
Pasagjerët që planifikojnë të udhëtojnë nga apo drejt Italisë më 26 shtator duhet të përgatiten për vonesa dhe anulime të mundshme të fluturimeve, për shkak të një greve të shpallur nga sindikatat në sektorin e transportit ajror.
Greva 24-orëshe është thirrur nga sindikatat CUB Trasporti dhe USB, dy ndër më të mëdhatë për punonjësit e sektorëve bazë në Itali.
Shkak janë bërë pagat dhe kushtet e punës, të cilat, sipas sindikatave, janë të papranueshme.
Nga greva do të goditen edhe operacionet tokësore. Punonjësit e bagazheve të punësuar nga kompania Assohandlers do të protestojnë nga ora 10:00 deri në 14:00, ndërsa shoferët në aeroportet e Milanos do të jenë në grevë gjatë gjithë ditës.
Edhe stafi i sigurisë në Aeroportin e Cagliarit Elmas, në Sardenjë, do të marrë pjesë në grevë për gjithë ditën.
Pilotët dhe ekuipazhet e kabinës nga linjat ajrore me kosto të ulët Volotea dhe Wizz Air Malta do t’i bashkohen gjithashtu grevës 24-orëshe, duke protestuar për pagat e ulëta dhe kushtet e dobëta të punës.
Greva nuk nënkupton se të gjitha fluturimet do të anulohen. Autoriteti italian i aviacionit civil (ENAC) ka njoftuar se fluturimet e planifikuara në intervalet kohore 07:00–10:00 dhe 18:00–21:00 do të kryhen normalisht, pasi konsiderohen si shërbime të garantuara.
Jashtë këtyre orareve, janë të mundshme anulime dhe vonesa. Udhëtarëve u këshillohet të kontaktojnë linjat ajrore përpara nisjes dhe të planifikojnë kohë shtesë për udhëtimet.
“Në aeroportet e Linate, Malpensa dhe Bergamo, kompanitë kanë refuzuar të kompensojnë punëtorët për të drejtat e tyre. Është koha të paguajnë atë që u detyrohen,” thuhet në një deklaratë të organizatorëve të grevës.
Sipas tyre, “trafiku i pasagjerëve dhe mallrave po rritet, por shfrytëzimi i punëtorëve po thellohet, ndërsa të drejtat dhe pagat e tyre po ulen”.
Organizatorët kanë theksuar gjithashtu se greva ka edhe një karakter solidarizues: “po mobilizohemi edhe për popullin palestinez dhe viktimat e gjenocidit, si dhe për të shprehur mbështetje për Flotiljen Global Sudum, anijen humanitare e udhëhequr nga Greta Thunberg, e cila u godit nga dronë në brigjet e Kretës”.
Një tjetër grevë kombëtare 24-orëshe në sektorin hekurudhor do të nisë në orën 21:00 të datës 2 tetor dhe do të zgjasë deri në orën 21:00 të datës 3 tetor. Më 13 tetor, janë planifikuar greva të reja në aeroportet e Romës (Fiumicino), Pizës dhe Firences.
Ndërkohë, punonjësit e Swissport Italia në Milano Linate do të grevojnë sërish më 29 tetor.
Lini një Përgjigje