
Një operacion i befasishëm i policisë greke në Oropo dhe Halkoutsi ka çuar në pranga gjashtë shtetas turq, të cilët akuzohen për lidhje me një rrjet kriminal ndërkombëtar.
Gjatë kontrolleve në vilat luksoze ku fshiheshin, autoritetet sekuestruan: armë zjarri me silenciator; sasi të mëdha narkotikësh; makina të shtrenjta dhe të blinduara; si dhe fletore me shënime të koduara mbi transaksione dhe emra personash.
Në qendër të hetimit është një 29-vjeçar, i cili kishte blerë një vilë prej 800 mijë eurosh për të siguruar “Golden Visa” dhe lëvizte me një makinë të blinduar. Ai është në kërkim në Turqi për shtatë vepra penale dhe konsiderohet si udhëheqësi i organizatës. Sipas burimeve, pseudonimi i tij është “Reiz”.
Gjatë marrjes në pyetje, i riu u shpreh se “e do Greqinë dhe dëshiron të jetojë përgjithmonë aty”, ndërsa për makinën e blinduar justifikoi se kishte frikë nga rrëmbimet nga rivalë turq, pasi vinte nga një familje e pasur.
Sipas mediave greke, ai ishte nën vëzhgim nga Shërbimi Sekret grek (EYP) prej një viti, së bashku me 40 persona të tjerë të dyshuar për lidhje me mafien turke. Babai i tij, i njohur me nofkën “Kuzhinieri”, ishte arrestuar në Turqi më 2019 për trafik heroine.
Hetuesit dyshojnë se 29-vjeçari kishte kontakte edhe me anëtarë të grupit të famshëm mafioz të Dundar Kilic, një prej figurave më të njohura të krimit në Turqi, i vrarë në vitin 1999, por me organizatë ende aktive.
Grupi i tij dyshohet se përdorte kompani transporti për të futur në Greqi dhe më tej në Spanjë makina të shtrenjta nga Bullgaria, duke kryer transaksione me shuma të mëdha parash.
Gjatë kontrollit në vilën e Oropoit, u arrestuan edhe katër persona të tjerë, mes tyre vëllai i “Reizit”. Njëri prej tyre u përpoq të hidhte drogën në tualet, duke pretenduar se ishte për përdorim personal.
Autoritetet gjetën gjithashtu tre fletore me të dhëna financiare dhe emra të koduar. Një tjetër i arrestuar pranoi se pistoleja Glock me silenciator i përkiste atij dhe e mbante për mbrojtje personale.
Sipas policisë, vilat luksoze dhe makinat e blinduara shërbenin si mbulim për aktivitetet e pastrimit të parave dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.
Lini një Përgjigje