TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Korrik 2025, 19:25

Gjurmët e fshira të një vrasjeje? Rasti Epstein dhe të vërtetat që SHBA nuk do t’i zbulojë

Shkruar nga Pamfleti

Gjurmët e fshira të një vrasjeje? Rasti Epstein dhe të

Manipulim provash, kamera që nuk funksionuan dhe heshtje zyrtare, çfarë fshihet pas vdekjes së njeriut që dinte gjithçka për elitën e errët?

Vdekja e financierit Jeffrey Epstein, i akuzuar për abuzime seksuale dhe trafik ndërkombëtar të të miturve, më 10 gusht 2019 në burgun federal Metropolitan Correctional Center (MCC) në New York, vijon të ngjallë pikëpyetje të thella. Një investigim i fundit i revistës Wired ka hedhur dritë mbi parregullsitë në videot e sigurisë të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ), duke rihapur debatin mbi një prej rasteve më të errëta dhe më të kontestuara të dekadës së fundit.

Departamenti ka publikuar rreth 11 orë filmime të përshkruara si “të papërpunuara”, të regjistruara nga një kamerë sigurie pranë qelisë së Epstein natën para vdekjes. Ky veprim synonte të përgënjeshtronte teoritë konspirative që hedhin dyshime mbi versionin zyrtar të vetëvrasjes. Por analiza e Wired, në bashkëpunim me dy ekspertë të pavarur, përfshirë Hany Farid (profesor në UC Berkeley dhe specialist në analizën e mediave dixhitale), zbuloi se videoja nuk është një eksport i drejtpërdrejtë nga sistemi i monitorimit të burgut.

Videoja e “modifikuar” dhe metadatat e dyshimta

Sipas analizës, metadatat tregojnë se videoja është modifikuar, me shumë mundësi përmes programit Adobe Premiere Pro, dhe përbëhet nga të paktën dy klipe të ndara MP4: “2025-05-22 21-12-48.mp4” dhe “2025-05-22 16-35-21.mp4”. Skedari është ruajtur disa herë brenda 23 minutave më 23 maj 2025 nga një llogari Windows e emërtuar “MJCOLE~1”. Farid thekson se këto ndërhyrje e vënë seriozisht në dyshim vlefshmërinë ligjore të skedarit: “Nëse një avokat do ma sillte këtë dosje, do i thoja: ‘Kthehu te burimi, bëje siç duhet’”.

Gjurmët e fshira të një vrasjeje? Rasti Epstein dhe të

Videoja përmban edhe një “këputje” të dyshimtë prej një minute midis orës 23:58:58 dhe 00:00:00 më 9 gusht 2019. Nuk është sqaruar nëse kjo është për arsye teknike, si konvertimi në format MP4, por as DOJ dhe as FBI nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim zyrtar.

Çfarë ndodhi me Epstein?

Epstein u arrestua më 6 korrik 2019 dhe u gjet i vdekur më 10 gusht 2019 rreth orës 6:30 të mëngjesit. Raporti zyrtar thotë se ai u vetëvra duke u varur me një çarçaf të lidhur te krevati. Por vetëm tre javë më parë, më 23 korrik, ai ishte gjetur i pavetëdijshëm me shenja në qafë. Ai pretendoi se ishte sulmuar nga shoku i qelisë, ndërsa autoritetet e burgut e klasifikuan ngjarjen si tentativë vetëvrasjeje. Siç raportoi New York Times, pavarësisht këtij episodi, ai u vendos në mbikëqyrje të posaçme për vetëvrasje vetëm deri më 29 korrik, 12 ditë para se të vdiste.

Gjurmët e fshira të një vrasjeje? Rasti Epstein dhe të

Autopsia, publikuar më 16 gusht 2019 nga mjekja ligjore e Nju Jorkut Barbara Sampson, e cilësoi vdekjen si vetëvrasje. Por avokatët e Epstein e kundërshtuan këtë përfundim dhe kërkuan akses në pamjet e sigurisë. Prokurori i Përgjithshëm William Barr e quajti rastin një “skandal me shkelje serioze” dhe urdhëroi hetime nga FBI dhe DOJ.

Autopsia kundërshtohet: a ishte vërtet vetëvrasje?

Patologu forensik Michael Baden, i intervistuar nga Fox & Friends dhe Miami Herald, deklaroi se kishte gjetur fraktura të pazakonta në kërcekun tiroide dhe në kockën hyoid, dëmtime tipike të mbytjes, jo vetëvarjes. Ai gjithashtu kritikoi faktin që trupi i Epstein u hoq shpejt nga vendi i ngjarjes dhe mungesën e fotografive të skenës së vdekjes.

Më pas, emisioni “60 Minutes” raportoi se patologë të tjerë evidentuan mavijosje në kyçet e dorës, një gërvishtje në parakrah dhe një hemorragji muskulare në shpatull. Daily Mail shtoi se Epstein kishte shprehur frikë për jetën e tij, duke thënë se dikush po përpiqej ta vriste, ndonëse një burim brenda burgut e përshkroi si “në humor të mirë” dhe pa shenja vetëvrasjeje.

Vendimi për t’i hequr mbikëqyrjen speciale, që ish-oficeri i burgut Cameron Lindsay e quajti “tronditës” për BBC-në, mbetet ende i pashpjeguar.

Dështimet e sistemit të sigurisë dhe kamerat që “nuk panë asgjë”

Një tjetër pikë e errët janë problemet me kamerat e sigurisë. Sipas Washington Post, të paktën një kamera pranë qelisë së Epstein prodhoi pamje “të papërdorshme”. BBC raportoi se disa pamje u “fshinë gabimisht”, dhe rezervat e ruajtura ishin nga qeli e gabuar. Një raport i vitit 2023 nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të DOJ zbuloi se rreth gjysma e 150 kamerave të MCC nuk funksiononin që nga 29 korriku 2019, dhe vetëm dy ishin operative natën e vdekjes, asnjë prej të cilave nuk regjistronte direkt qelinë e Epstein.

DOJ tha se askush nuk hyri në zonën e qelisë së Epstein midis orës 20:00 të 9 gushtit dhe 6:30 të 10 gushtit. Por boshllëku një minutësh në video dhe manipulimet e zbuluara nga Wired shtojnë më shumë dyshime sesa përgjigje, duke mbajtur të gjallë misterin e një vdekjeje që ende sot trondit dhe ngre pikëpyetje të mëdha. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”

Lini një Përgjigje