin çdo lloj shansi për paqe

Shkruar nga Benjamin Barthe

Historiani palestinez:Netanyahu dhe qeveria e tij duan të varrosin

Shtatë muaj luftë në Gaza. Ajo që nisi si një operacion hakmarrjeje për sulmin terrorist të 7 tetorit 2023, është shndërruar në një masakër të përmasave të tmerrshme, të cilën duket se nuk mund ta ndalojë dot asgjë.

Shtatë muaj pas fillimit të luftës në Gaza, Elias Sanbar, ish-ambasadori i Palestinës në UNESCO, eseist dhe përkthyes në gjuhën frënge i poetit Mahmoud Darwish, analizon dinamikat politike dhe ushtarake në Izrael dhe territoret e pushtuara në vendin e tij. Libri i botuar së fundmi prej tyre titullohet “Lufta e fundit”.

Shtatë muaj luftë në Gaza. Ajo që nisi si një operacion hakmarrjeje për sulmin terrorist të 7 tetorit 2023, është shndërruar në një masakër të përmasave të tmerrshme, të cilën duket se nuk mund ta ndalojë dot asgjë. Si e analizoni këtë luftë?

Kjo luftë mund të shihet si një “rikthim në pikën fillestare”. Është në thelb e ndryshme nga të gjitha luftërat e tjera arabo-izraelite, pasi na rikthen në luftën origjinale midis popullit palestinez dhe komunitetit hebre në Palestinë. E cilësuar me të drejtë nga disa historianë si një luftë “civile”, lufta e parë nisi me votimi e OKB-së për ndarjen e Palestinës më 29 nëntor 1947, dhe përfundoi me hyrjen e ushtrive arabe në luftë më 15 maj 1948, një ditë pasi Izraeli shpalli pavarësinë e tij.

Cilat janë karakteristikat e kësaj përplasjeje midis dy protagonistëve historikë?

Unë shoh tre të tilla. Së pari lufta po zhvillohet midis palestinezëve dhe hebrenjve. Ajo po ndodh në të gjithë territorin e Palestinës historike, brenda kufijve të Palestinës së Mandatit Britanik. Së dyti, për të dyja palët kjo luftë ka një dimension ekzistencial, përderisa prania e njërës apo tjetrës në Palestinë do të varet nga rezultati i luftimeve.

Pjesa më e madhe e Nakba-s (“Katastrofa” në arabisht, dëbimi i thuajse 800.000 palestinezëve) ka ndodhur gjatë atyre 5 muajve e gjysmë. Izraeli e ka fshehur gjithmonë faktin se më 15 maj 1948, ditën kur në Palestinë hyri ushtari i parë arab, palestinezët ishin tashmë refugjatë. Ishte një skemë, për ta paraqitur dëbimin tonë si pasojë e agresionit arab. Më 15 maj 1948, nisi një histori alternative.

Në çfarë mënyre është ekzistenciale edhe lufta e nisur më 7 tetor 2023, e lidhur me atë luftën e parë të viteve 1947-1948?

Që nga 7 tetori i vitit të kaluar, palët po luajnë si në një lojë shahu, e nisur nga një krim lufte i kryer nga Hamasi, të cilit ushtria izraelite i është përgjigjur për gati 7 muaj me një varg të tmerrshëm krimesh lufte. Qëllimi i sulmit të Hamasit, ishte ta detyronte Izraelin të mësynte në Gaza, ku dhe u bllokua.

Lëvizja islamike donte që të shkëputej nga modeli i luftërave të mëparshme (2008-2009, 2012, 2014, 2021), të cilat nuk arritën të ndryshonin ekuilibrin e fuqisë. Kundërpërgjigja e Izraelit ka qenë hapja e jo një por e disa fronteve:në Gaza, me bombardime të një shkalle të paprecedentë; në Bregun Perëndimor, me sulmet vrastare të ushtrisë ndaj civilëve dhe ngacmimet e vazhdueshme të kolonëve; në Izrael, ku palestinezët gjenden në një presion ekstrem; dhe kundër UNRWA, agjencisë e OKB-së për ndihmën ndaj refugjatëve.

Benjamin Netanyahu dhe koalicioni i tij i ekstremit të djathtë, mendojnë se Hamasi u ka dhënë atyre mundësinë për të realizuar një ëndërr:përfundimin e punës së lënë përgjysmë nga David Ben Gurion (babai themelues i Izraelit):spastrimin etnik të gjithë Palestinës.

Deri më tani, nuk ka pasur eksod masiv nga Rripi i Gazës...

Dy janë arsyet për këtë dukuri:Hamasi po i bën një rezistencë ushtrisë izraelite, të cilën askush nuk e priste. Së dyti banorët e Gazës e dinë - siç e dinë të gjithë palestinezët që nga Nakba - se po ike, nuk mund të kthehesh më. Duke pasur parasysh bombardimet e rënda ndaj të cilave është ekspozuar, popullsia e grumbulluar në Rafah mund të shpërthejë lehtësisht kufirin me Egjiptin dhe të strehohet në Sinai.

Por ata nuk e bën këtë, pasi e kupton se ky do të ishte fundi i atdheut të tyre. Masakrat mund të bëhen më të tmerrshme, dhe mund të shihnim një eksod. Por tani për tani, banorët e Gazës po durojnë. Ata refuzojnë të largohen. Dhe sa më shumë të kalojë koha, aq më e vështirë do të jetë për qeverinë izraelite që të arrijë qëllimet e saj. Që të kesh sukses në një spastrim etnik, duhet të lëvizësh shumë shpejt, dhe të mos i japësh kohë botës të reagojë.

Po strategjinë e Hamasit si e vlerësoni?

Hamasi bëri lëvizjen e parë dhe deri tani po reziston. Madje jo vetëm që nuk ka dalë jashtë loje, por ka tashmë një rol qendror në peizazhin politik palestinez. Ushtria izraelite mund të eleminojë të gjithë liderët e saj, duke filluar nga Jahya Sinëar (organizatori i 7 tetorit), por Hamasi do të mbijetojë.

Kjo duket edhe nga shpejtësia me të cilën po rishfaqen batalionet e saj, që supozohej se ishin shkatërruar. Në veri dhe në qendër të Rripit të Gazës, ku Izraeli pretendon se ka marrë kontrollin, kanë rifilluar përleshjet dhe raketat e tyre nuk janë ndalur asnjëherë. Kjo është një luftë e hapur, ku çdo gjë është e mundur.

Por Rripi i Gazës është shkatërruar, dhe do të duhen dekada për të marrë veten nga kjo luftë. A nuk është pjesërisht përgjegjës Hamasi për këtë katastrofë?

Unë nuk jam në terren, por mendoj se për momentin solidariteti po fiton mbi zemërimin. Imazhet e luftëtarëve të Hamasit që dalin nga tunelet e tyre, të armatosur me një raketahedhës të thjeshtë dhe duke sulmuar ushtarët izraelitë që duken si Robocops, janë tejet mbresëlënëse për palestinezët.

Po ashtu e dimë se dita-ditës, krimet e kryera nga ushtria pushtuese gjenerojnë një grup vullnetarësh të etur për të luftuar. Është një tipar klasik i luftërave koloniale. Sigurisht, kjo  nuk do të thotë se nuk ka zemërim ndaj Hamasit. Gazetarja e Haaretz, Amira Hass, e cila e njeh shumë mirë Gazën, ka raportuar disa dëshmi mbi këtë çështje. Por këto reagime mbeten të kufizuara. Kur të ndalen luftimet, do të jemi në gjendje të vlerësojmë shtrirjen ose jo të pakënaqësisë kundër Hamasit.

Përtej masakrës së 7 tetorit, që për disa rikujtoi traumën e Holokaustit, sa ekzistenciale është kjo luftë për izraelitët?

Sot në Izrael ka dy lloje zërash. Është pikëpamja e pakicës, se kjo luftë është e pafitueshme, se ajo duhet të ndalet përpara se pasojat e saj të bëhen katastrofike, dhe se përparësi duhet të ketë lirimi i pengjeve. Pastaj, ka edhe nga ata që janë të zhgënjyer nga paaftësia e ushtrisë për të çrrënjosur Hamasin nga Gaza, dhe që po kërkojnë më shumë hakmarrje dhe dhunë kundër civilëve palestinezë. Është një qëndrim, të cilin historiani i njohur izraelit Yuval Noah Harari, e ka përshkruar një artikull të gjatë të botuar së fundmi në gazetën “Haaretz” si Sindroma e Samsonit:Tundimi i vetëvrasjes kolektive.

Ç’doni të thoni me këtë?

Që izraelitët po zhdukin çdo lloj mundësie pajtimi midis dy popujve, dhe kjo është vetëvrasje. Për ta kuptuar këtë, le të ndalemi pak në histori. Pas rrethimit të Bejrutit në vitin 1982, Organizata për Çlirimin e Palestinës nisi të shqyrtonte mundësinë e një zgjidhjeje politike të konfliktit, që izraelitët dhe palestinezët të jetonin krah për krah.

Paralelisht me negociatat me atë që atëherë njihej si kampi i paqes në Izrael, OÇP kreu një fushatë shumë të vështirë, në të cilën mora pjesë edhe vetë, për të bindur shoqërinë tonë se një pakt i tillë nuk ishte një tradhti. Në mbledhjen e vitit 1988 të Këshillit Kombëtar Palestinez në Algjer, u votua në shumicë në favor të një zgjidhjeje politike të konfliktit.

Kjo nismë është varrosur tashmë në Gaza. Si mund të rifillojë dialogu, pasi janë masakruar 15.000 fëmijë? Niveli i urrejtjes ndaj Izraelit në opinionin palestinez, nuk ka qenë kurrë kaq i lartë sa sot. Netanyahu dhe qeveria e tij e kolonëve, po luajnë një lojë me pasoja fatale. Ata duan të varrosin njëherë e përgjithmonë shanset e paqes.

Sa u përket palestinezëve, vështirë se mund të dëgjohet një zë politik që të justifikojë kalvarin që ata po kalojnë...

Për dekada, dhe me mbështetjen aktive të SHBA-së, Izraeli ka lënë duarbosh çdo bashkëbisedues palestinez të interesuar për të arritur një paqe të drejtë. Po ashtu, qeveria izraelite ka thelluar në mënyrë aktive ndarjen midis grupit pluralist Fatah dhe organizatave islamike, përfshirë Hamasin.

Nën këtë atmosferë dështimi dhe pafuqie, brenda disa elitave palestineze janë shfaqur disa probleme të rënda, përfshirë dorëheqjen politike. Një pjesë e shpresës për një udhëheqje të re qëndron tek të burgosurit. Ka një potencial të madh midis liderëve që mund të lirohen në një shkëmbim me pengjet izraelite.

Dhe nuk po flas vetëm për Marwan Barghouti, një udhëheqës i lartë i Fatahut dhe lajmëtar i Intifadës së dytë, i dënuar me burgim të përjetshëm. Vitet e fundit, ka pasur komunikime të përbashkëta e cilësore nga të burgosurit nga Fatah, Hamas, Xhihadi Islamik dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës.

Edhe diaspora palestineze po ndërmerr shumë nisma për t’u përgatitur për atë që do të ndodhë pas luftës...

Palestinezët që jetojnë në mërgim, përbëjnë 60 për qind të popullit tonë. Që të jetë e zbatueshme një zgjidhje e caktuar, ajo duhet të përfshijë Organizatën për Çlirimin e Palestinës, vokacioni i së cilës është të përfaqësojë të gjithë palestinezët, ndryshe nga Autoriteti Palestinez, që përfaqëson vetëm palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Gaza. Hamasi, që aktualisht nuk është anëtar i OÇP-së, ka deklaruar se nëse do të mbaheshin zgjedhje që do ta lejojnë të rikthehet tek ky organ, ai do të ishte i përgatitur të respektonte rezultatet. Çelësi i një reforme radikale, është të shkohet tek zgjedhjet. Por ne jemi ende shumë larg nga ky moment. Për momentin, jemi më pranë katastrofës sesa shpresës./Përshtati "Pamfleti" nga “Le Monde”

Lini një Përgjigje